Kavajë, garë e fortë për bashkinë, gafa në votim

529
Luftohet për çdo votë për të përcaktuar kreun e ardhshëm të bashkisë. Si u ngatërruan votuesit me nr 3 dhe 6
Krahas zgjedhjeve të përgjithshme, më 25 qershor në Kavajë u votua edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale, ku në 84 kuti përcaktohej fati për kryetarin e bashkisë. Tensioni ka detyruar ministrin e Brendshëm, Dritan Demiraj, që të “zbarkojë” në qytet. Mësohet se ministri ka kërkuar qetësim të situatës, ku edhe ka komunikuar me shefin e komisariatit të Kavajës.

Pas përfundimit të numërimit për deputet, në Kavajë ka nisur numërimi i votave për kryetar bashkie. Nga 57 kuti të numëruara deri në mesnatë, kandidati i Partisë Socialiste, Dorian Murati ka 7425 vota, ndërsa ai i PD-së, Isa Sakja, 7356 vota. Diferenca mes dy kandidatëve është 69 vota. Kandidati i LSI-së, Maksim Kona, aktualisht ka marrë 1300 vota. Në këtë bashki shumë vota kanë qenë të pavlefshme, pas ngatërresës së qytetarëve në fletët e votimit. 

Votimi në Kavajë u bë pas largimit të Elvis Roshit, si pasojë e prekjes nga ligji i dekriminalizimit. Pas largimit të Roshit, presidenti Nishani dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Kavajë për më 7 maj. Por në kulmin e krizës politike në vend, për shkak të refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, edhe socialistët e tërhoqën kandidatin e tyre, duke mos e realizuar procesin. U desh mbërritja te marrëveshja politike e 18 majit për të gjetur një zgjidhje edhe bashkinë e Kavajës. Për rrjedhojë zgjedhjet u dekretuan për më 25 qershor, me garimin e tre kandidatëve nga PS, PD dhe LSI.

Ngatërresa në fletën e votimit me numrat “3” dhe “6”
Një gabim gjatë fushatës elektorale, ose më saktë gjatë orientimit të votuesve në Bashkinë e Kavajës, duket se i ka kushtuar shtrenjtë Partisë Demokratike, e cila një pjesë të votave i ka humbur për një keqkuptim. “Votoni 3 dhe 6” thuhej gjatë fushatës në Kavajë, ku votohej si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për zgjedhjen e kreut të ri të bashkisë. Këshillën e dhënë militantët e djathtë e kanë ndjekur, duke plotësuar të dy numrat njëkohësisht në fletën e votimit. Sipas të dhënave, 680 vota kanë dalë të pavlefshme në Kavajë, pasi votuesit kanë plotësuar me kryq numrin 3 dhe 6. Numri 3 duhej zgjedhur në fletën për zgjedhjet e pjesshme vendore, ndërsa numri 6 në atë të partive që garonin për Kuvendin e ri. Nga ngatërresa kanë përfituar edhe kristiandemokratët, të cilët kanë marrë 300 vota në garën parlamentare, sepse shumë qytetarë kavajas kanë votuar numrin 3 në fletën e gabuar, pra jo në fletën për kryetar bashkie, por në atë për zgjedhjet parlamentare.

Pra, rreth 300 vetë duke dashur të votojnë Isa Sakjan e PD-së, i cili në fletë kishte numrin 3, kanë votuar gabimisht në fletën tjetër. Kështu, kristiandemokratët janë zbuluar mini-surpriza e këtyre zgjedhjeve.
Sigal