Kapriçot e PS-së, janë dëshmi e shterpërisë politike

493
Sigal

Reforma e Gjykatës së Lartë u diskutua në Komisionin e Ligjeve, PS-ja e bojkoton sërish

Dje, deputetët e PD-së, miratuan në tërësi pr/ligjin për Gjykatën e Lartë pa votat e opozitës. Gjykata e Lartë është bërë sërish objekt i debateve mes maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve, i cili bëri dje shqyrtimin e këtij ligji, pas shtyrjes së pardjeshme. PS-ja e vendosur në qëndrimet e saj për të mos pranuar të marrë pjesë as në diskutimet dhe as në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, zgjodhi që të largohet nga punimet në komision. PS-ja, nuk paraqiti asnjë argument, që lidhej me p/ligjin e Gjykatës kushtetuese, por, siç tha edhe zoti Xhafa, në emër të PS-së, ditën e hënë, në debat, “kërkesa që kemi bërë është që ju të mos vazhdoni të bllokoni institucionet e qeverisjes vendore dhe reformën parlamentare”. Një kërkesë e tretë e PS-së, si kushtëzim për të dhënë konsensusin e reformës së Gjykatës së Lartë, është edhe zbatimi i vendimeve të gjykatës së shkallës së parë, Apelit dhe Gjykatës së Lartë për zgjedhjet e Qarkut të Fierit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, zoti Rusmajli, duke iu kundërvënë argumenteve të Xhafës, replikon: “A keni amendamente për këtë projektligj? A keni amendamente që mund t’i shqyrtojmë? Jemi te shqyrtimi nen për nen i p/ligjit, është koha që të paraqiten amendamentet. Nuk ka”. Këtu është lëvizja mat e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, ndaj taktikave të PS-së për të argumentuar mospranimin në diskutim të p/ligjit të Gjykatës së Lartë. Kujtojë, se kohë më parë, PS-ja përdori gjithë artilerinë e saj të rëndë, për të vrarë një mëllenjë- siç thonë nga anët tona, me oponencën që i bëri reformës së kufizimit të imuniteteve. Për të kundërshtuar mosdhënien e konsensusit hodhi në tavolinën e debatit amendamentet për ndryshime kushtetuese që lidheshin me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. PS-ja po të kishte një strategji të ndërtuar për gjithë ecurinë e reformave të 12 prioriteteve, kështjellën do ta kishte ndërtuar që në fillim, në brezin e parë të betejës. Përse PS-ja pranoi që të vazhdohej në miratimin e reformave, që ishin në renditje të dytë, të tretë, të katërt, kur, ndërkohë, nuk miratohej reforma parlamentare që ishte e para? Dhe çfarë kuptimi ka argumenti që tani nuk pranojmë të diskutojmë reformën e Gjykatës së Lartë, kur nuk është miratuar reforma parlamentare, që është e para? PS-ja  e lejoi, është  bashkëfajtore, ndaj tani është tepër vonë që të ketë  të drejtën të kundërshtojë.  Politika që ndjek PS-ja është politika e çastit, e konjukturave. Mungon boshti, mungon strategjia dhe pasojat janë çoroditja e argumentimeve, amulltia politike. PS-ja, po të interesohej për reformën e Gjykatës së Lartë, duhej që të mos tërhiqej nga amendamentet e saj për ndryshimet kushtetuese, që kishin të bënin zgjedhjen cilësore të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky ishte argumenti bindës. Sot duhej t’i paraqiste amendamentet për këto ndryshime që të kishte të drejtën të mos japë konsensusin. Në reformën për Gjykatën e Lartë, ç’punë kanë paralizimi i qeverisjes vendore, që të bëhet argument politik i mosdhënies së konsensusit? Po moszbatimi i vendimeve të gjykatave të tjera, a mund të jetë argument politik, që të bllokosh reformën e integrimit? Sigurisht, jo. Por pyetja mund të ngrihet në anën tjetër. Derisa kushtet që parashtron tani PS-ja për mosdhënien e konsensusit për reformën e Gjykatës së Lartë, nuk kanë lidhje me vetë reformën në fjalë, dihet që nuk mund të pranohen nga PD-ja. Dhe këtu ka të drejtën politike. Sa do të rezistojë në kapriçot e saj PS-ja, kur dihet që ajo u tërhoq edhe kur kishte 100 % të drejtë, siç ishin amendamentet e saj për ndryshimet kushtetuese? Ia vlen, që PS-ja me kapriço, të konsumojë kohë, duke bërë naze politike? As vetë PS-ja nuk e di sa mund të rezistojë në mohimin e saj. Të hënën, ambasadori i BE-së, zoti Seqiu, e bëri vizitën e zakonshme, pas çdo kundërshtimi politik, të PS-së në selinë rozë. Do të ndonjë ajo që e dinë të gjithë dhe më shumë, vetë PS-ja. Që përfundimisht, në çastin e mbarimit të afatit kohor, kokulur dhe e bindur, PS-ja do të votojë reformën. Siç ka bërë deri tani me reformën zgjedhore, me imunitetet.