Katër Presidentët: Ribashkoni Shqipërinë me Perëndimin

467
Sigal

Bujar Nishani, mesazh krerëve të shteteve të BE-së, loboni që Shqipëria te marrë statusin

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka dërguar të enjten një mesazh të gjithë krerëve të shteteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të lobuar që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, bazuar në meritën dhe arritjet e saj. Në mesazh Presidenti Nishani shprehet: “Me shprehjen e nderimit të madh për Ju dhe vendin Tuaj, si dhe për mbështetjen bujare dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, kam kënaqësinë t’ju informoj se, vendi dhe populli im presin me emocion dhe me besim vendimin e Këshillit Europian për t’i dhënë Shqipërisë këtë muaj statusin e vendit kandidat për në BE.  Aspirata evropiane ka qenë dhe mbetet aspirata më përbashkuese e popullit shqiptar, shumë herë i goditur nga fati i keq i pushtimeve dhe diktaturave nga më të egrat, por që mbijetoi dhe nisi njëzet e katër vjet më parë një histori të re, që është ajo e demokracisë dhe integrimit në familjen e madhe evropiane, të cilën e vazhdon dhe e çon përpara çdo ditë me vendosmëri të palëkundur”. Po ashtu, Nishani shprehet:  “Shqipëria prej disa vitesh është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat nga vendet anëtare të BE-së dhe rekomandimet pozitive të Komisionit Europian përbëjnë një konfirmim autoritar se vendi im e meriton plotësisht avancimin e mëtejshëm drejt familjes europiane. Me kënaqësi të veçantë kemi vërejtur se në raportin që shoqëron rekomandimin e përsëritur pozitiv të muajit qershor, Komisioni konstaton se Shqipëria ka përmbushur bindshëm kushtet e kërkuara, dhe meriton qartësisht njohje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian”.

“Është kjo arsyeja pse shqiptarët dhe unë, si President i Republikës së Shqipërisë, jemi optimistë dhe plot besim se Shqipëria e meriton marrjen e statusit. Vendimmarrja e 23 Qershorit lidhur me këtë çështje do jetë një mesazh i qartë jo vetëm për të vazhduar me frymëzim të ri dhe energji të reja në rrugën e reformave më të avancuara, por mbi të gjitha për qytetarët e vendit tim, për të rinjtë dhe të rejat të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë dhe përbëjnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, thekson  Presidenti Nishani.

“Duke dëshiruar dhe mirëpritur mbështetjen tuaj dhe të vendit tuaj për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE, më lejoni të nënvizoj se marrja e statusit do të përbënte një mesazh të rëndësishëm politik për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu një njohje të rolit konstruktiv historik të Shqipërisë në rajon dhe një inkurajim dhe përgjegjësi edhe më të lartë për institucionet shtetërore të vendit tim për të përparuar më tej drejt Evropës së bashkuar”,- ka përfunduar Nishani.

 Ish-Presidentët, Meidani, Moisiu dhe Topi: Shqipëria i plotëson kriteret dhe meriton vlerësim pozitiv

Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që, tre ish-presidentët, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu e Bamir Topi kanë hartuar një letër drejtuar krerëve të shteteve të BE-së ku  kërkojnë mbështetje ndaj Shqipërisë. Është hera e parë që tre presidente të zgjedhur me mbështetje të majtë, konsensuale dhe të djathtë, bashkohen në një nismë të tillë për një kauzë të përbashkët. Ish-presidentët falënderojnë vendet e BE-së për mbështetjen e dhënë përgjatë dekadave të fundit, duke shpresuar dhe pritur një përgjigje pozitive javën e ardhshme. “Në emër të qytetarëve shqiptarë dhe tonin personalisht ju shprehim mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ju dhe qeveritë që drejtoni i kanë dhënë përgjatë dy dekadave të fundit Shqipërisë. Ribashkimi ynë me Perëndimin pas një diktature dhe izolimi të gjatë pati vlerat e një rilindje kombëtare. Përgjatë këtyre viteve, projekti i integrimit evropian për ne ka qenë dhe mbetet synim i vetëm politik dhe ekonomik, një projekt që përputhet tërësisht me interesat tona kombëtare dhe që unanimisht gjen mbështetje publike dhe politike. Në përputhje me këtë vlerësim, ne mirëpresim raportin e dytë pozitiv të Komisionit Evropian publikuar këtë muaj në mbështetje të aplikimit të Shqipërisë, për të marrë ftesën e statusit kandidat në BE”,-thuhet në letër. Duke rikujtuar hapat dhe progresin e bërë nga veni ynë, reformat në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit, ata shprehen se: “Ju sigurojmë se, gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar përparime drejt standardeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Zgjedhjet parlamentare dhe rotacioni politik kaluan përmes një klime institucionale dhe konsensuale pranimi dhe sollën shpresa të mëdha për reforma më të thella dhe rezultative. Shteti shqiptar dhe institucionet e tij po dëshmojnë vullnet politik dhe akte konkrete të luftës ndaj korrupsionit dhe çfarëdo forme të kriminalitetit. Një sërë reformash ekonomike, sociale, arsimore, etj janë drejt realizimit dhe Tirana zyrtare vijon të jetë një vend me kontribut të njohur në forcimin e miqësisë, paqes dhe stabilitetit demokratik në rajon. Referuar standardeve të njëjta për vendet e tjera në fazën e vlerësimit të statusit kandidat, Shqipëria i plotëson kriteret bazë dhe meriton të marrë një vlerësim pozitiv. Në këtë këndvështrim e shikojmë të nevojshme të theksojmë se, sot rajoni i Evropës Juglindore ka pësuar transformime të mëdha dhe disa vende janë tashmë anëtare të BE ose në fazën e statusit kandidat. Krijimi i diferencimeve midis këtyre vendeve dhe vendeve të tjera aspirante si Shqipëria, etj, rrezikon të krijojë një zonë të veçuar brenda vetë rajonit. Mesazhi pozitiv për Shqipërinë lexohet menjëherë edhe si mesazh pozitiv për Kosovën, Maqedoninë dhe shtete të tjera rajonale, ku shqiptarët janë element i rëndësishëm shtetformues dhe drejtues”. Ndër të tjera ata shkruajn se: “pritja e gjatë e realizimit të projektit evropian, pavarësisht burimit vendor të përgjegjësive, mund të çojë në rënien e entuziazmit dhe mbështetjes publike ndaj këtij projekti, zhvillim që në historinë e Ballkanit gjithnjë ka krijuar hapësira për politika populiste dhe nacionaliste, dëmtuese për vendet dhe rajonin. Brezat e sotëm, sidomos brezat e rinj kanë nevojë për një mesazh të qartë inkurajues, kanë nevojë të ndjehen qytetarë të familjes evropiane dhe kanë nevojë të gëzojnë një status që u mundëson më shumë pjesëmarrje në vendimmarrje dhe më shumë prezencë “europiane” në jetën politike dhe publike. Ata kanë nevojë të shohin se projekti europian është dhe mbetet projekt vlerash të përbashkëta, dhe se asnjë aspekt tjetër gjeopolitik apo skepticizmi e lodhjeje nuk mund të zëvendësojë sistemin e vlerave, meritës, përgjegjësive dhe partneritetit të qëndrueshëm”. “Duke adresuar apelin tonë për mbështetjen tuaj drejt kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat në BE, ne njohim dhe konfirmojmë përgjegjësitë e pritshme prej nesh, nevojat e mëdha për reforma më të thella, për më shumë rezultate lokale në forcimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës, për zhvillim, progres dhe sukses ndaj çdo forme korrupsioni dhe kriminaliteti, siç edhe për transparencë më të madhe qeverisëse. Dhënia e statusit të vendit kandidat do ta ndihmojë Shqipërinë të bëjë më mirë detyrat e saj përballë qytetarëve të saj dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ne kemi besim në mbështetjen tuaj dhe të qeverisë që ju drejtoni. Përgjatë viteve e dekadave ju na jeni ndodhur pranë dhe se miqësia dhe partneriteti midis dy vendeve tona ka qenë e mbetet një tregues e cilësi e përhershme”,-përfundon letra, e cila mbanë firmai e tre ish-presidentëve të vendit..