Kandidatja e LSI për Kuçovën, Misto: Aderimi në këtë forcë, përgjegjshmëri dhe krenari

580
Alma Çuka
Për herë të parë futet në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit nën siglën e LSI-së. Jola Misto është e sigurt se po punon për të ardhmen e rinisë 
Ajo është e re në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ashtu si shumë anëtarë të tjerë që janë futur në listat për zgjedhjet e 25 qershorit, edhe Jola Misto bënë pjesë në këtë kategori. E ndjen të nevojshme të sqaroj në këtë intervistë se prej kohësh e ka pasur ëndërr të jetë pjesë e politikës. Dhe kjo e ka një arsye. Misto shprehet se do të punoj për të plotësuar sadopak mungesat e rë rinjve në jetën e përditshme. Po kështu ajo shprehet se në këtë rrugë të nisur ka pas një busull orientimi, e kjo është familja. Ndihet krenare dhe thotë se kandidimin në siglën e LSI e sheh si përgjegjshmëri të lartë. Nuk e pëlqen politikën konfliktuale dhe nuk premton para votuesve gjëra të cilat edhe vet e di se nuk mund të arrihen lehtë. 
Cila është shtysa dhe angazhimi juaj i parë në këtë rrugëtim?
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Për mua politika është të jetosh në një komunitet dhe të japësh përkushtimin tënd që ky komunitet të jetojë të përmirësohet, kjo është shtysa kryesore. Kam qenë e prirur gjithmonë të gjej një zgjidhje për gjërat që nuk shkojnë siç duhen. Ndaj dhe vendosa të angazhohesha në politikën e “madhe”. Nuk mund të rri indiferente nëse diçka nuk shkon mirë. Politika është një mundësi e madhe për të përmirësuar gjërat dhe mendoj se është misioni parësor i saj. Për sa i përket angazhimit të parë, mund të them që është një dhe i vetëm; të përfaqësojë me dinjitet dhe përgjegjshmëri zërin e bashkëqytetarëve të mi dhe atyre që do të më besojnë votën. Nuk ka angazhim më fisnik dhe që më bën krenar se sa ky aktual.

A ka Jola një busull orientimi?
Sigurisht. Si të gjithë kam disa parime dhe vlera që shërbejnë për mua jo vetëm në rrugëtimin tim politik, por edhe në jetën time të përditshme. Përgjatë gjithë jetës time jam munduar të marrë vlerat më të mira nga njerëzit që më kanë rrethuar dhe kam gjetur shumë të tilla. Jam përpjekur t’i përvetësoj këto vlera dhe mundohem t’i aplikojë në çdo gjë që bëj, në punë, në familje dhe në shoqëri. Megjithatë, busulla e orientimit tim kryesor mbetet familja ime, të cilët më kanë mësuar mirësjelljen dhe më kryesoren respektin për njerëzit.

Për t’iu kushtuar politikës, një vajzë e re fillimisht duhet të privohet nga shumë dëshira. Si ndihesh përballë moshatarëve të tu?
Politika është një profesion me kohë të plotë. Në këtë kuptim duhet ti përkushtohesh plotësisht. Shpesh herë duhet të heqësh dorë nga shumë gjera që dëshiron të bësh. Por kjo nuk më shqetëson aspak. Jo vetëm tani që jam nënë dhe kam familjen time, por edhe më parë kur isha studente nuk isha shumë e dhënë pas argëtimit apo dëshirave normale si shumë të rinj. Kam qenë e fokusuar më shumë pas studimeve. Më pëlqente më shumë një jetë e qetë dhe kisha interesa totalisht të tjera. Ajo që më shqetëson më shumë në këtë rrugëtim që kam nisur është fakti që do të kem më pak kohë për vajzën dhe bashkëshortin tim. Megjithatë që të dy ata më mbështesin në këtë rrugë. Ky angazhim, ndër të tjera, është edhe për vajzën time. Për të ndërtuar një vend që mund të jetosh me ndershmëri dhe meritë. Për të ndërtuar një të ardhme këtu. Besoj se ja vlen kjo sakrificë për atë dhe për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Për herë të parë garon në Kuçovë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Çdo të thotë për ju kjo?
Mund ta përmbledh me dy fjalë, përgjegjshmëri dhe krenari. Jam krenare që përfaqësojë një forcë politike që ka në thelb të saj prioritetin për t’i shërbyer njerëzve, gjë të cilën e ka treguar gjithmonë dhe për këtë arsye ka fituar besimin e shumë qytetarëve shqiptarë. Por, ajo që më bën më shumë krenare dhe në një farë mënyrë me jep një emocion të veçantë është mundësia që kam për të përfaqësuar qytetin e lindjes time. Kuçova është një qytet fantastik dhe me potenciale të mëdha zhvillimi. Mjafton pak vullnet i mirë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kuçovarët meritojnë vëmendjen dhe përkushtimin maksimal. Janë njerëz të shkëlqyer dhe punëtorë, prej të cilëve kam mësuar shumë. Qytetaria e tyre dhe dashuria e tyre për qytetin më bëjnë më shumë optimiste për të ardhmen. Mund të them që nuk e kisha menduar kurrë që do të kisha fatin të përfaqësoja ata. Tani e kam këtë mundësi dhe do të jap dhe bëj gjithçka kam në dorë për të mos i zhgënjyer.

Cili është personi që mendoi se Jola duhet të ishte patjetër dhe se puna dhe përkushtimi i saj do të ofrojë më të mirën për vendin?
Kandidimi im sigurisht erdhi si pasojë e konsultimeve të strukturave të LSI me drejtuesit e saj dhe u gjykua që ishte një zgjedhje e duhur. Më këtë rast dua të falënderojë të gjithë anëtarët e LSI të Kuçovës që mirëpritën kandidimin tim dhe që më tregojnë çdo ditë besimin e tyre që është një përgjegjësi e madhe për mua. Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e LSI në momentin që u hartuan listat, zotit Meta për besimin që tregoi kundrejt kandidaturës time. Të gjithë këtë besim që Lëvizja Socialiste për Integrim tregoi për emrin tim më bën të përkushtuar çdo ditë në misionin tim për të qenë në lartësinë e duhur. Jam e fokusuar çdo ditë e më shumë për të bindur qytetarët se LSI është alternative më e mirë në këto zgjedhje dhe e besoj fortë këtë gjë.

Ke nisur fushatën elektorale. Për çfarë u flet Jola votuesve.
Mundohem të jem sa më e sinqertë dhe realiste. Nuk kam tendencën që të premtojë “parajsën” siç ndodh shpesh në fushatat elektorale. Shqetësimi im kryesor është të krijojë një raport besueshmërie me votuesit e mi. Duke parë që njerëzit gjithmonë e më pak kanë besim te politika, mundohem t’u shpjegojë që nëse të gjithë së bashku japim kontributin tonë për një shoqëri më të mire, mund t’ia arrijmë. Nëse nuk krijojmë këtë besueshmëri midis përfaqësuesve dhe votuesve, gjithçka është më e vështirë. Në këtë kuptim njerëzit duhet të binden që nëse ekziston vullneti i mirë politika është një instrument për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Gjithashtu një vend të rëndësishëm në bisedimet me votuesit zënë arritjet dhe qeverisja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe mundësitë për përmirësim të kësaj force politike. Mundohem që njerëzit më shumë t’i dëgjojë se sa t’u flas, sepse shpesh kanë nevojë të dëgjohen dhe ndonjëherë idetë më të mira vijnë pikërisht nga ata.

Ndonëse e re, politika zë një vend kryesor tek ju. Si e konsideroni këtë moment politik që po përjeton vendi.
Nuk është nga momentet më të mira që kemi përjetuar. Vendi ndodhet përpara sfidave të mëdha dhe më kryesorja janë reformat e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Të gjitha palët duhet të lënë mënjanë interesat e tyre të “imëta” politike dhe të tregojnë një vullnet bashkëpunimi për të ardhmen e vendit. Gjërat që na bashkojnë duhet të jenë më të rëndësishme se sa ato që na ndajnë. E kuptojë shumë mirë “luftën” politike, që është normale në një demokraci, por kur bëhet fjalë për interesat madhore të shqiptarëve, politika duhet t’i lërë mënjanë ato dhe të gjejë rrugën sa më të shpjet dhe sa me më pak kosto për të tejkaluar krizën politike që po kalojmë.
Sigal