Sigal

Nga Kejdi Mehmetaj:

U bën disa ditë që në media qarkullojnë lajme mbi Institucionin e Prokurorisë; frikës, paligjshmërisë e sherreve që zhvillohen brenda saj.

Nuk di njëriu për çfarë të habitet më parë!?

Për prokurorinë e cila është në pamundësi për të kryer detyrën, apo që askush nuk denjon të japë shpjegime serioze mbi situatën. Apo nga ana tjetër për Kryeministrin, që i pyetur nga gazetarët mbi situatën, nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie të shpejgojë apo marrë masa.

Doemos!
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohëshme që po krijon kaosin është zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën, me bekimin e Edi Ramës, nga votat e mazhorancës.
Kjo prokurore do te rrinte në detyrë vetëm për 2 apo 3 muaj, ndërkohë që po përfundon muaji i 9 dhe nuk duket ndonjë shenjë se do të zgjidhet ndonjë Prokuror i ri ashtu si e kërkon ligji.
Kjo do të kapte “peshqit e mëdhenj”, ndërkohë që çau rrjetën edhe për ata peshq që kishin filluar tashmë të hetoheshin.
Kjo do të ishte e pa anëshme, por ndërkohë nuk është hapur asnjë hetim mbi ministra, deputetë apo drejtorë të lartë të denoncuar për lidhje me krimin apo për akte korruptive.
Kjo prokurore nuk do të ushtronte asnjë prej kompetencave të një Prokurori të Përgjithshëm, por ja që ka pezulluar nga puna, ka bërë lëvizje paralele, ka penguar hetime duke thyer çdo ligj dhe akoma më keq Kushtetutën.
E më i hidhur se çdo gjë është perceptimi që po krijohet mbi frikën e prokurorëve për të hetuar çështje të vështira ku janë të përfshirë kriminelë apo qeveritarë.

Të gjitha këto duket se nuk mjaftojnë për Prokuroren e Kryeministrit, shërbimin duhet tja bëjë deri në fund atyre që e zgjodhën, duke penguar me çdo kusht edhe hetimin e çështjes “Tahiri”.

Kush mban përgjegjësi tani për veprimet e mosveprimet e Arta Markut?
Kush gjykon mbi letrën e hapur që kanë shpërndarë sot 10 prokurorët e persekutuar?
Kush do të përgjigjet nesër kur kriminelët të dalin të lirë e çështje si ajo e Tahirit të mbyllen?

Ku humbën ndërkombëtarët?
Po “Reforma në Drejtësi”?

Një shtet që ka humbur aftësinë të mbrojë prokurorët e tij, është shtet i rënë.

Menjëherë duhet zgjidhur kjo zallamahi e pa kuptimtë. Menjëherë duhet të kthehemi te Kushtetuta, ajo që u miratua me konsensus në Korrik të 2016. Menjëherë të mbrojmë institucionet dhe tu japim dinjitet e autoritet njerëzve të drejtësisë.

Të mos humbim më asnjë çast, ti japim fund “diktaturës Rama” dhe të kthejmë normalitetin në vend!