Kandidati socialist kërkon mandatin e gjashtë, “rrëzon” Dakon dhe Sejdinin

526
Sigal

Kryesia e Partisë Socialiste ka konfirmuar sot kandidaturën e Gëzim Topçiut për bashkinë e Maliqit, ndërkohë që ka “rrëzuar” Qazim Sejdinin në Elbasan dhe Vangjush Dakon në Durrës.

Në debatin mediatik, shpesh herë është thënë se arsyeja për moskandimin e tyre është ligji i ri, sipas të cilit një kryetar bashkie nuk mund të ketë më shumë se tre mandate. Por vetë kandidatura e Gëzim Topçiut e rrëzon këtë arsyetim. Ai drejton bashkinë e Maliqit prej vitit 2000, ndërsa në zgjedhjet e 30 qershorit do të kërkojë mandatin e gjashtë në qytetin juglindor.

Gëzim Topçiu është anëtar i Partisë Socialiste që në vitin 1995, si edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Korçës.

Siç duket, kufizimi i mandateve nuk ka qenë arsyeja e vërtetë e moskandidimit të Qazim Sejdinit dhe të Vangjush Dakos. Të dy këta kryetarë bashkish janë përfolur prej kohësh për lidhje me grupet kriminale në qytetet respektive, ndërsa për Dakon thuhet se është implikuar edhe në përgjimet e prokurorisë.

Por ndërsa Qazim Sejdini ka pranuar në heshtje largimin e tij, Dako deri në ditët e fundit ka qenë aktiv me deklaratat e tij duke lënë të kuptohet se do ta mirëpriste një kandidim për mandatin e katërt në qytetin bregdetar.

Tashmë, kandidatët në Elbasan dhe në Durrës do të jenë Gledian Llatja dhe Valbona Sako.