Kavajë, Meta: Do të mbështesim biznesin për të rritur numrin e të punësuarve

463
Sigal

Kryetari i LSI-së, z.Ilir Meta ka deklaruar se biznesi ka nevojë për një ndihmë më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë pasi në këtë mënyrë do të rritej numri i të punësuarve. Gjatë një vizite në një fabrikë prodhimi mobiliesh në qytetin e Kavajës, z.Meta u shpreh se, është e rëndësishme të ketë sa më shumë sipërmarrje të tilla për të shtuar prodhimin vendas dhe për të eksportuar, ndërkohë që e vuri theksin te mbështetja për formimin profesional të punonjësve. “Është kënaqësi që shohim një sipërmarrje të suksesshme e rritur me mund dhe me sakrifica, e cila ka nevojë për më shumë mbështetje. Aktivitete të tilla kërkojnë një ndihmë më të madhe dhe nga ana e shtetit dhe qeverisë, sidomos në drejtim të formimit profesional të punonjësve, pra zanatçinjve, tha z. Meta. Sepse këto janë profesione të veçanta dhe delikate, por është e rëndësishme të kemi sa më shumë njësi të tilla, sa më shumë sipërmarrje të tilla në mënyrë që të rrisim numrin e të punësuarve, por njëkohësisht edhe të rrisim mundësitë për të shtuar prodhimin vendas për të plotësuar nevojat e tregut tonë, por edhe për të eksportuar”, theksoi Lideri i LSI-së. Gjithashtu, z.Meta u ndal te domosdoshmëria për krijimin e parqeve industriale dhe zonave ekonomike, duke krijuar lehtësira infrastrukturore për investitorët e huaj. Ai kërkoi që aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet në mënyrë që t’i jepet një nxitje të madhe prodhimit vendas. “Mendoj se, ky rast, është një rast suksesi që kërkon mbështetje dhe promovim për t’u zgjeruar dhe njëkohësisht për t’u ndjekur nga shumë biznese dhe biznesmenë të tjerë”, vijoi z.Meta.