Kërkesa për dorëheqje! Meta-PD-së: Nuk jam i implikuar, kontratën e firmosi Sahit Dollapi

516
TIRANË – Kreu i Kuvendit i eshte pergjigjur për herë akuzave te opozitës sipas të cilave Ilir Meta ka marre rryshfet nga nje kompani e kontraktuar nga CEZ (kur drejtohej nga çeket) per te mbledhur borxhin. 
Nga seanca e parë e këtij sesioni parlamentar, Meta tha se nuk do të japë dorëheqjen pasi nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aferë korruptive. Kryetari i Kuvendit sqaroi se kontrata mes degës së DIA në Shqipëri dhe CEZ-it është lidhur në një kohë kur ai nuk ka qenë kryeministër. Meta tha se kontrata me studion e avokatisë Clifford Chance, që i ka bërë këto akuza, është firmosur nga Sahit Dollap, administratori i CEZ ne 1 korrik 2013 ne Mynih.
“Së pari, përsa i takon dorëheqjes sime për një shkrim të bërë në një agjenci lajmesh, që i referohet një kompanie të kontraktuar nga qeveria aktuale, e cila është baza kryesore e pretendimeve dhe manipulimeve, kam vetëm një shpjegim: keni kohë edhe dy vjet për të kërkuar dorëheqjen time.
Së dyti, lidhur me faktin që kjo kompani është e kontraktuar nga qeveria aktuale dhe pretendimet e saj janë të besueshme, kisha një pyetje, nëse Sahit Dollapi është anëtar i Këshillit Kombëtar të PS apo PD, sepse këtu kam një letër nga kompania e kontraktuar nga CEZ, e firmosur me 1 korrik 2013 kur kryeministër ishte deputeti i nderuar Sali Berisha, e firmosur nga Sahit Dollapi për CEZ dhe Tim Schreiber për Clifford Chance.
Nëse nuk e kujtojnë këtë kompani, të pyesin ministrin e Financave pasi kjo kompani ka qenë kliente me qeverinë për disa kontrata. Njëkohësisht dua të them se kompania në fjalë ka bërë një sqarim se nuk përmendet emri im. Shqipëria ka pasur shumë ish­kryeministra dhe nuk e përjashtoj që dikush apo një i afërm i tij ka përfituar nga gjëra të tilla, por e përjashtoj në mënyrë kategorike emrin tim. Të gjithë e dinë kush e ka emëruar ERE­-n dhe kush e kontrollon ERE­-n”, -u shpreh Meta.
Ishte kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka i cili më herët përsëriti nga salla e Kuvendit qëndrimin e opozitës për dorëheqjen e Metës. “Kryetari i parlamentit të japë dorëheqjen dhe të vihet para drejtësisë si çdo qytetar tjetër”, – tha Paloka. 
Kontrata e lidhur në atë kohë quhet “Marrëveshje për Shërbim në Mbledhjen e Borxheve”, lidhur mes degës në Shqipëri “DEBT INTERNATIONAL ADVISORY LTD” dhe “Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes SH.A”.
Reagimi i plotë i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta pas akuzave të bëra nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Edi Paloka 
Meqenëse u ngrit një shqetësim ose u përsërit një kërkesë këtu nga deputeti z. Berisha, por dhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Paloka lidhur me një kërkesë të bërë më parë nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha, për një shkrim të bërë në një agjenci lajmesh, e cila i referohej një kompanie të kontraktuar nga qeveria aktuale, e cila është edhe baza kryesore e të besuarit të pretendimeve, e manipulimeve dhe e spekulimeve në atë shkrim. Kam vetëm një detyrim të thjeshtë.
Së pari t’i bëj të qartë opozitës se do të vazhdoj ta respektoj kërkesën e tyre për dorëheqjen time dhe do të kenë kohë edhe dy vjet për ta kërkuar këtë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Së dyti, lidhur me faktin që kjo kompani është e kontraktuar nga qeveria aktuale, për këtë arsye pretendimet e bazuara mbi raportin e saj janë të besueshme, kisha një pyetje në rast se z. Sait Dollapi është anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste apo i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike?! Sepse këtu përpara kam një “Engagement Letter” dhe “Fee Agreement” midis “Clifford Chance”, që është kontraktuar nga CEZ-i dhe CEZ Shpërndarja e firmosur më 1 korrik 2013. Pra, kohë kur Kryeministër ishte i nderuari, deputeti z. Sali Berisha, pra është firmosur në Mynih më 1 korrik nga Tim Schreiber për “Clifford Chance” dhe nga z. Sait Dollapi për CEZ-in. Në rast se nuk e kujtojnë këtë kompani, mund të pyesin ish-Ministrin e Financave, sepse kjo kompani ka qenë kliente e kësaj qeverie edhe për shumë kontrata të tjera me Ministrinë e Financave dhe kjo është një çështje e tyre.
Njëkohësisht dua t’ju informoj se kompania në fjalë ka bërë një sqarim në dijeninë time, që nuk përmendet emri i z. Ilir Meta. Njëkohësisht mund t’ju bëj të ditur se Shqipëria ka pasur shumë ish-Kryeministra, të cilët unë nuk dëshiroj që t’i marr nëpër gojë, sikurse një pjesë e juaja më merr nëpër gojë mua dhe më paragjykon. Dhe kjo është e drejta juaj. Përsëri e respektoj këtë gjë dhe nuk e përjashtoj që dikush apo dhe ndonjë i afërt i tij dhe të ketë përfituar nga çështje të tilla. Por e përjashtoj në mënyrë kategorike që një person i implikuar të jetë ish-Kryeministri, Ilir Meta, dhe këtë ua them me bindje të plotë.
Njëkohësisht dua t’ju them se të gjithë e dinë se kush e ka emëruar ERE-n, kush e kontrollonte ERE-n dhe nëse ka dokumente të cilat provojnë se ministra të asaj kohe apo dhe më pas kanë kërkuar që të favorizohet CEZ-i në dëm të KESH-it. Ju siguroj se përsëri nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë Ilir Meta. Megjithatë ju keni të drejtën tuaj. Por ua përmenda këtë çështjen e kompanisë “Clifford Chance” vetëm për një arsye, meqë i besoni kaq shumë raportit të saj. Nuk është e panjohur për ju dhe për funksionarët tuaj. Është kompani e njohur, ju mund t’i drejtoheni. Në rast se ju besoni vërtetë se ajo ka paraqitur fakte të cilat implikojnë ish-Kryeministrin Ilir Meta nuk ka asnjë arsye pse ju të mos i çoni në Prokurori dhe Prokuroria të nisë një proces shembullor për Ilir Metën për çdo ish-Kryeministër apo ish-ministër, kushdo qoftë ai apo politikan që ka qenë i përfshirë.
Sigal