Këshilli i Ministrave: Ja kush përfshihet në skemën e sigurimeve shëndetësore

584
Sigal

Miratohet regjistrimi dhe identifikimi i personave të siguruar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor

Këshilli i Ministrave mori në mbledhjen e djeshme vendim për regjistrimin dhe identifikimin e personave të siguruar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Sipas këtij vendimi:

-të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor quhen personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, që paguajnë kontributin e detyrueshëm të sigurimit shëndetësor, personat ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga buxheti i shtetit ose burime të tjera, të përcaktuara me ligj, si dhe personat e siguruar në mënyrë vullnetare.

-Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor krijon regjistrin e të siguruarve, në të cilin regjistron të gjithë personat e siguruar në sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, sipas kategorive përkatëse, me qëllim që të evidentohen, në mënyrë të saktë, të gjithë personat e siguruar në mënyrë të detyrueshme dhe veçoritë e sigurimit të tyre (masa e kontributit, kohëzgjatja e sigurimit etj).

-regjistrimi i të siguruarve bëhet duke u mbështetur në të dhënat e ofruara nga institucionet përgjegjëse, bazuar në numrin e përgjithshëm, si dhe në identitetin e personave që bëjnë pjesë në grupet e veçanta.

Institucionet përgjegjëse për dhënien e informacionit, sipas kategorive të të siguruarve

-Ministria e Punëve të Brendshme

-Ministria e Arsimit dhe Sportit

-Instituti i Sigurimeve

-Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

-Shërbimi Social Shtetëror

-Shërbimi Kombëtar i Punësimit

-Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile

-Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile

-Autoriteti shtetëror qendror

-Qendrat Shëndetësore

Të dhënat nga institucionet përgjegjëse i jepen Fondit në mënyrë elektronike jo më pak se 2 (dy) herë në vit, brenda muajit janar dhe qershor të çdo viti. Fondi lidh marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave me institucionet e mësipërme, në të cilën parashikohen afatet konkrete të kalimit të të dhënave, modalitetet dhe detajimin e informacionit të kërkuar për nevojat e Fondit.

-Marrja e të dhënave, përpunimi dhe ruajtja e tyre bëhen në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, si dhe të udhëzimeve të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

-Identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor bëhet me anë të kartës së shëndetit.

-Karta e Shëndetit është personale dhe e patjetërsueshme. Ajo përmban numrin e identitetit të personit, i cili është edhe numri i sigurimit shëndetësor të detyruar.

-Forma, përmbajtja, mënyra e përdorimit të kartës së shëndetit, si dhe modalitetet e zëvendësimit të librezës së shëndetit, përcaktohen me udhëzim të veçantë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

-Vendimi nr.86, datë 13.2.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për librezën e shëndetit”, shfuqizohet.

Shtohen 146 punonjës me kontratë të përkohshme në administratë

Këshilli i Ministrave vendosi një shtesë prej 146 punonjësish me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes vendore. Kështu, në vendimi, thuhet se “ Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014, në njësitë e qeverisjes qendrore është 756 veta”.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korente të miratuara në buxhetin përkatës të institucioneve për vitin 2014. Përjashtimisht për Shtëpinë e Pushimit Durrës, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit.

Më 2 qershor nis shpronësimi i pronarëve për Skelë-Uji i Ftohtë

Këshilli i Ministrave ka miratuar shpronësimin për interesin publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga segmenti rrugor Skelë-Uji i Ftohtë në Vlorë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 225 235 631 lekësh. Kjo shumë do të  përballohet nga “Fondi i Zhvillimit të Rajoneve”, planifikuar në buxhetin e vitit 2014, për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.

Vendoset krijimi i Regjistrit Noterial Shqiptar, noterët bëhen transparentë 

 Veprimtaria e të gjithë noterëve shqiptarë tani e tutje do të përmblidhet në Regjistrin Noterial Shqiptar. Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të shërbimit noterial shqiptar në të ashtuquajturin “Regjistër noterial”. Regjistri do të përmbajë  të dhënat e akteve dhe veprimeve noteriale; të dhënat e testamenteve; të dhënat e dëshmive të trashëgimisë; dokumentet e skanuara të akteve dhe veprimeve noteriale; të dhënat për palët, individë dhe subjekte; informacione të tjera plotësuese për procese të punës së noterëve; të dhëna referencare për ndërveprimin dhe baza të dhënash të tjera; të dhëna referencare për komunikimin ndërmjet noterëve, dhomave dhe aktorëve të tjerë; të dhënat e raporteve dhe statistika. Përbërësit e arkitekturës softëare dhe hardëare të sistemit miratohen nga Autoriteti Rregullator Koordinues. Dhënës të informacionit janë noterët; Ministria e Drejtësisë; palët, individë dhe subjekte (fizike dhe juridike).

Emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi Z. Rauf Dimraj emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.