Katina Gogo: “LSI-ja, forcë e progresit dhe model i integrimit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gruas”

717
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Katina Gogo (Boga), kandidate për deputete e LSI-së për Qarkun e Vlorës

Katina Gogo (Boga) është kandidate për deputete në Qarkun e Vlorës nga LSI-ja. Mësuese prej 22 vjetësh me një karrierë të suksesshme, deri në fitore olimpiadash e prizëm të artë nga nxënësit e saj, sot si kandidate për deputete, me plot modesti thotë se gruaja sot ka shanse të thotë fjalën e sajë në vendimmarrje, ashtu siç e thotë në familje mes një ure në rezonancë ekuilibrash. Ajo ka qenë shokë shkolle dhe bashkëpunuese në punët e rinisë me Ritvan Bode e Koço Kokëdhima dhe sot takohen përsëri në politikë dhe kjo e bën të ndjehet mirë mes miqve të sajë dhe brezit të saj. Ajo shfaq ambiciet e saj dhe të LSI për zgjedhjet e 23 Qershorit, por nuk harron të thotë dhembshurinë e gruas “le të tregojmë vlera dhe dinjitet para Europës”. Për më shumë, le të lexojmë se çfarë thotë vet Katina.

Përshëndetje! Zonja Katina, pikë së pari një prezantim të personalitetit tuaj deri në momente, kur ju jeni kandidate e LSI-së për deputete në Qarkun e Vlorës…

Jam Katina Gogo (Boga) nga krahina e Lunxhërisë Gjirokastër. Arsimin e mesëm e kam kryer në shkollën e mesme, gjimnazi i Gjirokastrës “Asim Zeneli”, gjimnazi me famë. Gjimnaz, ku kam arritur suksese në mësime, por edhe angazhimin tim me rininë në atë kohë në drejtimin e organizatës së saj deri në strukturat qendrore të rinisë, shans që më bëri të bashkëpunoj gjatë asaj kohe edhe me aktorë të politikës së sotme, siç është Ritvan Bode dhe Koço Kokëdhima, të parin në gjimnaz dhe të dytin në universitet. Kështu pasi e mbarova gjimnazin, kam vazhduar për fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë (dega fizikë), ku përfundova me rezultate shumë të mira. Dhe prej përfundimeve të studimeve universitare jam emëruar mësuese në gjimnazin e Delvinës, emërim që erdhi si suport i rezultateve të larta në universitet, pasi dihet që emërimet bëheshin në bazë të disa kritereve. Ky qe emërimi i parë i imi që nisi me një start, që nuk mund ta mbaj modest përjetimin. Më pas në shkollën më të madhe dhe më të parë të Sarandës, shkolla “Adem Sheme”, e më pas këtu e 22 vjet mësuese fizike në gjimnazin “Hasan Tahsini” të Sarandës, gjimnaz që ja ka lartësuar emrin dijetarit të madh.

Ju thatë se keni pasur shokë shkolle dy faktorë të politikës së sotme shqiptare dhe përkatësisht në gjimnaz Ritvan Boden dhe në universitet Koço Kokëdhimën. Mund të shprehni disa përshtypje nga njohja juaj me ta?

Me Ritvanin kam qenë në gjimnaz, ai një vit para meje, por ajo që më ka mbetur në kujtesë është bashkëpunimi për drejtimin e rinisë së gjimnazit “Asim Zeneli”. Ritvani vinte nga Korça dhe studionte në Gjirokastër, ndërsa unë nga fshati Lunxhëria dhe studioja në Gjirokastër. E kam njohur si nxënës të shkëlqyer, jo vetëm në angazhimin me punët e rinisë, por edhe nga emulacioni i shkollës dhe ajo më e rëndësishmja që mbaj mend përveç bashkëpunimit mjaft rezultativ dhe masovik, edhe një njeri me pjekuri të admirueshme për moshën që kishim. Ndërsa me Koçon jam njohur në universitet, ku kryem bashkë vitet e universitetit. E mbaj mend njeri me ambicie, shumë studiues dhe punëtorë në këtë fushë, pasi dega jonë e studimit qe degë e vështirë, po t’i referohem kërkesave të kohës dhe dua të them se me punën e tij i ka arritur rezultatet e sotme.

Pas një aktiviteti bashkëshoqërues me themelimin e LSI-së, vjen edhe kandidimi juaj si kandidate për deputete e kësaj force politike në Qarkun e Vlorës. Pse e keni marrë një vendim të tillë për tu angazhuar në politikë dhe më tej edhe në parlamentin shqiptar?

Shikoj që gruaja ka një forcë të madhe dhe është forcë e madhe dhe aktive në problematikën tranzite dhe ekzistente të shoqërisë, si një element i rëndësishëm dhe vendimmarrës në familje, ashtu është edhe forca absolute në zgjidhjen e problemeve, qoftë në qendrën e punës, ku jemi edhe kështu, edhe në institucionet vendimmarrëse dhe qeverisëse. Dhe duke parë këtë fakt që përvoja e gruas është e madhe, por angazhimi i saj nuk është në rolin e duhur dhe mjaft probleme që shqetësojnë komunitetin femëror, mendova të jap kontributin tim për shoqërinë dhe vlerat të përgjithësohen, që qyteti im, Saranda, ku kam punuar dhe derdhur mundin dhe djersën time për 30 vjet, të ketë vlera optimale.

Pra përzgjedhja e femrës në listat e kandidatëve të LSI-së përsa i përket numrit rendor në të ashtuquajturin “pragu” i kapërcimit për të hyrë në kuvend, mendoni se është respektuar?

Forca jonë politike, LSI-ja, e ka të votuar në konventë dhe në statutin e saj e ka që përfaqësimi i gruas, pra gjinore, duhet të jetë në 50 %. Kjo forcë politike është munduar ta respektojë këtë dhe vetëm në pak qarqe është penalizuar. Ne jemi tre zonja që kandidojmë në listën e LSI për Qarkun e Vlorës.

Çfarë duhet ndryshuar në Sarandë dhe cila është alternativa e LSI për këtë ndryshim me ecje më të shpejt?

Dihet gjeografia turistike e Sarandës dhe sarandjotët duhet të ndjejnë që turizmi mos të jetë në kufizim kohor, por gjithëvjetorë. Për këto duhet punuar në të gjitha drejtimet si vazhdimi i punës në përmirësim brenda standardeve bashkëkohore të infrastrukturës në efektshmërinë e prekshmërisë së saj në gjithëpërfshirje, ujë, drita të pandërprera, kualifikim të artit të kuzhinës e të gjithë elementët turistik në përsosmëri, pa harruar zhvillimet e tjera të ekonomisë me qëllim punësimin për të realizuar qëllimin tonë politik: Shqipëria në punë, Saranda në punë, kjo sjell zhvillim, pa lënë në harresë arsimimin e rinisë, por edhe punësimin e saj. Tjetër energji e pashfrytëzuar është gruaja, sepse përveç përpjekjeve që bëhen për punësimin e saj, po shohim një grua të mbyllur në shtëpi, një grua të dhunuar e të përdhunuar, të diskriminuar e të mospërfillur. Këto janë edhe prioritetet e LSI dhe Kryetarit Ilir Meta.

Ju jeni mësuese, si e përballoni fushatën?

Me shpenzimet e mia, pa shumë postera, pa reklama. Kam kudo një mbështetje dhe mirënjohje të punës sime si mësuese. Kjo më është reflektuar. Po i jap këto vlera partisë sime. Jam e bindur tek mirënjohja njerëzore. Ju falënderoj për intervistën dhe them se LSI-ja do të arrijë realizimin e ambicieve të saj.