Këshillat Bashkiakë, numërohet 85% e kutive; PS forcë e parë, PD e dytë, LSI e tretë

62
Numërimi i votave për këshillat bashkiakë po vazhdon. Pas numërimit të 4525 kutive, ose 85.36% nga 5301 të tilla që janë në të gjithë Shqipërinë, në garën për këshillat bashkiakë rezulton se koalicioni i majtë ka një avantazh prej mbi 400 mijë votash më shumë se koalicioni i djathtë. 
ASHE ka rreth 882 mijë vota, ndësa APPD 440 mijë vota. Partia Socialiste rezulton forcë e parë politike me 26.78% të votave, konkretisht 354 419 vota. Partia Demokratike ka marrë 19.54%, ose 258.598 vota dhe është forcë e dytë politike. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim me 16,47% të votave ose 217.983 vota, renditet e treta si forcë politike.
PS rezulton të jetë forcë e parë në shumicën e bashkive, PD është në vend të dytë, por nuk ka ndonjë diferencë të madhe votash nga LSI, që për momentin mban vendin e tretë. Mes këtyre dy partive që ende janë në garë për vendin e dytë ka një diferencë prej 38 mijë e 809 votash. 
LSI ka mundur të fitojë vendin e parë edhe në bashki të tilla si: Përmeti, Memaliaj, Këlcyra, Puka, Klosi, Delvina, Mirdita, etj. Në Bashkinë e Tiranës, kur mbeten ende pa numëruar, sipas rezultatit të KQZ-së, në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme, PS figuron të jetë forcë e parë politike me rreth 100 mijë vota, e ndjekur nga PD me rreth 70 mijë vota dhe LSI e treta me rreth 50 mijë vota.