Kardinali shqiptar Dom Ernest Troshani, simboli i rezistencës dhe idealeve kombëtare, flet në Kuvendin e Shqipërisë

444
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë/  Kardinali
shqiptar Dom Ernest Troshani simboli i rezistencës dhe idealeve kombëtare përballë  reve të 
zeza të diktaturës

Ilir Meta, përkushtimi i Kardinalit ndaj
njerëzve të thjeshtë këshilla më e mirë për politikën Shqiptare

Kardinali
shqiptar, Dom Ernest Troshani, ishte i ftuar në Seancë Plenare të Kuvendit të
Shqipërisë  për të mbajtur një fjalë
përshëndetëse. Në nisje të seancës, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, teksa i
uroi mirëseardhjen Kardinalit Troshani, u shpreh se më 21 shtator 2014 gjatë
vizitës së tij në Shqipëri Ati i Shenjtë, Papa Françesku, u kushtoi jo vetëm
një çast të posaçëm dëgjimi vuajtjeve të Dom Troshanit, por edhe përlotje dhe
një përqafim të përzemërt papnor që mbeti i skalitur në mendjen e të gjithëve.  “Dy
vjet më vonë, pikërisht më 19 nëntor të këtij viti, nga Sheshi Papal i Romës,
në lutjen e engjëllit të Tënzot,
Papa Françesku shpalli kardinalët e rinj, mes të cilëve edhe shqiptarin Dom
Ernest Troshani. Ky akt i rëndësishëm, lumturimi i martirëve të Kishës Katolike
Shqiptare dhe shenjtërimi i Nënë Terezës, janë mesazhe për të cilat të gjithë
shqiptarët kudo në botë i janë mirënjohës Atit të Shenjtë, Papa Françeskut. Ato
janë shenja inkurajimi për të ecur drejt udhës së atyre vlerave shpirtërore
njerëzore, fetare e kulturore, kishtare e kombëtare, për të cilat flijuan jetën
shumë shqiptarë, njëkohësisht përbëjnë një çast fatlum, sepse Shqipëria dhe
shqiptarët sot më shumë se asnjëherë tjetër mund t’i tregojnë mbarë botës sesa
të rëndësishme janë toleranca, respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa e
besimeve fetaren në një vend. Ato dëshmojnë sesa të fuqishme, të qëndrueshme
dhe të natyrshme janë lidhjet e kësaj marrëdhënieje të veçantë mes
shqiptarëve”,
– tha z. Meta, duke theksuar se ashtu si çdo herë tjetër,
përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare ndodhen bashkë për të qenë
dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të veçantë, jo vetëm për Kuvendin e Shqipërisë. “Nuk është titull që më jepet vetëm mua, por
është një titull për të gjithë shqiptarët. Kardinalët në botë janë të rrallë,
aq më pak që Shqipëria është një vend i vogël, por Papa ka një simpati të madhe
për këtë popull
’, shprehet Kardinali shqiptar, Ernest Troshani, i cili në
fshatin Barbullush të Shkodrës me modestinë dhe përkushtimin e tij qëndron çdo
ditë pranë njerëzve në nevojë, lutet për ta dhe i ndihmon, sa mundet, në
zgjidhjen e problemeve të tyre”, – vijoi z. Meta. Kryetari i Kuvendit nënvizoi
se dëshmia e jetës së krishterë të Kardinalit shqiptar është dëshmia e një të
riu trim 35-vjeçar, i cili më 24 dhjetor 1963, në vitet më të vështira të
diktaturës komuniste në Shqipëri, heroikisht guxoi të ngrinte një meshë në
kujtim të presidentit të vrarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon
Kenedi. “Ky veprim, simbol i besimit, i
paqes, i respektit dhe i lirisë u ndëshkua ashpër me dënimin me vdekje dhe më
pas me 25 vjet burgim të Dom Troshanit. Dëshmia e viteve të gjata të vuajtjeve,
të persekutimit, të torturës, por edhe të qëndresës së tij martire në burgjet e
komunizmit është dëshmi e kalvarit të gjatë të kombit shqiptar dhe të gjithë
përfaqësuesve të besimeve fetare, të cilët mes sakrificave dhe vështirësive
mundën të ruanin jo vetëm forcën e besimit, por edhe dashurinë për kombin dhe
vlerat e tij në vitet më të vështira”,
– shtoi z. Ilir Meta. Gjithashtu,
Kryetari i Kuvendit u shpreh se Kardinali Ernest Troshani është dëshmitari i
fundit i gjallë i gjeneratës së klerikëve shqiptarë, që i persekutuan mizorisht
dhe u dënuan vetëm se shpirtin dhe veprën e tyre i kishin të lidhura me lirinë
e besimit dhe të ndërgjegjes. “Ai është,
gjithashtu, simboli i rezistencës dhe i përkushtimit të pashembullt ndaj
vlerave dhe idealeve kombëtare në një kohë kur mbi Shqipëri peshonin retë e
zeza të diktaturës
”, – tha ndër të tjera z. Meta, ndërsa ftoi Kardinalin
shqiptar Dom Ernest Troshani të mbajë fjalën e rastit.

 

 

 

 

Dëshmitar i nji brezi klerikësh katolike
që vuejtën dhe u persekutuen.

Kardinal   Ernest Troshani

I nderuem z. Kryetar i Kuvendit, asht nji
nder i veçantë sot për mue me folë prej kësaj foltoreje, dhe me ju drejtue ju,
përfaqësuesve të popullit shqiptar. Ashtu siç asht nji nder i pashoq me
përfaqësue dhe me folë në emën të Kishës katolike shqiptare. Nuk kam ardhë këtu
me ju mësue asgja të re, por kam ardhë ma së parit me falenderue  atdheun e të gjithë popullin pse mbas nji
rrebeshi prej gadi pesë dekadash që i shkaktoi vuejtje e mjerime Kishës
katolike, ma në fund gjeti forcën e duhun shpirtnore me ua njohtë vlerat bijve
e bijave të tija që për me ruejt lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e besimit nuk
i ranë mohit Zotit dhe nuk e braktisën popullin e tij. Jam i fundit dëshmitar i
nji brezi klerikësh katolike që vuejtën dhe u persekutuen. Tue më ba kardinal,
Papa Françesku nuk më nderoi veç mue, por nderoi gjithë Kishën katolike
shqiptare e mundësisht gjithë popullin shqiptarë. Ne, kemi punue me të gjitha
forcat për ngritjen morale dhe kulturale të shqiptarëve, e edhe atëherë kur
s’kemi pasë mjete tjera, kemi gjetë fjalë ngushëlluese dhe s’i kemi lanë vetëm ma
të vogjlit dhe ma të vorfnit. I kemi shërbye këtij populli dhe kemi dëshmue me
gjakun tonë se i përkasin atij dhe nuk ligshtohena edhe në orën ma të vështirë.
Ky popull ka nda kashatën e gojës me ne, na ka ndihmue aq sa ka mujtë dhe na ka
qindrue afër. Të dashtun vëllezën e
motra, po ju them se ne si Kishë
katolike do të jena si gjithmonë në parimin e bashkëpunimin me gjithë ato forca
politike dhe shoqnore që kanë me punue për zhvillimin dhe përparimin e
Shqipnisë demokratike dhe sovrane. Do të mbështesim gjithmonë zhvillimin e
kulturës së vërtetë dhe s’do të reshtim tue punue për me i përkit familjes së
përbashkët europiane, vlerat ma të kullueta të së cilës kemi kontribue edhe ne
me i formue ndër shekuj. Jam këtu me
ju kujtue përvujtnisht ju, përfaqësuesve të këtij populli: Kujtojuni orë e çast
se jeni këtu me nji mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit,
mos e leni mbas doret asnji çast popullin tuej, e mos lejoni që përplasjet
tueja politike, edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën
për pushtet, por vetëm problemet e popullit shqiptar. Jemi nji komb ku jetojnë vllaznisht besime të ndryshme fetare, të
barabarta para ligjit e të gjitha me detyrën e shenjtë me i shërbye Zotit dhe
idealeve tona kombtare. Nuk due me folë për tolerancë, por për vllaznim, që
asht shumë ma tepër. Ta kultivojmë pra vllazninë ndërfetare, besimi i vërtetë
në Zotin dhe liria na ndihmojnë me gjallnue ma fort vlerat e solidaritetit dhe
të ndihmës ndaj gjithë atyne që shoqnia i ka lanë mënjanë. Krishti,  tue marrë shëmbëlltyrën njerzore ka lindë në
nji votër të vorfën prej Marisë dhe shpirtit shenjtë. Kujdesin ma të madh ai e
ka pasë për të vobektit, për të sëmurët, për ata që vuejnë padrejtsisht  dhe për ata që pendohen dhe duen me ndërrue
rrjedhën e jetës së tyne. Mos t’i
lamë mbas doret të gjithë këta, pse shkalla e qytetnisë së nji kombi matet edhe
prej kujdesit që ai tregon ndaj këtyne kategorive. Për ju un kam vetëm nji porosi atnore: Krishti ka shtru parimin
hyjnorë të pavdekësisë së shpirtit: Çfarë të vlen o njeri ? Po fitove edhe të
gjitha pasurit e botës në qoftëse humb shpirtin. Pra të përpiqemi ti shërbejmë
me të gjitha forcat shërbimit hyjnor
ë që të fitojmë
lumturinë e parrizit.
Po hyjmë në vitin 2017 viti i triumfit të zemrës së
papërlyer të Zojës së bekuar, nanës së Krishtit që na fton të lutemi për paqen,
vëllazërim, dashuri e lumturi.
Ju të nderuar deputetë të përpiqeni që të gjithë së
bashku, çdo njeri në Shqipëri duke shikuar në sytë tuaj të shohë begatinë,
drejtësinë, bujarinë e bekimin hyjnorë.
Qëndroni ma afër problemeve të
popullit shqiptar, bani që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim, e vetëm
atëherë keni me pasë respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë besue
tek ju. Zoti e bekoftë Shqipninë dhe
shqiptarët, Zoti bekoftë familjet tueja!