Kejdi Mehmetaj, ish-deputete/ Qeveritarët janë modele të dhunës e korrupsionit. Drejtësia do shohë ditë të bardha kur të kthehet konsensusi i 2016-s

409
Sigal

Shqipëria do fillojë të shohë ditë të bardha në drejtësi kur procesi të kthehet në shinat e konsensusit që u arrit në 2016

Qeveritarët tanë janë modele të dhunës dhe korrupsionit

 

Jakup B. GJOÇA

 

Kejdi Mehmetaj, ish deputete në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se të rinjtë nuk kanë perspektivë në Shqipëri, edhe nëse diplomohen, universitetet tona janë degraduar, drejtësia është e kapur nga kryeministri Rama, SPAK nuk do të jetë funksional sa kohë që është Edi Rama kryeministër, sepse qeveritarët tanë janë modele të dhunës dhe korrupsionit. Prandaj, pohon zonjusha Mehmetaj për “Telegraf” opozita proteston për të rivendosur rendin ligjor dhe politik në Shqipëri

 

Zonjusha Mehmetaj, përse një i ri dhe e re duhet të protestojë?

– Të rinjtë janë të zhgënjyer e kanë humbur shpresën për të ardhmen. Shkollat që ndjekin janë të shkatërruara, qoftë në anën infrastrukturore, por edhe atë akademike. Librat e shtrenjtë e të përkthyer keq, mësuesit të pa trajnuar. Problemet me universitetin u bënë qartë të dukshme nga vetë studentët. Mundësitë e punësimit janë fare të pakta dhe pothuaj inekzistente është mbështetja që i jep shteti iniciativave rinore. Kostot e jetesës janë shumë të larta, ndërkohë që pagat e prindërve as nuk nuk janë indeksuar me kalimin e viteve, e jo më të rriten. Aktiviteti ekstra-kurrikular vazhdon të mbetet ëndërr për të rinjtë, po ashtu trajnimet dhe nxitja e talenteve në arte e sport. Arsyeja kryesore përse ata protestojnë është pikërisht kthimi i shpresës.

A keni ju një koment për të rinjtë që largohen nga vendi, ngaqë nuk kanë shpresë në Shqipëri?

– Largimet më të dhimbshme janë padyshim ato të të rinjve ekselentë dhe profesionistëve të rinj. Një pjesë e mirë e të rinjve largohen për të zhvilluar studimet jashtë, pasi sistemi arsimor është tërësisht i degraduar. Universitetet nuk krijojnë as kushtet minimale të studimit me laboratorë e biblioteka. Kërkimi shkencor nuk nxitet dhe as subvencionohet. Në fakt problemi qëndron pa nisur ende universiteti, gjimnazistët përfundojnë duke ndjekur degë të cilat nuk i dëshirojnë, por si rrjedhojë e sistemit (bingo) që qeveria ka krijuar për ta. Tekstet në shumicën e rasteve janë përkthime të dobëta, ose më keq, nuk ekzistojnë. Të rinjtë e kanë kuptuar se të marrësh një diplomë sot në Shqipëri nuk të siguron se do jesh konkurrues në tregun e punës, përkundrazi, mundi i shumë viteve studime përfundon në call center-a, ose në pozicione shërbimi.

Derisa fëmijët e pushtetarëve për arsyet që përmendët nuk studiojnë në Universitetet tona publike, a është edhe kjo një shpjegim pse fondet e Buxhetit të Shtetit për Arsimin janë më të ulëtat në Rajon?

– Unë besoj se shkatërrimi i arsimit është bërë me dashje nga qeveria, pasi një popull i paedukuar është lehtësisht i nënshtrueshëm. Evidencat për dëmin e kryer me dashje gjenden fare lehtë në të gjithë aktet antikushtetuese që qeveria ka ndërmarrë, duke filluar nga portali i famshëm “Mësues për Shqipërinë”, që i ktheu mësuesit në ushtarë të Rilindjes dhe deri tek cenimi i autonomisë së universiteteve.

– Pse sot të rinjtë kanë më pak besim tek politika, se mund të ndryshojë gjërat për të mirë, duke thënë: Të gjithë politikanët, nga maxhoranca dhe nga opozita njësoj janë?

– Sistemi politik në Shqipëri është kalbur dhe ne nuk duhet të kemi frikë ta pranojmë këtë fakt. Politikanët që do duhej të ishin model i komunikimit dhe intelektualizmit, janë në fakt modele të dhunës dhe korrupsionit. Niveli i përfaqësuesve të popullit ka ardhur në ulje, kjo si rrjedhojë e deformimit dhe denatyrimit të votës së shqiptarëve. Rastet e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive që kanë rezultuar të dënuar për krime të rënda deri tek vrasja e përdhunimi dhe rastet e ministrave të përfshirë drejtpërdrejtë në trafikun e lëndëve narkotike dhe skema korruptive, padyshim që do nxisnin tek të rinjtë dëshirën për të qenë larg politikës e për të qenë kundër politikanëve. Për sa kohë parlamenti nuk ka ofruar zgjidhje për qytetarët po konfliktin e nxitur nga KM dhe Gramoz Ruçi, të rinjtë nuk kanë pasur mundësi të dëgjojnë diskutimet dhe propozimet e opozitës dhe të politikanëve të përgjegjshëm, në mënyrë që të bënin edhe diferencën. Zhgënjimi i të rinjve nga politika, është shtysa jonë kryesore për të luftuar më fort për ndryshimin dhe përmirësimin rrënjësor të sistemit politik. Ne mendojmë se nëpërmjet një procesi të lirë e të ndershëm zgjedhor, qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin ata përfaqësues që vërtet do u shërbejnë e do marrin vendimet më të mira. LSI-ja në vite ka përfshirë shumë të rinj në listat përfaqësuese qoftë për parlamentin, por edhe për këshillat bashkiak, duke i ofruar politikës një model të ri dhe të mirë të politikëbërjes.

Sa shpresë mund të ngjallë SPAK-u, se do të luftojë korrupsionin në Shqipëri?

-Reforma në drejtësi u mbështet shumë me shpresën se Shqipëria më në fund do të niste rrugën e sigurt për ndërtimin e shtetit të së drejtës, institucionet e reja që do të ngriheshin nga reforma, do të sillnin drejtësi dhe gjykim të pastër ndaj çdokujt që abuzon apo shkel ligjin, përfshi këtu edhe zyrtarët e lartë. Kryeministri ja doli të ndërhyjë në të gjithë proceset e reformës. Standardet e dyfishta janë përdorur gjatë procesit të vettingut. Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme ishte antikushtetuese. Institucionet e reja të drejtësisë përveçse janë ngritur në shkelje të ligjit, nuk janë as funksionale dhe ndër të tjera vendi prej dy vitesh nuk ka Gjykate Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk merr me vendime. Të gjitha këto flasin për një proces të minuar dhe të kapur. Manipulimi që Rama bën nëpërmjet Policisë së Shtetit dhe prokurorisë që e ka në dorë, më bën shpresëpakët se edhe SPAK do të ngrihet apo do të jetë funksional sa kohë Rama është KM. Shqipëria do fillojë të shohë ditë të bardha në drejtësi kur procesi të kthehet në shinat e konsensusit që u arrit ne 2016. Për sa kohë vendi qeveriset nga një bandë e vërtetuar se ka lidhje të forta me krimin dhe që është tërësisht e korruptuar, drejtësia do vazhdojë të jetë në dorën e një grushti njerëzi që e përdorin atë për të shpëtuar veten dhe për të kërcënuar shqiptarët.

Nëse Opozita pengon me çfarëdo aksion zhvillimin e zgjedhjeve vendore, siç ka deklaruar, a mund të shkaktojë destabilizim të rendit në Shqipëri?

– Nëse shohim raportet e vendeve partnere me Shqipërinë, kupton se rendi në vend është i destabilizuar. Raporti i fundit i DASH thotë qartë se Shqipëria shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë jo vetëm në rajon, por edhe në Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut. Në raport thuhet se qeveria është thellësisht e korruptuar, institucionet e drejtësisë dhe të qeverisë janë shumë të dobëta dhe të gjithë këto nxisin një mjedis ku trafikantët janë të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit e ka mendjen vetëm të shërbejë si bodigarde e KM, duke helmuar shqiptarët me gaz. Këto të gjitha flasin në fakt se rendi në vend është i destabilizuar dhe se ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.