Kërkesat e studentëve/ Kryeministri Rama zbardh tarifat e reduktuara të studimit. Opozita: Duhet zhbërë ligji për Arsimin e Lartë

707
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama zbardh tarifat e reja të studimit, por deklaron se nuk preket ligji “Për Arsimin e Lartë

Sot protesta para kryeministrisë: “Pak art me pankart”. Gjithë pedagogët firmosin pro abrogimit të ligjit për Arsimin e Lartë

Kryeministri, Edi Rama, deklaroi dje se nuk do të preket ligji “Për Arsimin e Lartë”, edhe pse studentë, akademikë, profesorë, pedagogë të universiteteve kanë deklaruar që ky ligj ka dështuar dhe është përgjegjës për kaosin e universiteteve publike. Njëfarësoj, kryeministri, edhe pse zbardhi tarifat e reja të studimit, sërish ato nuk janë produkt i dialogut me studentët dhe nuk plotëson kërkesën e tyre, që Buxheti të financojë për Arsimin 5 % të PPB-së. Kryeministri Rama pranoi që shifrat financiare që miratoi dje qeveria për universitetet publike nuk do të sjellin rishikimin e buxhetit 2019, kur dihet, që ky buxhet u hartua para protestave të studentëve dhe nuk kishte parashikuar këto masa ekonomike.

4 Vendimet e Këshillit të Ministrave:

Tarifat në Nivelin e Parë të Studimeve (Bachelor) të paguhen nga Qeveria për këto kategori: 

Përkrahja: Studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit. Studentet nga familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj. Ekselenca: Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit, nga tarifë e plotë që paguanin përpara këtij vendimi. Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj, ndërkohë që kjo masë ishte në nivelin 8,100 lekë dhe vetëm për studentët me mesatare 10.00. Një mundësi e ndershme për çdo student: Të gjithë studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit. Studentët e humbasin këtë mundësi nëse nuk mbajnë gjatë studimit një mesatare mbi 6 në vitet pasardhëse.

Tarifat në Nivelin e Dytë të Studimeve (Master) të paguhen nga Qeveria për këto kategori:
Studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë dhe të gjithë grupeve të tjera të përcaktuara në këtë vendim, përfitojnë financimin deri në 50% të tarifës së regjistrimit, kategori të cilat deri përpara këtij vendimi paguanin tarifë të plotë.

Sistemi i Konvikteve në Arsimin e Lartë Publik

Zgjidhja: Në Aktin Normativ të buxhetit 2018 që pritet të miratohet së shpejti, janë parashikuar rreth 300 milionë lekë shtesë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën e konvikteve për vitin 2019. Afati i realizimit: Brenda një periudhe 3-vjeçare për ndërhyrje në rikonstruksione.

Kërkesa e dytë e studentëve: Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online.

U vendos: Krijohet portali i transparencës dhe të trajtimit të ankesave me qëllim garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë. Portali të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të të publikohen on-line: Të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo institucioni të arsimit të lartë; Duke filluar nga viti buxhetor 2019, bordi i administrimit të institucionit të arsimit të lartë, nëpërmjet administratorit, të përcjellë çdo tre muaj, për publikim, të dhënat e detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare sipas përcaktimit të kësaj shkronje. Afati i realizimit: Prill 2019

Kërkesa e tretë e studentëve: Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik
U vendos: Për këtë pikë sot kam Firmosur Urdhrin e Kryeministrit – Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e modelit të statutit për institucionet publike të arsimit të lartë. Statuti Tip do të lehtësojë punën e IAL-ve për miratimin e statuteve të tyre, nga ku do të nisi procesi i zgjedhjeve te Këshillave Studentorë dhe Komisioneve të Përhershme.

Cila do jetë zgjidhja: Mbyllja e procesit të statuteve te IAL-ve Publike. Asistence Ligjore për ta nëse paraqitet e nevojshme. Hapja e zgjedhjeve për Këshillat Studentorë. Monitorimi i Komisioneve të Përhershme dhe përfaqësimi në të i Studentëve në përputhje me Statutin. Afati i realizimit: Qershor 2019.

Kërkesa e katërt e studentëve: Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

U vendos: Për këtë çështje sot u Miratua VKM – Për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore. Si dhe u hap për konsultim publik draft ligji – “Për kodin e sjelljes për integritet në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Kërkesa e pestë e studentëve: Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

U vendos: Shkarkimi i të gjithë anëtarëve të bordeve të emëruar nga Ministria e Arsimit. Emërimet e reja të bëhen më një proces të hapur dhe me vëmendje publike. Njëri prej anëtarëve që emërohet prej MASR, të vijë propozim nga studentët, por të jetë figurë publike në përputhje me ligjin. . Afati i realizimit: Prill – Maj 2019.

Kërkesa e gjashtë e studentëve: Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019.

Cila do jetë zgjidhja: MASR do të bëjë publike marrëveshjet e lidhura dhe listën e shërbimeve që përfitohen nga studentët me entet shtetërore, Bashkitë dhe subjektet private.
Është duke u draftuar një udhëzues teknik për mënyrën e aplikimit dhe çështje të tjera teknike që kanë lidhje me formatin dhe të dhëna të kartës, aplikimin online etj., i cili do të marrë formë ligjore pas përfundimit të softit për aplikimin e kartës. Afati: Miratimi i 2 VKM-ve brenda Janarit 2019. Lëshimi i kartës për çdo student Shtator – Dhjetor 2019.

Kërkesa e shtatë e studentëve: Ndërtimi i bibliotekave me standarde evropiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

U vendos: Për këtë çështje është miratuar VKM “Për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në institucionet e arsimit të lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe”; Duke hedhur kështu një hap të madh në përmirësimin e titujve akademik, ne IAL-të e vendit. Cila do jetë zgjidhja: Brenda muajit Mars fillon funksionimi i bibliotekës digjitale, që do të jetë e aksesueshme nga çdo student e staf akademik në të gjithë vendin. Afati i realizimit: Maj 2019.

Kërkesa e tetë e studentëve: Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

U vendos: Kam firmosur Urdhrin “Për ngritjen e Grupit të Punës për ndryshimin e VKM-së për Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, në mënyrë që të adresojmë në këtë Kod shumë nga shqetësimet e ngritura nga studentët.

Kryeministri Rama: Ligji për Arsimin e Lartë nuk preket

nga të gjitha bisedat që kam bërë publike ose jo, deri tani nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt që këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka penguar ligji i arsimit të lartë, përkundrazi kam parë në vazhdimësi që shumë gjëra që kërkohen Ligji i arsimit të lartë i kërkon po ashtu. Ligji i arsimit të lartë nuk preket…

Mesazhi i kryeministrit Rama për pedagogët…

 Edhe një fjalë kam për pedagogët që mbledhin firma për të prekur ligjin e arsimit të lartë që është shumë e rëndësishme të ndajmë një herë pedagogët. Ka shumë pedagogë që janë heronj, por ka dhe të tjerë që janë si ajo shprehja në atë filmin ‘sa gjërat bëhen në emrin tënd o popull’. Përpara sesa pedagogët të shkojnë tek ligji është mirë që secili të provojë përputhjen e vet me ligjin sa i takon atyre që pretendon apo atyre që ai është, doktor… profesor.. i asociuar.. ligji nuk na pengon as për këtë… Prandaj ligji nuk ka asnjë arsye të preket.

Studentët sot i bëjnë surprizë kryeministrit

Studentët, të cilët janë të vendosur në plotësimin e kërkesave të tyre nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Arsimit, sot kanë një surprizë për kryeministrin. Duke nisur nga ora 10:00 deri në orën 16:00, ata do të paraqesin para Kryeministrisë një ekspozitë me meme dhe pankarta. Ata e kanë quajtur ekspozitën e tyre “Pak art me pankart”.

Regjistrimi në universitet fillon që në janar për maturantët

Aplikimi online për provimet e maturës shtetërore të vitit 2019, do të nisin që në muajin janar, ndryshe nga vitet e mëparshme kur zhvilloheshin në muajin mars. Nga data 7 deri më 15 janar maturantët duhet të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z në portalin ‘e-albania’ dhe më pas aplikimin në portalin “Matura Shtetërore 2019” në periudhën 16 janar deri në 6 shkurt”, sipas planit të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit për të gjitha njësitë arsimore në vend”, thuhet në rregulloren për këtë maturë.

Me dhjetëra pedagogë nënshkruajnë pro abrogimit të ligjit për Arsimin e Lartë

Protesestës të studentëve i bashkohen edhe pedagogët e fakulteteve që po nënshkruajnë peticione dhe po kërkojnë një zëri abrogimin e ligjit të arsimit të lartë. të cilët kanë firmosur një dokument të shkurtër ku i kërkohet qeverisë shfuqizimi i ligjit problematik të arsimit të lartë që cilësohet, deri më tani si thelbi i kaosit të shkaktuar në universitetet publike.

Reagimet e Opozitës

Basha reagon: Rama i mashtroi studentët! Zgjidhja e vetme është anulimi i ligjit të arsimit të lartë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cilësoi mashtrime për të çoroditur studentët dhe opinionin publik vendimet e marra dje nga qeveria. . “Para pak minutash mbaroi viti qeveritar ashtu si nisi me mashtrime dhe premtime të pa mbajtura. Rama po përpiqet të mashtrojë studentët me atë që quhet pak për Universitetin. Cikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli sot nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta të thella financiare me të cilat përballen studentët dhe familjet e tyre. Konviktet tha se do bëhen në fund të mandatit, normal se nuk është Unaza. Paketa është mashtrim i plotë dhe shenjë e çoroditjes totale,” deklaroi Basha.

Monika Kryemadhi: Kryeministri do të grabitë inteligjencën, duke e mashtruar

Të gjithë e dini situatën, ku studentët shqiptarë kanë qenë për 19 ditë në protesta përballë kryeministrit. Tashmë është një protestë politike, që është apartaike. Studentët shkojnë në një universitet publik, pasi pagesat dhe tarifat janë më të ulëta. Por qeveria jonë me një kryeministër sharlatan në krye, rriti tarifat e universiteteve, të provimeve që kjo të bëhet e pamundur. Sot dëgjuam një monolog dhe shfaqje teatrale, ku nga njëra anë kishte paralizë faciale, dhe e tradhtonte fytyra. Ai thoshte se do të përgjysmojmë tarifat e studentëve. Kryeministër mashtrues dhe grabitës. Kërkon që të grabisë inteligjencën e shqiptarëve duke mashtruar. Ai duhet të ndryshojë ligjin e Arsimit të Lartë. Ky kryeministër ose është i paaftë mendërisht, por mua s’më duket kështu, pasi ai është i aftë që të grabis. ose ai mendon se shqiptarët hanë përshesh. Pjesa më e madhe e juaja, kanë fëmijët studentë. Të gjithë ata që e ndejnë veten të mashtruar, të grabitur, të ofenduar, dhe të shfrytëzuar, t’ju bashkohet studentëve. Jo më datën 7 janar, por edhe grupeve të diasporës që kanë parashikuar që të protestojnë në 28-29 para Kryeministrisë.