Kërcënohet jeta e Lulzim Bashës, ja plani i destabilizimit

500
Prej disa ditësh, kryetari i Partisë Demokratike ka shtuar masat e sigurisë, ndërsa autoritetet më të larta të shtetit janë informuar për rrezikuan
Mediat e shumta që ndjekin aktivitetet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në çadrën e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej pak ditësh kishin vënë re një shtim të masave të sigurisë. I pranishëm dy herë në ditë në çadër, Basha ka shtuar së fundmi numrin e truprojave, duke lënë të mendohet se ndjehet i rrezikuar. Jo vetëm efektivë të Gardës së Republikës, por edhe truproja private janë parë rreth Lulzim Bashës, i cili në dy ditët e fundit ka kufizuar edhe praninë e tij në çadrën e ndodhur në bulevard. 

Ndërkohë dje, në një shkrim në “opinion.al”, gazetari Blendi Fevziu ka publikuar detaje të reja rreth kërcënimit ndaj Bashës, ndërsa policia nuk e mohoi një fakt të tillë. Lidhur me këtë u pyet dje gjatë një konference për shtyp edhe drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato. “Mund të kemi një deklaratë më vonë për këtë”, tha Qato, teksa doli në një konferencë për operacionin antidrogë në Skrapar. Përgjigja e Qatos la të hapur mundësinë se policia ka informacion rreth lajmit, se ndaj kreut të opozitës shqiptare po organizohej një atentat për eliminim e tij fizik.

Si e tregon ngjarjen Fevziu
“Mbrëmjen e së hënës, një burim i besueshëm i yni, nga një prej vendeve fqinjë, i tha opinion.al se në ditët e fundit, pa e përcaktuar ekzaktësisht kur, shërbime të specializuara të sigurisë ishin informuar, se ndaj kreut të opozitës shqiptare po organizohej një atentat për eliminim e tij fizik. Po sipas të njëjtit burim, atentati synonte destabilizimin e situatës politike në vend dhe me gjasë, ishte organizuar diku jashtë Shqipërie. Për 48 orë ne u interesuam në gjithë burimet tona dhe mësuam në linjë konfidenciale se informacioni kishte mbërritur realisht në Shqipëri, në një rrugë pak të çuditshme dhe të largët. Por ndryshe nga raste të tjera të ngjashme, ai kishte emrat konkretë të personave të kontaktuar për atentatin, madje sqaronte se për të qenë kontaktuar dy grupe të ndryshme, pa pasur dijeni për njëri – tjetrin. Emrat konkretë të personave janë në informacionin zyrtar, i tha opinion.al një burim i rezervuar. Personi më i përfolur dhe më rrezikshëm është një individ me rekorde kriminale, vrasës me pagesë, që jeton jashtë Shqipërie dhe që ka vënë edhe një herë tjetër në gadishmëri policinë shqiptare në vitit 2011 pas një informacioni se donte të godiste një tjetër politikan të rëndësishëm të saj kohe në Tiranë. Informacioni duhet t’i jetë përcjellë strukturave të sigurisë në Shqipëri dhe sipas informacioneve tona, është zyrtarizuar edhe me letërkëmbim midis tyre.

Për të pasur një informacion më të sigurt ne ju drejtuam disa burimeve zyrtare, madje njëri prej tyre, ai i Presidentit të Republikës, sqaroi se një informacion i tillë është në duart e strukturave të sigurisë në vend. Asnjë prej burimeve nuk sqaron më shumë, por pardje, Shefi i SHISH ka pasur një takim urgjent me Presidentin e Republikës dhe më pas, siç mëson Opinion.al ai ka takuar po kaq urgjent Ministrin e Brendshëm Xhafa dhe Kryeministrin Rama.

Pak orë pas takimit Basha është vënë në masa të shtuara sigurie dhe po ashtu nga organet e specializuara po hetohet për të vërtetuar informacionet. I njëjti burim që informoi opinion.al të hënën shtoi, se kjo çështje iu është referuar në një vend jashtë Shqipërisë edhe shërbimeve partnere që po merren mjaft seriozisht me informacionin.

Nuk ka dyshim që çështja është tejet serioze dhe duhet vlerësuar me maksimumin e seriozitetit. Por njëkohësisht, përdorimi politik i saj, pra qoftë edhe i informacionit do ishte tejet i papranueshëm në një çështje të tillë kaq delikate. Nuk dihet se kush qëndron pas një plani të tillë dhe nëse ai ishte në fazë ekzekutimi apo thjeshtë ideje, por dihet që interes për këtë mund të ketë çdo vend apo shërbim që i intereson destabilizimi i vendit në një moment delikat”.
Basha u kërcënua edhe nga Shullazi
Nuk është hera e parë që Lulzim Basha bëhet objekt i kërcënimeve. Policia hetoi rreth 2 vjet më parë për një kërcënim të Emiljano Shullazit ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Edhe atëherë masat e sigurisë për Bashën u shtuan. Ndërkohë dje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij të përbërë nga Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja si dhe Endrit Zela. Kështu dosja do të dorëzohet brenda pak ditësh në gjykatë. Avokatët e tyre janë thirrur dje në Prokurori për t’u njohur me mbylljen e hetimit dhe për të marrë materialet që u takojnë ligjërisht në lidhje me procesin. Ata akuzohen për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë ndaj disa biznesmenëve në Tiranë dhe në Durrës, si dhe për kanosje në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Sigal