Kejdi Mehmetaj: Qeveri e padijes dhe e dështimit në arsim

789
Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj akuzoi sot qeverinë si autoren e problemeve kryesore në arsim. Duke komentuar vonesat e pagave për pedagogët, Mejmetaj shprehet se “universitetet janë në kolaps total dhe mosdhënia e pagave është vetëm njëri nga problemet të krijuara prej papërgjegjshmërisë së qeverisë”.
Deklarata e deputetes së LSI, Kejdi Mehmetaj:
Gjithçka po ndodh në tërësi me sistemin arsimor dhe në veçanti në universitetet publike, konfirmon edhe një herë se qeveria e padijes është edhe qeveri e dështimit të arsimit kombëtar! Universitetet janë në kolaps total dhe mosdhënia e pagave është vetëm njëri nga problemet të krijuara prej papërgjegjshmërisë së qeverisë.
Ministria e arsimit tani u kujtua se duhet të bëjë aktet nënligjore që sigurojnë zbatimin e ligjit për arsimin e lartë. Në shkelje flagrante të ligjit Ministrja si pa të keq pranon se aktet nënligjore ende nuk janë përgatitur, duke thën me gojën e saj se reforma ka dështuar dhe përveçse nuk solli asgjë të re për universitetet, u la atyre në prehër konfliktin mbi kompetencat që vazhdon ta nxisë me akte nënligjore të hartuara në kundërshtim me frymën e ligjit (udhëzimi nr.27). E gjithë kjo situatë padyshim që në fund ndikon te studentët, të cilëve nuk u ofrohen as standarte dhe as cilësi.
Si për të mos mjaftuar kaosi që kanë krijuar në të gjithë sistemin arsimor qoftë në atë universitar por edhe parauniversitar, sot në Tiranë në shkollën Osman Myderizi, tavanet janë shembur duke rrezikuar seriozisht shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Habia më e madhe është se kjo shkollë është rikonstruktuar në vitin 2016 dhe madje nuk ka munguar gjatë punimeve show qeveritar dhe kryebashkiak për të prerë shirita e përqafuar fëmijë. Po sot kush mban përgjegjësi për sigurinë e jetës së nxënësve të asaj shkolle?!
Fare e thjeshtë: qeveria ka konflikt të madh me dijen dhe me sa po kuptojmë është e gatshme që për pushtetin e vet dhe të klientëve të pushtetit të bëjë çdo gjë; të shkatërrojë edhe të ardhmen e vendit duke rrënuar arsimin, për të vrarë shpresën e të rinjve tek atdheu i tyre!
Sigal