Kejdi Mehmetaj/ Qytetarët nuk tremben, protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Ramës. Asnjë hap pas!

403
Sigal

Nënkryetarja e LSI, Kejdi Mehmetaj përmes një postimi në Facebook shprehet se opozita ka  ka dënuar vazhdimisht çdo akt dhune ushtruar ndaj saj në tejkalim të kompetencave të Policisë së Shtetit siç ishte dhe rasti i Sait Dollapit. Mehmetaj thekson se 1ytetarët nuk tremben dhe protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Ramës.

Nga Kejdi Mehmetaj

Opozita ka dënuar vazhdimisht çdo akt dhune ushtruar ndaj saj në tejkalim të kompetencave të Policisë së Shtetit siç ishte dhe rasti i Sait Dollapit. Dhuna nuk ka qenë dhe nuk është alternativë e opozitës që sot ndodhet pa asnjë imunitet përballë një regjimi qe ka në zotërim çdo pushtet, prokurori, gjykata dhe polici. Tashmë, opozita dhe drejtuesit e saj janë qytetarë të thjeshtë që nuk kanë asnjë mbrojtje dhe sulmohen ditën me diell, arrestohen dhe burgosen nga prokuroria e Edi Rames, gjykatat e Edi Ramës dhe sulmohen egërsisht nga propaganda e Edi Rames.

Qytetarët e revoltuar me të drejtë, kanë zgjedhur forma të ndryshme të reagimit, disa ndoshta edhe më agresive si përgjigje ndaj provokimeve të vazhdueshme që kanë ardhur nga qeveria dhe provokatorët që janë përfshirë në protestë.

Në mënyrë të vazhdueshme ne kemi kërkuar të largohen provokatorët dhe Policia e Shtetit të mos nxisë revoltë me gaz helmues e veprime të paligjshme.

Qytetarët që marrin pjesë në protesta janë me mijëra, si asnjëherë më parë në këto vite demokraci në Shqipëri dhe askush nuk duhet të guxojë të cënojë të drejtën e tyre për të protestuar si pasojë e disa incidenteve të izoluara.

Që të ketë vend për dialog, ashtu si përfaqësuesit e ambasadave kanë kërkuar sot, duhet të largohet burimi i konfliktit dhe dhunës, duhet të largohet Edi Rama.

Qytetarët nuk tremben. Protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Ramës. Asnjë hap pas!