“Kathimerini”: Shqipëria, Kolumbia e Evropës

566
Sigal

Gazeta greke
“Kathimerini” shkruan për Shqipërinë reportazhin: Republika e Hashashit

“Luftë Civile” për hashashin



 Reportazh nga
Tirana


 Stavros
Çimas


Bletërritësi
shqiptar shprehet i dëshpëruar: “Bletët thithin pjalmin nga bimët e hashashit,
ngopen me to dhe pastaj “çmenden” dhe nuk gjejnë më rrugën për të ardhur në koshere
dhe, si rezultat i kësaj, humbasin dhe vdesin…”

Dhe, nëse një
bletërritës dhe prodhues i mjaltit thërret për të keqen që e gjeti, janë shumë
ata në Shqipëri, që “falënderojnë” Zotin, që pasuroi vendin e tyre me bimën e
kanabis dhe ata mund të përfitojnë të ardhura të mira financiare, pa u lodhur
shumë. Dhe nuk janë vetëm kultivuesit dhe trafikantët e lëndëve narkotike që
pasurohen. Bimët narkotike kultivohen në çdo cep te territorit të “vendit të
shqiponjave” (autori grek i reportazhit ironizon kështu Shqipërinë – shënim i përkthyesit),
në fusha, në kodra, në kodrina dhe në male, madje edhe në oborrin e shtëpive të
njerëzve të varfër. Kultivimin e hashashin e ruajnë policët e shtetit, –
natyrisht, duke përfituar edhe ata pjesën e tyre, sikurse shkruajnë mediat
shqiptare, duke u bazuar në akuzat zyrtare dhe publike, të gjithë këta kanë
edhe mbrojtjen e drejtuese të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Dhe, diçka e tillë,
kësisoj, janë të gjithë të kënaqur e të lumtur, në një vend ku mbizotëron dhe
notojnë në korrupsion, derisa të ardhurat e familjeve të varfra plotësohen nga
aktivitetet e kundërligjshme dhe kultivimi i kanabis të mbizotërojë në një
produkt fitimprurës kombëtar.

“Demokracia e Hashashit”

Bashkësia ndërkombëtare
ushtron presion të rreptë mbi qeverinë shqiptare që të ndërmarrë masa për të
luftuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, në Tiranë ndodh një luftë
e egër ndërmjet partive rreth kësaj çështjeje, me akuza të rëndomta të ndërsjella,
sikurse akuzat e ish kryeministrit dhe ish presidentit shqiptar Sali Berisha, i
cili e ka cilësuar Shqipërinë si “Demokracia e Hashashit”. “Të tilla akuza të ndërsjella,
janë produkt i një politike të paskrupullt, pa principe, e cila zhvillohet në
Shqipëri”, thotë për “Kathimerini” ministri i Brendshëm, 36 vjeçari Saimir
Tahiri. Opozita shqiptare, në mënyrë të përsëritshme, pretendon që 30 % e
fitimit nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike në Shqipëri, derdhet
dhe depozitohet në llogaritë e kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas akuzave të
nënkryetarit të Partisë demokratike, Edi Paloka, – i përdor këto para për të
blerë votat në zgjedhje dhe i cilëson “ show propogandistik” operacionet
policore për shkatërrimin e bimëve narkotike.

Politikë e paskrupullt

Kur pyetëm zotin
Tahir, nëse pretendon se Shqipëria fajësohet padrejtësisht nga imazhi “Kolumbia
e Evropës”, sikurse thuhet në opinionin ndërkombëtar, duke i theksuar që edhe
ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar që në Shqipëri rrallë,
tregtarët e mëdhenj të trafikimit të drogës dhe krerët e krimit të organizuar përfundojnë
të akuzuar në gjykata, madje e krahasoi gjendjen aktuale në Shqipëri të njëjtë
me fenomenin e Al Kapones në vitet ’30, zoti Tahiri tha: “Kjo është një
rezultante e një politike të paskrupullt, pa principe, që bëhet në Shqipëri.
Shpesh qëllimi për të fituar sa më shumë votues tejkalon çdo kufij të logjikës.
Të gjitha ata që bëjnë të tillë politikë, mbase shpërfillin qëllimisht të keqen
që i bëjmë vetë ne Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo e keqe është diçka që
tejkalon çdo kufi, në lidhje me punën që ne bëjmë në bashkëpunim edhe me aleatët
tanë ndërkombëtarë. Është e qartë, që bëhet fjalë për prapaskena politike, pavarësisht
se Shqipëria është shumë larg atij realiteti për ta karakterizuar me ato cilësime
që dëgjojmë në debatet politike në Shqipëri, – pohon zoti Tahiri dhe përfundon:
– Kishim një zonë, Lazaratin, i cili funksiononte si shtet brenda shtetit, aty ku
nuk funksiononte shteti. Që atëherë, që erdhëm në pushtet, bëmë gjithçka që
ishte e mundshme, që ai territor i kultivimit të hashashit të hiqej nga harta e
Shqipërisë. Dhe, në vazhdimësi, bëjmë përditë përpjekje të shumta dhe të ashpra
në çdo cep të Shqipërisë, kundër kultivuesve të lëndëve narkotike. Pavarësisht
nga rezultatet tona, opozita na sulmon, duke përdorur si argumente rezultatet
tona”.

Përktheu nga “Kathimerini” Jakup B. GJOÇA