Forum në Telegraf/ Flasin Kokëdhima, Islami, Xhaxhiu, Çavo dhe Bello: Nëse ndodh një gjë e tillë shqiptarët do mbeten pa Atdhe dhe do rrezikohet siguria kombëtare. Reagon Kryeministri: Lajm i prodhuar nga “esadistët” e rinj

669
Sigal

Jakup B. GJOÇA

kërkesa për strehimin e refugjatëve të luftës

Është tradhti e lartë ndaj popullit, nëse kryeministri do kërkojë të pranojë refugjatët e luftës

FORUMI: Kryeministri Ram e quan, lajm të prodhuar nga esadistët e rinj. Flasin për “Telegraf”: Koço Kokëdhima, Kastriot Islami, Razar Xhaxhiu, Zamira Çavo, Marko Bello, Spartak Topollaj

Në Samitin e 16 udhëheqësve të BE-së të organizuar të dielën, për të diskutuar çështjen e refugjatëve dhe emigrantëve, nuk u mor asnjë vendim, veçse u debatua për të gjetur zgjidhje, të cilat do të shtrohen dhe do të merren në Samitin e Këshillit të Ministrave të BE-së pas dy ditësh. Udhëheqësit evropianë, e pranuan si zgjidhje të drejtë, si një mundësi, që duhet ta shikojnë, që në vendet jo të BE-së, por në Evropë, të ndërtohen kampet e refugjatëve “hotspots”, duke fotografuar edhe Shqipërinë, pasi, siç kanë pohuar edhe disa udhëheqës evropianë, qeveria e Ramës është vetofruar për të pritur refugjatë. Kryeministri Edi Rama e quan, të rremë lajmin që qarkullon prej kohësh në Shqipëri për strehimin e 600 mijë refugjatëve nga vendet e lindjes dhe shkruan se samiti i BE për refugjatët shpoi tullumbacen e lajmit të rremë, që sipas tij është prodhuar nga esadistët e rinj të Shqipërisë. “Dje Samiti i BE për krizën e refugjatëve shpoi tullumbacen gjigante të Lajmit të Rremë për Kampin në Shqipëri! Ky lajm i prodhuar dhe propaganduar nga esadistët e rinj të Shqipërisë në politikë e media, s’ka asnjë lidhje me planet e BE për refugjatët. Mos t’ua harrojmë këtë turp”, shkruan kryeministri.

Në forumin e gazetës “Telegraf” për problemin e ngritjes së kampeve “hotspots” në Shqipëri flasin Koço Kokëdhima, kryetar i partisë ZGJIDHJA, Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm, Marko Bello, ish-ministër,  Prof. Zamira Çavo, gazetari Rezart Xhaxhiu, diplomati Spartak Topollaj

Koço Kokëdhima, kryetar i Partisë ZGJIDHJA: Nëse pranohen refugjatët, do të na e marrin Shqipërinë, do na lënë pa Atdhe

–  Zoti Kokëdhima, si do ta cilësonit kërkesën e Ramës për ngritjen e kampeve të refugjatëve të luftës në Shqipëri?

– Plani i qeverisë Rama është shumë më tepërt sesa i turpshëm. Përfaqëson një akt të rëndë të tradhtisë së lartë ndaj popullit dhe ndaj shtetit shqiptar.

– Pse thoni se është tradhti? Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria ka detyrime ndaj BE-së të kontribuojë për të zgjidhur krizën e refugjatëve?

– Së pari, ky plan niset nga konsiderata tërësisht raciste dhe inferiore për Shqipërinë.  Sipas këtij plani, në Shqipëri duhet të sillen refugjatët e zonës së luftës, të cilët janë të papranueshëm në Evropë, ato lloj refugjatësh, që dyshohen për veprimtari terroriste, ose simpatizantë të terrorizmit. Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet, asnjë aftësi, nuk ka as përgjegjësi dhe as detyrim që të mbajë e të mbyllë në kampe këto lloj refugjatësh. Populli ynë është me zemër të madhe, është i shumëvuajtur, është populli më tolerant, ka tolerancën më shembullore, dhe më të lartë fetare, etnike, racore, qytetare dhe kulturore nga të gjithë popujt e tjerë të Evropës. Deviza e popullit tonë, shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, e mishëron më së miri këtë tolerancë. Por plani që Shqipëria të bëhet strehë e këtyre e refugjatëve të papranueshëm për Evropën, do të thotë që ta konsiderosh Shqipërinë, si një vend plehrash. Dje, filozofi i shquar francez deklaroi në Tv Franc: “Turp Europës! Kriza e refugjatëve nuk zgjidhet duke krijuar vende plera si Shqipëria, ku të derdhen mbetjet humane!”

Kështu e ka trajtuar kjo qeverie Shqipërinë, si vend plehrash edhe për mbetjet e llojeve të tjera, të mbetjeve industriale, për mbetjet nga armët kimike, edhe për mënyrën sesi e trajton detin e Shqipërisë, të cilin e ka shndërruar të gjithë në një det të kontaminuar, në një det të mbushur me fekale dhe ujëra të zeza, duke shkatërruar gjithë ato investime, që shqiptarët i bëjnë me gjak dhe sakrifica për të zhvilluar turizmin.

A është në gjendje qeveria shqiptare t’i rezistojë kërkesës së BE për të pritur refugjatët e luftës, në një kohë, që lobon për hapjen e negociatave?

– Sikur në Shqipëri të vinin këta refugjatët, do të zhbëhej vazhdimësia dhe e ardhmja e kombit dhe e popullit tonë në shtetin shqiptar dhe në trevat tona. Askush sot  nuk ka të drejtë t’i kërkojë Shqipërisë gjëra të tilla, Kjo qeveri, kryeministri, ministri i Brendshëm dhe ministri i Jashtëm kanë negociuar fshehurazi dhe pa asnjë transparenë këtë plan apokaliptik kundër shqiptarëve dhe kundër popullit tonë. Partia Zgjidhja i thotë edhe atyre politikanëve, ultra të djathtë në Europë, por edhe politikanëve të tjerë në Europë, që për shkak të nevojave të brendshme politike të vendeve të tyre, janë gati t’i bëjnë Shqipërisë këtë të keqe të madhe, se ne refuzojmë çdo lloj ndihme të kushtëzuar, ne refuzojmë çdo lloj ftese të kushtëzuar për Shqipërinë me qëllim që ajo të kthehet de fakto në një Guntanamo të Mesdheut, të kthehet de fakto  në një kam të madh, që do ta izolonte nga qytetërimi dhe vetë integrimi europian. Shqiptarët e kanë aspiratë dhe destinacion të prosperitetit të tyre Europën. Ata nuk e meritojnë kursesi që tju vinë rreziqe të tilla nga vendet e BE-së. Është ky moment, që dua ta shfrytëzoj për të falenderuar disa qeveri dhe shtete të Europës e sidomos Presidentin Macron, i cili ka mbajtur qëndrime vizionare dhe të drejta, që bazohen edhe në vlerat e vërteta të demokracisë dhe shoqërisë europiane dhe që nuk e kanë mbështetur këtë plan të vihet në jetë.

– Përse Opozita dhe PD heshtin për ardhjen e refugjatëve?

– E kam shprehur të gjithë kritikën e Partisë Zgjidhja ndaj tyre. Nuk është hera e parë që partitë e vjetra në heshtje ose haptazi, kanë  gatuar së bashku me PS-së për të bërë vepra shumë të rënda dhe të këqia ndaj shqiptarëve. Edhe këtë radhë I kemi sulmuar dhe akuzuar, që nëse nuk janë bashkë dhe pjesë e kësaj marrëveshjeje të fshehtë, le të bashkëpunojnë me Zgjidhjen për të ngritur në këmbë popullin, kundër këtij plani ogurzi kundër Shqipërisë.

– Nëse zbatohet ky plan i qeverisë tonë, për të pritur refugjatët në Shqipëri, si do të reagoni?

–  Nëqoftëse ky plan do të  zbatohet, kjo do të thotë, që do të na e marrin Shqipërinë,  do të thotë, që do të na lënë pa atdhe. Dhe ne nuk do ta pranojmë këtë gjë, në asnjë rrethanë, dhe në asnjë mënyrë. Do të bëjmë çdo lloj sacrifice, deri në sakrificën më sublime, që ky plan të pengohet. Po të jetë e nevojshme, do të luftojmë edhe me trupat  tonë, por kurrë nuk do ta lëshojmë Shqipërinë, nuk do ta lëshojmë vendin tonë. Do ngrejmë në këmbë gjithë popullin tonë. Dhe unë besoj se do të ngrihet në këmbë çdo shqiptar, që ndjen se i rrjedh gjak shqiptari në damarë.

Kërkesa e Ramës për strehimin e afrikanëve, akt çmendurie e marrëzie

Kastriot Islami /Ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë

–  Zoti Islami, si do ta cilësonit kërkesën e Ramës për strehimin e refugjatëve të luftës?

Kjo është një ide e çmendur dhe akt marrëzie i Ramës, thjesht dhe vetëm për interesat e karriges së tij, por që, ndërkohë është pjesë e një lëvizjeje të sponsorizuar të mafias ndërkombëtare të trafikut të azilkërkuesve afrikanë për të destabilizuar qeveritë e djathta, dhe veçanërisht ato anti-establishment, që kanë lindur dhe kanë filluar të qeverisin në Evropë.

– A mund të ndihmonte ky akt hapjen e negociatave?

Vendimi për negociatat duket se është marrë tashmë, Franca dhe Holanda kanë deklaruar deri tani se nuk do të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke e shpërblyer Maqedoninë vetëm me anëtarësimin në NATO. Lidhja nga Rama e këtij akti të çmendur me hapjen e negociatave është qesharake, e rrezikshme për vendin dhe kundër interesave të shqiptarëve. Ky akt çmendurie do të ishte me pasoja të rënda për destabilizimin e vendit, të rajonit, kryesisht të Italisë dhe më gjerë të vendeve të BE.

Çfarë gjasash ka që kjo kërkesë e Ramës të realizohet?

Të gjithë shqiptarët duhet të jenë të qetë se fatmirësisht, ky akt marrëzie dhe poshtërsie kombëtare i Edi Ramës, duke qenë njëkohësisht një akt antievropian, është i destinuar të dështojë dhe me siguri do të dështojë. Këtë gjë e ka kuptuar lidershipi serioz e i përgjegjshëm i disa vendeve të BE, i cili me shumë gjasa do të marrë vendimin në datat 27-28 qershor për të mos e lejuar. Këtë akt të shëmtuar, kundër stabilitetit të qeverive të djathta konservatore evropiane e paralajmëroi ministri i brendshëm i Italisë, i cili zbuloi e deklaroi haptas se nga kush dhe përse sponsorizohej trafiku mafioz i azilkërkuesve afrikanë drejt vendeve të BE.

Çfarë pasojash do të kishte ky veprim, nëse vendet e BE do të pranonin kërkesën e Ramës?

Së pari, të gjithë duhet të jenë të sigurt se ky akt marrëzie do të dështojë edhe për faktin tjetër se liderdshipi serioz e i përgjegjshëm evropian është i ndërgjegjshëm se lejimi i këtij skenari do të shkaktonte, ose destabilizimin e qeverisë italiane, ose katastrofën më të madhe njerëzore në detin Adriatik. Së dyti, nëse kjo kërkesë do të miratohej situata në Shqipëri e rajon, apo më gjerë, do të ishte e paparashikueshme. Sepse në orkestrimin e drejtpërdrejtë të Ramës dhe të mafias ndërkombëtare të trafikut të azilkërkuesve, do të tentohej me ndihmën e policisë shqiptare e të grupeve mafioze e trafikantëve të lidhur me qeverinë Rama, po ashtu siç ndodhi me trafikimin e kanabisin drejt vendeve të BE, siç po ndodh aktualisht me trafikun e drogave të forta, dhe siç ishte programuar të ndodhte edhe përhapjen klandestine të armëve kimike siriane në rajon dhe më gjerë, të trafikoheshin drejt Italisë të gjithë azilkërkuesit afrikanë, madje edhe të gjithë ish-luftëtarët e ISIS për të destabilizuar qeverinë e djathtë konservatore dhe anti-establishment italiane. Dhe, nëse në bregun italian policia dhe forcat e sigurisë italiane do të vepronin me vendosmëri, atëherë shumica e azilkërkuesve do të përfundonin ushqim për peshqit e Adriatikut duke shkaktuar katastrofën njerëzore më të madhe të të gjithë kohërave në Evropë…

Marko Bello: Papërgjegjshmëri, servilizëm, mungesë transparence dhe autoritarizëm

Kohët e fundit opinioni publik është shqetësuar nga lajmet se kreu i qeverisë shqiptare u ka shprehur gatishmërinë vendeve të BE për të strehuar emigrantë në Shqipëri. Përtej shifrave që thuhet se shkojnë deri në 600.000, kjo qasje tregon sa papërgjegjshmëri, aq edhe servilizëm, mungesë transparence dhe autoritarizëm. Ngjan si dy pika uji me problemin e shkatërrimit të armëve kimike siriane. Edhe atëherë nuk kishte transparencë, edhe atëherë qeveria u soll krejt në mënyrë të papërgjegjshme dhe, më në fund u tërhoq, duke zhgënjyer partnerët strategjikë. Populli thotë: “Mat 7 herë e prit njëherë”, por qeveritarët tanë janë të papërgatitur t’u bëjnë ballë situatave të tilla dhe nxitojnë të përfitojnë për vete në kurriz të interesave të vendit dhe qytetarëve. Ne nuk kemi kapacitete të strehojmë kaq shumë emigrantë, kur vendet e zhvilluara dhe të fuqishme po i bishtnojnë problemit. Italia, Franca, Hungaria, Austria dhe shumë vende të tjera janë në vështirësi për të përballuar këtë dyndje nga Lindja e Mesme dhe Afrika, ndërsa qeveria shqiptare fryhet si bretkosa e përrallës që në fund plasi. Nuk ka asnjë vend në rajon që të pranojë të mbajë peshën e një beteje, që nuk është e jona. Këta tanët e kanë marrë si lehtë, duke harruar se ngjarje të tilla janë me pasoja të pa parashikueshme për vetë Sigurinë e vendit. Shpresoj se kancelaritë perëndimore, sado në vështirësi përballë opinionit të tyre brenda, nuk do të jenë kaq cinike, sa të na e lënë këtë barrë neve. Është ende shpejt për një vend si Shqipëria, qytetarët e të cilit kërkojnë të emigrojnë vetë drejt Evropës dhe SHBA, që të provojë se sa refugjatë mund të përballojë në territorin e saj.

Rezar Xhaxhiu: Kryeministri Rama, i ndodhur në vështirësi, luajti me çështjen e refugjatëve

Oferta që kryeministri Rama u ofroi udhëheqësve evropianë, për të ndërtuar në Shqipëri kampet “hotspots” për refugjatët, mendoj se kjo ka qenë si një përpjekje e tij për të dalë garant evropianëve, edhe pse, pastaj, ai vetë u përpoq për ta mohuar, madje, duke i quajtur si “Lajm i rremë”, si “Fjalë kazani”. Këto qëndrime publike të kryeministrit Rama janë skema, që u ka dalë boja. Kështu ka bërë edhe për armët kimike me amerikanët. U dha fjalën, pastaj e mohoi publikisht, kur pa reagimin. Kjo histori u përsërit përsëri nga Rama tani me çështjen e refugjatëve me evropianët. Ka ndodhur, nuk mund ta mohojë dot zoti Rama. Jo më kot gazetat më prestigjioze evropiane këto ditë e kanë shkruar këtë. Unë e njoh shtypin evropian dhe ata nuk shkruajnë kot, nëse nuk kanë ndodhur ngjarjet. Në gjuhën diplomatike dhe politike, gjermanët, austriakët, danezët, francezët shkruan, se ekziston një frymë pozitive nga Shqipëria për të mirëpritur refugjatët në territorin tonë. Këtë nuk mundet ta mohojë dot kryeministri Rama tani. Diçka e vërtetë ka ekzistuar. Por, kryeministri Rama u ndodh në fakt përballë reagimit dhe të mohimit dhe luajti kartën e “hotspots”. Unë do të pranoja, që për shumë arsye, ne të pranonim një numër të kufizuar refugjatësh, por kurrsesi, Shqipëria nuk mund të pranojë një numër shumë të madh refugjatësh. Nga ana tjetër, jo më kot zyrtari i qeverisë Rama (zv/ministri i Brendshëm) në një intervistë për televizionin gjerman, përmendi, se ne kemi përvojë, sepse mirëpritëm 600.000 kosovarë. Mua më duket se tentative e kryeministrit Rama për t’u thënë evropianëve, se ne jemi të gatshëm, duket se është tregues i vështirësive të mëdha që ndeshet në raport me disa vende të BE-së për problemin e hapjes së negociatave, por edhe nga zhvillimet që nuk e lënë të qetë në Shqipëri, siç është çështja “Tahiri”, çështja “Xhafaj” e një sërë problemesh që ka me opozitën. Unë mendoj, duke u nisur edhe nga informacionet e fundit, se ka një refuzim të kërkesave të kryeministrit Rama. Pavarësisht se vijnë apo jo refugjatët në Shqipëri, duhet analizuar vështirësitë e kryeministrit shqiptar Rama në veprimet e tij në raport me ndërkombëtarët, në çështje kaq të ndjeshme, në lidhje me kapacitetet e vërteta që ka vendi ynë ose jo, siç ndodhi me armët kimike dhe siç po ndodh sërish edhe me problemin e pranimit të refugjatëve. Nuk janë serioze të tilla qëndrime nga kryeministri ynë, në raportet që ndërton dhe ka me ndërkombëtarët, por edhe me vetë shqiptarët.

Spartak Topollaj, diplomat: Me kampet e refugjatëve rrezikohet Siguria Kombëtare dhe rendi publik

Është konfirmuar nga disa udhëheqës politikë evropianë, që Shqipëria është vetofruar për ndërtimin e kampeve të “hotspots” për refugjatët e zonave të luftës në Siri. Kuptohet, që qeveria jonë është duke e mbajtur të fshehtë, por duke parë reagimin e popullit, medias dhe të opozitës, kryeministri Rama e luajti kartën, sikur nuk ka ndodhur asgjë, por reagimi i saj ishte i vonuar. Kryeministri Rama reagoi publikisht, duke mohuar faktin e kryer nga ai, me fraza krejt të pakuptimta për çështjen në fjalë, sikurse tha “esadistë” etj. Këtu nuk ka tradhti nga ndokush, që kryeministri Rama t’i cilësojë esadistë, madje implikoi edhe median tonë, ndërkohë, që ishin mediat e huaja ato që zbardhën vetofrimin e kryeministrit shqiptar pranë kancelarisë gjermane dhe austriake për ndërtimin e kampeve të refugjatëve në Shqipëri. Kryeministri Rama u dha fjalën, pa dashur t’ia dijë, se Shqipëria nuk ka asnjë mundësi potenciale që të ndërtojë dhe të mbajë “hotspots” për refugjatët e luftës. Rama nuk donte të kuptonte se me refugjatët e luftës rrezikohet siguria kombëtare, rendi publik në Shqipëri, sepse me mijëra do të jenë ata ish-luftëtarë të ISIS, që nga dëshpërimi, mund të ndërmarrin në Shqipëri edhe akte terrorizmi. Si do ta përballonte kryeministri Rama dëshpërimin e ish-ISIS? Kryeministri Rama u përpoq, që me BE-në të shkëmbente sheqerin me rërën. Pastaj është për të ardhur keq, që qeveria jonë përmendi edhe mikpritjen që u bëmë ne kosovarëve në luftën kundër Serbisë. Po, si mund të krahasosh ish-ISIS me vëllezërit tanë kosovarë? Ne e kishim detyrim kombëtar të mbronim vëllezërit tanë nga regjimi i Millosheviçit, por tani, veç të tjerash, Siria dhe Palestina akoma nuk duan ta njohin Kosovën tonë.

Prof. Dr. Zamira Çavo: Pasojat e emigrantëve do të bien mbi udhëheqësit botërorë

Dy fjalë për emigrantët. Histeria vazhdon me argumente pro dhe kundra ardhjes së refugjatëve në vendin tonë. Po a na shkon ndërmend të pyesim se cilat janë shkaqet që sot e kanë bërë permanent emigracionin? Sigurisht ka shumë arsye, por unë mendoj se ato që duhen nënvizuar janë: Humbja e shpresës në vendin e tyre, (Luftëra, konflikte, degjenerim e korrupsion politik). Kushte të vështira jetese. Dhunim i të drejtave të Njeriut. Politikat e vendeve të zhvilluara që kanë joshur me “hapje-mbylljet” e dyerve për emigrantët. Fryma se Evropa ka nevojë për fuqi punëtore, pasi popullsia e saj po plaket etj. Sikundër shihet shkaqet që shtyjnë për emigracion nga vendet e Afrikës, apo Sirisë apo.. ngjajnë si dy pika uji me problemet tona, që na shtyjnë të emigrojmë. Në këtë logjikë emigrantët nuk gjejnë këtu asnjë prej pretendimeve të tyre, ndaj edhe sikur në kampe të përkohshme, ata sërish do kërkojnë rrugën drejt “ëndrrës” së tyre, e cila padyshim nuk është Shqipëria! Kjo do të thotë se në një vend me rekorde kriminale, si ky i yni, do “lulëzojë” në vend të kanabisit, transporti klandestin, i cili për hir të së vërtetës është i hershëm tek ne. Po si ka mundësi, që Tramp apo Merkel, Macron apo Salvini, Orban apo May asnjehëre nuk merren me shkaqet e vërteta të këtij emigracioni? Kjo Botë që tashmë kërkon të vendosë tela me gjemba e mure për refugjatët, a nuk është ndërtuar nga këta refugjatë? Pse këta të “fuqishmit” e Botës nuk gjetkan sot një rrugëzgjidhje për lumin e emigrantëve, që do vazhdojë padyshim edhe në të ardhmen?! Sepse Ata janë vetë shkaktarët e kësaj gjendjeje dhe nuk i shpëton dot Shqipëria e Maqedonia Veriore! Pasojat, duan apo nuk duan, do të bien mbi ta!