Kandidati i PD refuzon të betohet në Parlament: Mandati i takon popullit, jo kriminelëve (VIDEO)

517
Sigal

Indrit Hoxha, kandidat i PD, ka refuzuar të marrë mandatin e deputetit sot në Kuvend, ndërsa, kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi i dha fjalën për të bërë betimin.

Ndërsa të gjithë prisnin që Indrit Hoxha të bënte betimin, kandidati i Tiranës tha se ndjen neveri për këtë parlament dhe se e ndërmori këtë akt në emër: “të babait të ndjerë, Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal, që nuk reshti deri në frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci”.

Hoxha tha se refuzon të marrë mandatin në një parlament që drejtohet nga Edi Rama. “Refuzoj te marr mandatin ne një parlament ilegjitim ku ne karrigen e Kryeministrit ulet i biri i njeriut qe firmosi për varjen e poetit Havzi Nela”, tha ai.
“Neveri për këtë parlament ilegjitim!

Unë Indrit Hoxha, kandidat në listën vijuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndërmarr sot këtë akt politik në emër të babait tim të ndjere Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal që nuk reshti deri në frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci. E ndërmarr këtë akt politik në shenje revolte dhe neverie kundër krimit të rilindur të këtij parlamenti ilegjitim dhe në respekt të vlerave të familjes time dhe sidomos ato që im atë më la trashëgimi.

 

Refuzoj të marr mandatin e deputetit në një vend ku klika kriminale në pushtet ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe ka kapur drejtësinë.

Refuzoj të marr mandatin në Parlamentin ilegjitim që e drejton urdhëruesi i vrasësve të Arben Brocit dhe shokëve të tij në masakrën e 2 Prillit.

Refuzoj të bëhem pjesë e një Parlamenti ilegjitim ku ulen hetues dhe prokurorë të diktaturës të cilët kanë torturuar dhe vrarë të rinj shqiptarë.

Refuzoj te marr mandatin në një parlament ilegjitim ku në karrigen e kryeministrit ulet i biri i njeriut qe firmosi për varjen e poetit Havzi Nela.

Refuzoj të bëhem pjesë e një parlamenti ilegjitim ku ndodhen urdhëruesit e vrasjes së tribunit të demokracisë Azem Hajdari.

Ky nuk është parlament, por galeri e krimit. Fundi i kësaj farse kriminale është shumë i afërt.

Unë refuzoj të bej betimin dhe të marr mandatin sepse ai mandat i takon popullit dhe jo krimineleve, hajdutëve dhe delenxhinjve që ndodhen sot këtu.

Rroftë Shqipëria.

Rroftë Demokracia.

Zoti i bekoftë shqiptarët,”-deklaroi Indrit Hoxha.