Kaos në shërbimet e policisë me qytetarët

407
Sigal

Ministri Tahiri vetëmburret  duke thënë se, Policinë e Shtetit ua ktheu qytetarëve, ndërsa në të vërtetë…

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në pamundësi që të mbledhë gjobat që policia e shtetit penalizon- me ose pa faj- qytetarët, ditët e fundit ka dhënë një urdhër të prerë. – Asnjë makinë nuk do të marrë asnjë dokumentacion, nëse nuk ka shlyer detyrimet. Meqë, këtej e tutje- dhe kjo aferim ministrit Tahiri, të mos i hymë në hak- të gjitha të ardhurat që policia e shtetit vj(dh)l nga gjobat ndaj qytetarëve, do ti shtohen buxhetit të ministrisë së Brendshme, për t’u…modernizuar.

Mirëpo, policia e shtetit nuk ka struktura t’u shërbejë qytetarëve

Për gjobat e papaguara,  ka radhë me kilometra,  në Komisionin e Shqyrtimit të Kundravajtjes, ngaqë mungon anëtari dhe policia e shtetit nuk mund të zëvendësojë një njeri që …sëmuret. Ky është realiteti, jashtë vetëmburrjeve të ministrit Tahiri.

-Ke gjoba të qarkullimit me makinë pa paguar? Do presësh derisa të shërohet anëtari i Komisionit të Shqyrtimit të Kundravajtjeve Rrugore. Dhe si pasojë nuk mund të lëvizësh pa mjetin tënd, deri në tërheqjen e lejes së qarkullimit dhe penalizmi prek rreth 200 persona në ditë. Ky është realiteti në zyrat e Komisionit të Shqyrtimit të Kundravajtjeve Rrugore në rajonin e Policisë së Qarkullimit Rrugor në zonën e ish-Kinostudios. Për shkak se një prej anëtarëve dje ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe kishte udhëtuar për në Turqi, për t’u kuruar, dhjetëra persona që kishin për të dalë në komision, apo vetëm për të tërhequr lejen e qarkullimit, pasi kishin paguar te gjitha detyrimet, u kthyen pas. Ndërkaq deri në likuidimin total me shtetin dhe pa dokumentacionin e plotë, këta persona nuk mund të qarkullojnë lirisht me automjetet e tyre.

Qytetarët zhgënjehen, jo nga mungesa e nëpunësit, por nga shpërfillja e drejtuesve

Qytetarët, pyesin me shqetësim, te drejtuesit e strukturave të policisë së shtetit, se kush tjetër mund t’u shërbejë, derisa nëpunësi është me raport, me leje, dhe mungon. Mirëpo, drejtuesit tregohen cinikë, shpërfillës ndaj halleve e problemeve të qytetarëve, duke u thënë, që të ri-vinë nga viti i ri, ose edhe më vonë, që t’u shërbehet. “Mund të paraqiteni të hënën që vjen”, u shpreh një anëtar i Komisionit të Shqyrtimit të Kundravajtjes Rrugore. Ky realitet rëndon më shumë qytetarin që automjetin e përdor dhe për punë, dhe në rastin më të keq, qytetarin që i mbaron kolaudimi dhe i nevojitet dokumenti, i cili i është bllokuar nga ky komision, në rast të përfundimit të kolaudimit të makinës, qytetari rëndohet edhe me një gjobë tjetër të pamerituar, apo në këto ditë prag festash ku qarkullimi me automjet është bërë i domosdoshëm për përgatitjet e fundvitit.