KE jep sot rekomandimin, nuk mungojnë kushtet. Ja pritshmëritë për vetingun dhe goditjen e krimit

KE hap negociatat, nuk mungojnë kushtet

Komisioni Evropian do të publikojë sot rekomandimin, por lajmi i mirë për Shqipërinë do të shoqërohet me kërkesa dhe pritshmëri

Komisioni Evropian pritet të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por do të kushtëzojë ecurinë e këtyre negociatave me mbarëvajtjen e mëtejshme të reformës në drejtësi, sidomos procesit të vettingut. Në raportin prej 37 faqesh, thuhet se është bërë përparim në pesë prioritetet kyçe. “Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit. Në raport vlerësohet ecuria në reformën në drejtësi dhe aty reflektohen të gjitha zhvillimet kryesore, që nga nisja e procesit të vettingut. Komisioni përmend dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të profilit të lartë, mes të cilëve ishte edhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas Komisionit, reforma në administratën publike për rritjen e profesionalizimit, efikasitetit dhe sidomos depolitizimit të saj ka ecur me hapa të kënaqshëm. Duke u ndalur tek korrupsioni dhe krimi i organizuar, përfshirë këtu edhe kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, Komisioni vëren se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje, por thotë se duhet më shumë punë për çmontimin e grupeve kriminale, ndëshkimin e krerëve të këtyre grupeve dhe pastrimin e parave. “Përgjithësisht ka pasur një progres gjatë kësaj periudhe, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit (2017). Shqipëria duhet të përshkallëzojë punën në konfiskimin e pasurive kriminale dhe të vazhdojë me sekuestrimin dhe shkatërrimin e të gjithë hashashit të mbetur stok në vend. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë ka vend për përmirësim dhe ka pasur pak progres në çmontimin e grupeve kriminale, numri i të dënuarve si koka të grupeve kriminale vazhdon të jetë shumë i ulët. Më shumë përpjekje nevojiten në luftën kundër pastrimit të parave, për goditjen e aseteve kriminale dhe të pasurive të pajustifikuara”, thuhet më tej në raport. Edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit, Komisioni njeh pak përparësi. “Progres domethënës u krye me amendimet e Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir organizmash antikorrupsion, përfshirë edhe një prokuror të posaçëm pritet të ngrihen. Numri i të dënuarve mes zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm u rrit në krahasim me periudhat e mëparshme. Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, vëren KE. Me nota qortuese vlerësohet edhe kriteri politik. “Polarizimi i vazhdueshëm i skenës politike në 2017 preku edhe punën e Parlamentit. Opozita bojkotoi Kuvendin, gjë që shkaktoi edhe zvarritjen e ngritjes së institucioneve të Vettingut”, thotë ndër të tjera raporti.