Kapen 23 milionë euro, në valixhen diplomatike/ Vetëm katër ditë pas raportit të DASH, se në Shqipëri pastrohen paratë e drogës dhe kontrabandës, në aeroportin e Parisit kapen 23 milionë euro që vinin nga Afrika me destinacion Shqipërinë. Ja denoncimi i mediave franceze

522
Sigal

DASH: Trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda gjenerojnë më shumë para në Shqipëri

Kapen 23 mln euro në valixhen diplomatike, po vinin drejt Shqipërisë

Jakup B. GJOÇA

Para disa kohësh në portin e Durrësit u sekuestruan 5 milionë euro, të ardhura nga Belgjika, të cilat u gjendën në makinën “Toyota Yaris”. Këto miliona euro ishin produkt i parave të trafiqeve të drogës, që do të shërbenin për t’u pastruar në Shqipëri. Deri tani, prokuroria ende nuk ka gjetur burimin, cilët janë ata që bëjnë pastrimin e parave të siguruara nga aktiviteti kriminal në vendet e Evropës, porse një gjë është e qartë: Në Shqipëri bëhet pastrimi i parave, të ardhura nga aktiviteti kriminal, nga korrupsioni.

Raporti i DASH 2018: Qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim për pastrimit të parave

Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare. Në raport thuhet se ekonomia e vendit operon në masë të madhe me cash dhe në mënyrë informale, me hyrje të konsiderueshme të parasë nga jashtë në formë të dërgesave të emigrantëve. Krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda, sipas DASH.

23 milionë euro  nga Afrika  për në Shqipëri

Një valixhe me para është kapur në aeroportin e Parisit në Francë. Sipas mediave të huaja, valixhja i është sekuestruar një qytetari nga Mali, i cili udhëtonte tranzit nga aeroporti Charles de Gaulle. Nga kontrolli në valixhe u sekuestruan 15 miliardë Franga FCFA (valutë afrikane), shumë që përllogaritet në rreth 23 milionë Euro, raporton “carredirect“, media afrikane me seli qendrore në Bamako, shtetin afrikan të Malit. Media e huaja shkruajnë se paratë po transportoheshin me valixhe diplomatike dhe destinacioni i tyre ishte Shqipëria. Mediat e huaja e përshkruajnë Shqipërinë si një parajsë fiskale ku nuk paguhen taksa dhe pastrimi i parave mund të kryhet lehtësisht dhe vetëm me pak njohje, ndërsa fondet me burime të dyshimta përdoren si parashuta ku askush nuk di nga vijnë. Nuk ka ende detaje lidhur me personin që ka urdhëruar këtë lëvizje apo edhe me ‘pronarin e valixhes’. Ndërkohë, mendohet se është zgjedhur pikërisht një valixhe diplomatike për shkak të sigurisë së saj. Kuptohet që poseduesi i valixhes i ka kushtuar pak rëndësi lëvizjeve dhe sistemit të sigurisë duke u bazuar më së shumti tek siguria që ofron vetë kjo valixhe. Nuk dihet identiteti i të arrestuarit dhe nuk ka informacione të mëtejshme për këtë lajm.