KE-ja rekomandonë për Shqipërinë dhënien e statusit kandidat

422
Sigal

Sot progres-raporti për Shqipërinë, Fyle: Në BE shtetet që përmbushin parimet

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë Stefan Fule do të paraqesë sot në Bruksel, Strategjinë e re të Zgjerimit dhe Raportin Vjetor për vendet që janë në procesin e pranimit. Pas miratimit nga Komisioni Evropian, ai do të flasë para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. Një ditë para paraqitjes së progres raportit komisioneri ka bërë një mesazh pozitiv për gjithë vendet që aspirojnë t’i bashkohen BE-së. “Më lejoni të flas fare shkurt mbi raportin e progresit që do të miratojë Komisioni këtë vit. Këtë vit raporti do të përqendrohet në 4 pika:  E para, do të jetë mbi faktin që Kroacia bëhet shteti anëtar i njëzetetetë; do të jetë mbi pushtetin transformues të zgjerimit, jo më kot e kemi marrë Çmimin “Nobel për Paqen”.  E dyta, do të jetë mbi faktin se zgjerimi vazhdon pavarësisht krizës financiare, por vazhdon jo pse është me autopilot, por sepse është një politikë e besueshme, një politikë që shoqëron një politikë tjetër të rëndësishme të Bashkimit Evropian,thellimin e integrimit” thekson Fyle. E ndërsa zgjerimi i BE-së do të vazhdojë, paçka problemeve ekonomike në Eurozonë, Brukseli mbetet strikt në kushtet që duhet të përmbushin vendet që aderojnë të bëhen pjesë e familjes europiane, si vendosja e shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, por edhe çështjet ekonomike dhe konkurrenca.   “Pika e tretë: Këtë vit raporti i progresit do të ketë një moto të re: Në fillim parimet. Cilat janë parimet? Shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit, por edhe çështjet ekonomike dhe konkurrenca; ne duam që vendet kandidate që do t’i bashkohen BE-së të jenë gati edhe në terma ekonomike.  Dhe pika e fundit, që do të jetë një pikë që është nënvizuar edhe vitin e kaluar, është që Komisioni Evropian mbetet miku dhe mbështetësi më i mirë i vendeve kandidate dhe aspiruese në udhën e tyre shumë të rëndësishme për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian” përfundon mesazhi i Komisionerit për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë Štefan Füle.

Detaje mbi progres-raportin për Shqipërinë

 Burime të Komisionit Europian bëjnë të ditur se një nga fushat e prekura më në detaje në progres-raport është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni gjykon se nevojiten përpjekje të mëtejshme nga Shqipëria në luftë kundër këtyre fenomeneve, edhe pse shihet si një hap pozitiv rritja e numrit të çështjeve gjyqësore me bazë korrupsionin. Burimet thonë se pavarësisht klimës se polarizuar që shoqëroi zgjedhjet në Shqipëri, në progres-raport vlerësohet pozitivisht procesi i 23 Qershorit, që solli më pas edhe rotacionin e pushtetit. Progres-raporti vlerëson me nota pozitive bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës në parlament, kryesisht për votimin me sukses të 3 ligjeve, të vendosura si kusht nga BE-ja për marrjen e statusit. Gjithashtu mësohet se vendimi i qeverisë  për të nxjerrë një akt normativ që shtyn hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil do të gjejë vend në raport. Po kështu Komisioni Europian vlerëson bashkëpunimin për ndryshimet në Kodin Penal apo ndërhyrjet në ligjet antidiskriminim. Në kapitullin për ekonominë, progres-raporti nënvizon se Shqipëria ka pasur një stabilitet makro-ekonomik, por duhet të angazhohet për ta ruajtur atë. Komisioni Europian kërkon vazhdimin e reformës strukturore dhe adresimin e sfidave kryesore në këtë fushë. Fuqizimi i kapaciteteve administrative është një tjetër sfidë që përmendet në progres-raportin për Shqipërinë.