Kemi një shtet që nuk i njeh dhe nuk i çmon vlerat

62

EKSKLUZIVE/ Flet Prof. Servet Pëllumbi: Mesazhet e zonjës Klinton dhe 100-vjetori i Pavarësisë

Në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij për “Telegraf”, Prof. Servet Pëllumbi flet vetëm për politikën aktuale. Ishte e krejt e natyrshme që ai të ndalej tek vizita e Sekretares amerikane të Shtetit dhe tek mesazhet që ajo përcolli për politikën shqiptare. Për më tepër që sot në Shtetet e Bashkuara mbahen zgjedhjet Presidenciale dhe kjo është një përkitje e bukur… Duke theksuar nevojën për më shumë dashuri dhe përkushtim nga politikanët për këtë vend, në përgjigjet e Profesorit vërehet edhe një dozë ironie, ndërsa përmend pamfletin e Mitrush Kutelit “Jam patriot”.  Ka një ngjashmëri fatale midis prototipit të përshkruar nga Kuteli dhe sahanlëpirësve të sotëm të politikës. Sidoqoftë, Prof. Pëllumbi tregohet edhe optimist se të paktën tani, më në fund, klasa jonë politike ka shansit të tregohet sadopak e përgjegjshme… Për të ilustruar optimizmin e tij ai përmend fjalët e Ismail Qemalit: “Shqiptarët entuziazmi kurrë nuk i nxjerr jashtë karakterit të tyre të natyrshëm”. Mbase kaq mjafton.

(Vijon nga numri i kaluar)

– Profesor, më 1 nëntor në Tiranë ishte Sekretarja amerikane e Shtetit. Si ju dukën mesazhet e zonjës Klinton drejtuar politikës shqiptare?

– Ishte një fjalim model, plot mesazhe realiste e të frymëzuara, e mbi të gjitha dashamirëse, të thëna me ndjeshmëri impresionuese nga “një mike dhe admiruese e Shqipërisë”, njëherësh dhe nga një zyrtare e  lartë e SHBA-ve . Kjo i jepte të drejtën t’u drejtohej qytetarëve shqiptarë në mënyrë konfidenciale: ju lutem bëni zgjedhje të lira; kërkoni sundimin e ligjit; luftoni korrupsionin, se është një kancer që gërryen shoqërinë; nxitini të gjithë udhëheqësit shqiptarë për të punuar së bashku; lini mënjanë politikën personale dhe politikën partiake për të mirën e vendit… Të gjitha mesazhe jo të panjohura, por të thëna në një mënyrë aq të qartë e depërtuese  në “mendje dhe në zemër”.

Gjithsesi, do të doja ta veçoja mesazhin, që përshkonte fjalimin e zonjës Hillari Klinton prej fillimi deri në fund: Amerika e do Shqipërinë, por ju, o shqiptarë, duajeni më shumë vendin tuaj, bukuritë e vlerat e tij të shumta, historike dhe aktuale, mendoni më shumë për të ardhmen dhe për brezat që do të vijnë! Bëjuni patriotë të vërtetë  të vendit tuaj, “ashtu si ne amerikanët”! Mesazh që të fut në mendime, kur shohim sesa shumë kohë humbasim e sa shumë njerëz vazhdojnë të argëtohen në “detin”e thashethemeve para filxhanit të kafesë në vend që të përqendroheshin në debatet mbi idetë, që lartësojnë kulturën, moralin dhe dinjitetin tonë si komb. Më tej. Sa pak vazhdojmë të kujdesemi për këtë Shqipëri të vogël, por që laget nga dy dete dhe përshkohet lindje perëndim nga gjashtë lumenj, kur marrim vesh se me sa shpejtësi po shkatërrohen pyje e liqene të tillë si perlat e Lurës, si po gërryhen shtretërit e lumenjve dhe erozioni po bën kërdinë duke e çuar tokën në det, aq sa deformohen dhe brigjet e detit.

Me sa duket, mbetet që të thërresim në ndihmë panteizmin e poetit tonë të madh Naim Frashërit, që natyrën e bukuritë e saj t’i njësojmë me Zotin; që gjuhën tonë ta cilësojmë ashtu si Naimi: “sa e ëmbël, sa e mirë sa e dlirë”… e të mos përpiqemi të zhbëjmë atë që u arrit 40 vjet më parë në Kongresin e Drejtshkrimit; që dashurinë për atdheun, për Shqipërinë ta lartësojmë në nivelin e një “feje”, apo filozofie të besimi kombëtar, duke thënë si Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”! Ose me që jemi te mesazhet amerikane: le t’i referohemi fjalimit “Vve need the change”, mbajtur nga Barak Obama në Boston në vitin 2004. “Amerika, tha ai, nuk është e ndarë në një Amerikë liberale dhe konservatore, ekzistojnë vetëm SHBA-të. Nuk ka një Amerikë të bardhë dhe Amerikë me ngjyrë, Amerikë të latinëve, të aziatikëve, ekzistojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Edhe ne, le të kemi një Shqipëri, të cilën duhet ta modernizojmë e ta integrojmë në Europë të gjithë bashkë, pa e ndarë në “parcela partiake”! Të vijmë edhe një herë te marrëdhëniet njerëzore. Deformime shpirtërore të papara e krime të padëgjuara që po shpërfytyrojnë njeriun; qëndrime të papërgjegjshme ndaj vlerave kulturore kombëtare. Realisht ne sot kemi një shtet që nuk i di, nuk i njeh dhe nuk i çmon vlerat e veta historike dhe kulturore. “Kemi një shtet pa inventar” (A.Onuzi). Objekte të trashëgimisë kulturore pa mbrojtjen më minimale ligjore. Tipik rasti i Korçës, i vjedhjes së pikturave dhe objekteve të tjera arkeologjike e etnografike. Trafikim ikonash, monedhash të vjetra dhe objektesh të tjera arkeologjike, ose dëmtime pa kthim të tyre. Gërmime për të zhbërë etnogjenezën e shqiptarëve dhe arritjet e arkeologjisë shqiptare në vite. Deri dhe ndërhyrje shoviniste të fqinjëve për të zhbërë identitetin tonë kombëtar. Shembja e Shtëpisë së Flamurit në Korçë. Madje dhe për të rrëmbyer qindra kilometra katrore sipërfaqe detare me marrëveshje klienteliste në dëm të interesave kombëtare.

Në një sfond të tillë, mbase, do të tingëllonte aktuale ironia therëse e Mitrush Kutelit në pamfletin: “Jam patriot”, me të cilin ai denoncon patriotizmin e rremë, shitjen e vendit të huajve dhe pasivitetin e “miletit pa brekë”. Ja ç’shkruante ai: “Rroftë Shqipëria! Rroftë atdheu kombëtar shqiptar! Rroftë flamuri nacional shqiptar, kombëtar, kuq e zi me shkabën e madhe madhështore, trimërore, dykrenore, shqiptare të Lekës, Pirros, edhe e Skënderit, që e ngriti Ismail Qemali! Rroftë! Rroftë! Rroftë!!! Dhe vazhdon: “Më pyet në kam qenë fashist e në mora para nga Italia? Dhe përgjigjet: “Isha edhe mora. Po këto i bëra si patriot e fisnik, se i gënjeva italianët …!

– Besoni vërtetë Profesor, se këtë radhë klasa jonë politike do të tregohet e përgjegjshme dhe do t’i dëgjojë këto mesazhe?

– Në sallën e kuvendit u duartrokit gjatë fjalimi i shkëlqyer i Hillari Klintonit, që diti të përfaqësojë edhe bashkëshortin e saj, ish-Presidentin Bill Klinton, mikun e shquar të shqiptarëve, të cilit i lartësohet në mënyrë dinjitoze shtatorja në një nga sheshet kryesore të Prishtinës. Megjithatë, nuk duhet harruar deduksioni i kujtimeve të  plakut të mençëm që ngriti flamurin në Vlorë: “Shqiptarët entuziazmi kurrë nuk i nxjerr jashtë karakterit të tyre të natyrshëm”. Ky është individualiteti që duhet të zhvillojmë, pa e përdorur kundër vetvetes …!

-Ju faleminderit!