Kërkohet 1 anëtar për vend vakant në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile

428
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 55 dhe 276, pika 8, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall vendin vakant për 1 anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile.

Njoftohen anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 54, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 28 janar 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.

Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin, të paktën, dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të ndonjë shërbimi sekret;
dh) çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 54, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Avokatit të Popullit:
Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë