Kandidatët për kreun e AMA raportojnë në Komisionin e Medias

425
Sigal

TIRANE– Komisioni i Medias vijon sot seancat dëgjimore më kandidatët për kryetar të AMA-s, ndërsa të enjten do të votohet në Kuvend për zgjedhjen e tij. Kreu i këtij komisioni Alfred Peza tha se pas këtij procesi do të vijohet me zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTSH dhe më pas të drejtorit të TVSh-së.

Salaj: Do mbështesim punën në zbatimin e ligjit për autoritetin e mediave
I pari në mbledhjen e sotme të komisionit ka raportuar kandidati Gentian Sala, i cili tha se puna e tij do të mbështetet në 4 kolona: ligji për autoritetin e mediave, qartësia në zbatimin e strategjisë, zbatimi i ligjit në këtë fushë, si dhe niveli i kualifikimit të stafit të AMA-s.
 
Kandidati Sala ndërkaq, tha se ka eksperiencë në fushën e jurisprudencës dhe të biznesit.

“Do verifikojmë dhe kërkojmë zbatimin e plotë të kontratave të gazetarëve. Liria e medias nuk është çështje abstrakte. Një nga problemet kryesore është radio televizioni publik. Ku ka shumë ankesa nga qytetarët”, tha Sala.
 
Ndërsa kreu i Komisionit të Medias Alfred Peza ngriti problemin e piraterisë dhe mosrespektimit të së drejtës së pronës intelektuale, kandidati Gentian Sala tha se problemi në këtë çështje mbetet tek institucioni monitorues, dhe jo te operatorët.

Gentian Skënderaj: Mosfunksionimi i AMA-s ka ndikuar në tregun mediatik
Kandidati i dytë Gentian Skenderaj në raportimin e tij është ndalur tek mënyra e funksionit të AMA-s. Sipas Skenderajt “Mosfunksionimi i AMA-s ka ndikuar në tregun mediatik”.
 
Kandidati Skënderaj tha se “Kalimi nga analog në numerik duhet të kryhet sa më shpejt sipas afateve. Nuk do të tolerojmë fenomenin e piraterisë. Do ndalojmë transmetimet pirate veçanërisht për kabllorë”.

Anila Basha: Luftë pa kompromis kundër piraterisë
Kandidatja Anila Basha gjatë raportimit të saj ka vënë theksin në luftën ndaj piraterisë, ndërsa u shpreh se nëse ajo do të zgjidhet në krye të AMA-s do të ngrihet Këshilli i Ankesave pranë këtij institucioni. Basha tha se do të zhvillohen edhe projekte konkrete për investime në teknologji.
 
Duke vënë theksin tek transparenca, Basha tha se mbledhjet e këshillit të AMA do të jenë të hapura, ndërsa do të ndërtohet një sistem transparent në përdorimin e të ardhurave financiare të institucionit.