Këngëtarja, Arjola Xhikollari: “Vetëm origjinaliteti e bën një artist të suksesshëm”

763
Sigal

E nisi karrierën e saj muzikore që herët, por vetëm pjesëmarrja në “The voice of Albania” e bëri atë të njohur për publikun e gjerë. Zëri i saj i rrallë dhe dëshira për të arritur më të mirën e çuan deri në çerek finale të këtij formati televizivë, por rruga e saj vazhdoi edhe më tej, duke u rritur profesionalisht e pa dyshim duke u bërë një këngëtare që di të zotëroj skenën. Ajo është Arjola Xhikollari, 21-vjeçarja nga Elbasani, që përveç muzikës ka qejf kërcimin, librat dhe botën e fëmijëve.

Arjola angazhimet e tua në fushën e muzikës kanë qenë të shumta, por si ka lindur dëshira për të kënduar?

Dëshira për të kënduar është rritur bashkë me mua. Nuk mbaj mend të ketë pasur një moment, në të cilin të më ketë munguar kënga.

Ju keni marrë pjesë në “The voice of Albania” na tregoni pak për këtë eksperiencë?

E kam thënë e nuk do të lodhem së përsërituri që “VOA” për mua ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura, e parë kjo në shumë këndvështrime. Një periudhë në të cilën kam përfituar shumë profesionalisht duke punuar me profesionistë të vërtetë dhe kam pasur fatin të njoh dhe miq të mrekullueshëm me të cilët ruaj marrëdhënie shumë të mira. I gjithë produksioni dhe të gjithë personazhet në “voice” kanë zënë vend të rëndësishëm në puzzle –in e jetës sime. Por në mënyrë të veçantë falënderoj Alma Bektashin dhe Landi Kademi për punën dhe humanizmin e tyre.

Ju arritët deri në çerek finale, jeni e kënaqur me rezultatin?

Në vendimet që marr nuk nisem kurrë me qëllime të mëdha. Sadisfaksioni që merr është edhe më i madh kur je me këmbë në tokë, ashtu ka ndodhur edhe me rrugëtimin tim në “voice”, ishte një nevojë shpirtërore që nisi si e tillë dhe vetëm u zbukurua në vazhdim, unë kam dhënë e kam marrë emocione pa fund. “The voice of Albania 2” ka mbledhur këngëtarë fantastik dhe jam e lumtur që kam qenë pjesë e atij edicioni në fazën e parë, të dytë apo çerek finale qoftë…

Me çfarë po merret Arjola momentalisht?

Ka disa projekte, në të cilat jam përfshirë së fundmi dhe i kam shumë përzemër, përmend këtu pjesëmarrjen në një “musical” me regji të Antoneta Doka, me artistët e rinj elbasanas dhe unë kam privilegjin të jem në rolin kryesor, ndërkohë po punojmë për të arritur një performancë dinjitoze!

Keni plane për të marrë pjesë në ndonjë festival?

Dëshira e mirë nuk mungon, momentalisht jam duke punuar për një këngë, e cila do të ketë komponentët e duhur për të me plotësuar dhe t’i jap emocion që ajo të marrë jetë.

Sipas mendimit tuaj çfarë e bën një artist të suksesshëm?

Idealet e mija apo koncepti që kam mbi të qenit një artist i suksesshëm bien ndesh me çfarë momentalisht në muzikë po cilësohet si e tillë. Por me siguri JO pornografia që po na serviret me tepri së fundmi nga “divat” në arenën ndërkombëtare, ku po kopjohet shëmtuar edhe nga vendet e vogla e po gjen treg kudo. Unë vazhdoj të jem fanatike e origjinalitetit dhe e shpirtit të pastër të artistit, pasi këtu nuk ka vend për kompromis edhe kur shumica është kundër dhe asnjëherë nuk ka trofe.

Si është një ditë e zakonshme për Arjolën?

Optimizmi dhe energjia më shoqëron gjatë gjithë ditës, e cila nis me emisionin e mëngjesit në radio, më pas Teatri i Kukullave me fëmijët me çon në një tjetër dimension, pasdite ndjek kursin e kërcimit dhe një pjesë të mirë të kohës ia dedikoj vetes me libra, filma dhe udhëtime.