Kandidati i majtë M.Rama, takime me fermerë në Melan dhe Grevë

516
Fushata e kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, Muharem Rama vijoi në fshatin Grevë të njësisë administrative Melan ku u zhvillua një takim me fermerë të zonës në një plantacion mollësh. Kandidati Rama u ndal tek programi për rritjen e subvencioneve në bujqësi e blegtori, investimet në vaditje e kanalizime ashtu sikurse edhe për regjistrimin e fermave.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se tanimë është mekanizmi i duhur që ata të përfitojnë kredi investimi me subvencionim nga Buxheti i Shtetit.
“Është fondi i garancisë që kemi bërë me BERZH-in, që jep mundësi për kredi të vogla apo edhe të mëdha. Kredi me interes të subvencionuar nga Buxheti i Shtetit, pa kolateral në mënyrë që të zhvillohen fermat e vogla apo të mëdha, qoftë bujqësore apo qoftë blegtorale. Mos harroni edhe një element tjetër, ato ujëmbledhës deri më dje nuk dihet se kush i ka patur, nuk dihej se kush kujdesej. Sot, e ka me përgjegjësi qoftë ligjore e qoftë financiare bashkia. Bashkia e Dibrës por edhe gjithë bashkitë e Shqipërisë, këtë vit që vjen marrin gati 25 milion USD më shumë se çkanë marrë vitin e kaluar”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërkaq, ministri Ahmetaj u ndal edhe tek debati mbi Rrugën e Arbrit duke konfirmuar se qeveria e majtë është e vetmja që e ka marrë seriozisht këtë çështje.
“Mos harroni se është një premtim prej 20 vitesh që për herë të parë konsiderohet si një projekt serioz në tryezë të qeverisë. Unë nuk kam nevojë ta përsëris por e kam me shumë dëshirë ta theksoj se kjo qeveri ka për ta bërë rrugën e Dibrës, në daç Rrugën e Arbrit, në daç rrugën nga Librazhdi”, nënvizoi Ahmetaj.
Koordinatori socialist për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri komentoi premtimet e kandidatit të opozitës për pagesën e faturave të energjisë së qytetarëve përmes buxhetit të bashkisë.
“E kam dëgjuar kandidatin tjetër që bën premtime që nuk i mban dot e që janë thjesht mashtrime. Dibranët e kuptojnë shumë mirë se sa ke mundësi. Thotë tani se unë do tu paguaj energjinë elektrike me buxhetin e bashkisë. Kjo është një gënjeshtër, një mashtrim i gjallë. Kjo tregon se ti nuk ke asnjë program për Dibrën e jep premtimet që i ka në dorë qeveria qendrore”, nënvizoi Gjiknuri.
Sigal