Kërkesa e opozitës për listat, reagon kreu i KQZ: Pse PAA nuk legjitimohet të paraqesë ankimim në Kolegj

474
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, ka reaguar pas ankimimit të opozitës në Kolegjin Zgjedhor të listave të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 18 qershorit.
Këto lista të shumicës parlamentare janë cilësuar si të paligjshme nga opozita, me argumentin se dita e fundit për dorëzimin e listave në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ishte 28 prilli dhe jo data 29.
Opozita do të përfaqësohet në Kolegjin Zgjedhor nën siglën e Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, si i vetmi subjekt i këtij grupimi i regjistruar në zgjedhje.
Të mërkurën e 10 majit opozita, përmes Partisë Agrare Ambientaliste, ankimoi listat e kandidatëve për deputetë të partive politike të cilat kanë vendosur të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Por kreu i KQZ, Denar Biba sqaron pozicionin e KQZ, duke u shprehur PAA paraqiti kërkesë në këtë institucion për t’u regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit, por në vijim ka paraqitur kërkesë për tu çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët e, as në datën 29 prill 2017.
29 prilli sipas Bibës, ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (KZ), i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009.
REAGIMI I PLOTE
Dëgjova për ankimin e paraqitur nga Partia Agrare Ambjentaliste (PAA) në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, me objekt: “Kundërshtimi i vendimeve të KQZ…”.
Është fakt i njohur botërisht dhe i provuar faktikisht që PAA, ndonëse ka paraqitur kërkesë në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor 2017, në vijim ka paraqitur kërkesë për tu çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët e, as në datën 29 prill 2017, që ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (KZ), i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009.
Automatikisht, PAA nuk mund të konsiderohet si subjekt zgjedhor, për shkak të ligjit dhe, për pasojë, nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në Kolegjin Zgjedhor, pasi ankim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm ata “të cilët paraqesin listë kandidatësh” (nenet 145/1 e 63/1 të KZ).
Në vijim legjislacioni përkatës:
Neni 145
E drejta e ankimit në gjykatë
1. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.
Neni 2 Përkufizime
20. “Subjekte zgjedhore” janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod.
PJESA IV “REGJISTRIMI I SUBJEKTEVE ZGJEDHORE”
Neni 63 Subjektet zgjedhore dhe kandidatët
1. Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.
Sigal