Kandidatët e inkriminuar në paradhomën e Kuvendit

519
Sigal

Situata parazgjedhore është alarmante, asnjë kontroll për emrat e kandidaturave, pa ligj lustracioni dhe me KQZ të gjymtuar

Tani shoqëria shqiptare ndodhet para një nokdauni të vërtetë. Sepse jo vetëm emërimi i zyrtarëve apo krerëve të institucioneve, por edhe formulimi i listave zgjedhore është bërë përmes mungesës së transparencës dhe kontrollit, duke ngjallur dyshime të mëdha. Rrëzimi i ligjit të Lustracionit, nga Gjykata Kushtetuese ka bërë që Parlamenti i ri të rrezikohet shumë për shkak se përmbajtja e tij pas 23 Qershorit nuk do të kalojë në asnjë filtër. Kështu ajo gjë prej së cilës kemi pasur më shumë frikë ka ndodhur, sepse listat e partive për kandidatët janë mbushur me emra të inkriminuarish, me ish-spiunë dhe ish-prokurorë, apo gjykatës që kanë dënuar rëndë ish të përndjekurit politikë, me shpërndarës droge që kërkohen nga Interpoli, apo nga gjykatat e vendeve të tjera evropiane. Në këto lista ka me shumicë ish -drejtues të lartë të funksioneve shtetërore të akuzuar për korrupsion dhe afera korruptive, për bashkëpunëtorë me grupet mafioze dhe bandat e inkriminuar, me persona që këtë radhë kanë paguar shuma të majme për të hyrë brenda zonës së sigurisë së listave, si edhe me emra të tjerë, të cilët pas 23 Qershorit mund të përfundojnë nën pranga, sepse janë persona në kërkim nga vendet e tjera. Po t’i hedhim një sy listave të partive për dy koalicionet përkatëse, ajo është e mbushur me emra të tillë, një pjesë e të cilëve janë brenda zonës së sigurisë, ndërsa disa të tjerë, janë jashtë kësaj zone. Për zgjedhjet e qershorit duket se politika mbeti në klasë, ndërsa spiunët, të inkriminuarit, të korruptuarit, biznesmenët e drogës, hajdutët dhe njerëzit e molepsur kanë marrë notë kaluese. Për provimin  e parë në kandidimin e listave. Madje, këtë radhë zgjedhja e tyre do të bëhet nëpërmjet votës që populli do t’i bëjë listave partiake të kandidatëve. Kjo do të ndodh pasi Shqipëria gjendet krejtësisht e zbuluar ndaj uzurpimeve të bandave të inkriminuarve, të korruptuarve dhe ish-sigurimsave, duke përfshirë këtu edhe ish- agjentët që i shërbyen agjenturave të huaja, kundër interesave tona kombëtare

 Shkaku i rrezikut

Kjo përmbajtje e listave, përveç imazhit të shëmtuar që paraqet te ndërkombëtarët, paralajmëron edhe një parlament të ardhshëm të sakatuar moralisht, në aspektin e figurave që do të jenë deputetë. Dhe shkaku i këtij rreziku, ka të bëjë me faktin se pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e ligjit për lustracionin, tani nuk ka më asnjë organizëm, apo forum që të kontrollojë listat zgjedhore, ku mund të futen si të inkriminuarit, ashtu edhe hajdutët ose zyrtarët e korruptuar të qeverive të ndryshme. Ka nga ata që akuzohen për vrasje dhe prapë gjenden në këto lista, ka nga ata që janë akuzuar si “mamuthë të korrupsionit” dhe prapë janë në këto lista, madje ka edhe nga ata që kërkohen nga policia ndërkombëtare për shpërndarje droge, kontrabandë, etj dhe prapë ekzistojnë në këto lista. Pas rrëzimit të ligjit të lustracionit, tani i vetmi organizëm që mund të ushtronte një farë kontrolli ndaj kandidatëve, ka mbetur KQZ-ja, por edhe ky institucion ka mbetur i cunguar dhe krejtësisht pa autoritetin e duhur për të bërë veprime të tilla. Ndërkombëtarët e kanë ngritur disa herë zërin për kujdesin e formulimit të listave, ndërkohë që, ambasadori Arvizu është shprehur i shqetësuar për gjendjen aktuale të KQZ-së.

  Të korruptuarit dhe të inkriminuarit

Nga e keqja e madhe që e ka zënë shoqërinë shqiptare me caktimin në poste të larta të personave të dyshimtë, si të korruptuar, të inkriminuar, biznesmenë droge, etj., duket sikur rreziku i kalimit të spiunëve të Sigurimit është e keqja më e vogël. Tani duke u përqendruar kryesisht te largimi i spiunëve të Sigurimit, duket se ish- zyrtarët e molepsur me korrupsion, nga të dyja partitë dhe persona me precedentë penalë që janë në kërkim ndërkombëtar do të përbëjnë një fenomen negativ për këto zgjedhje. Lind pyetja: Përse janë vendosur këto emra në lista? Dhe përgjigja është e thjeshtë, sepse ata kanë paguar shuma qindramilionëshe në dorë për t’u ricikluar si politikanë aktivë, apo  si ministra. Ndërkohë, Presidenti ynë, Bujar Nishani ka tërhequr disa herë vëmendjen për kujdesin ndaj listave, por ethet e parave, nëpër kupolat partiake kanë qenë më të forta, Në fund të vitit 2008, parlamenti shqiptar kaloi ligjin për lustracionin, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 16.2. 2009 dhe më pas ky ligj u rrëzua edhe në komisionin e Venecias. Por më vonë askush nuk u mor me formulimin  e ndonjë ligji tjetër për kontrollin e figurave të deputetëve, ministrave apo zyrtarëve dhe në këto institucione penetruan nga të gjitha anët njerëz të pakontrolluar.  Nga ana tjetër, Ballauri, Meksi dhe disa të tjerë kanë përgatitur një draft për kontrollin e figurave. Lidhur me këtë, Ballauri shprehet se: “Hapja e dosjeve nuk e cenon të drejtën e individit. Sepse në këtë rast, hapja e tyre bëhet për arsye madhore, atëherë kur duhet të dihet se a ka faje të rënda apo krime të një personi ndaj një tjetri. Pra, hapja e dosjeve duhet parë si një proces purifikimi i shoqërisë dhe individi në këtë rast duhet të vihet në funksion të kësaj kërkese të lartë”

Rast pas rasti

Tani nuk është fare çudi që ndonjë prej kandidatëve, sapo të zgjidhet si deputet, para se të bëjë betimin në Kuvend, mund të prangoset nga Interpoli për të dhënë llogari ndaj veprimeve të paligjshme. Para disa muajve, një zyrtar i lartë e selisë rozë, Kosta Bajraba u kap në SHBA duke vjedhur në një supermarket dhe në këtë mënyrë ai u përjashtua nga politika. Por ai tani mund të zgjidhej si deputet, sepse do të përfshihej patjetër në lista. Nga ana tjetër në selinë blu, ka plot të akuzuar por situata social-politike po përkeqësohet. Gjatë këtyre viteve Parlamenti shqiptar ka dërguar dy herë projektligjin,a po ligjin përkatës për lustracionin dhe verifikimin e figurës së deputetëve, por në të dy rastet Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar ata. Objekti i ligjit të fundit që u rrëzua në këtë gjykatë, ishte verifikimi i figurave të zyrtarëve në disa detyra të larta ku përfshiheshin edhe deputetët. Në nenin 2 të këtij ligji thuhej se: “Objekti i këtij ligji është përcaktimi i funksioneve shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën e tij, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit”. Në këtë ligji flitej edhe për krijimin e Autoritetit që do merrej me kontrollin e tyre. Aty nënvizohej gjithashtu se: “brenda një viti nga krijimi i Autoritetit, krijohet Arkiva Qendrore e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme në varësi të Këshillit të Ministrave, ku grumbullohet gjithë dokumentacioni që sot është i shpërndarë. Ky arkiv me mbarimin e afateve të veprimit të këtij ligji dorëzohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave”.

Personat që duhen verifikuar

Gjithashtu ndër subjektet që duheshin verifikuar ndodheshin, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme,  e shumë të tjerë. Nga ligji  i pezulluar përjashtoheshin ata persona që kanë punuar në strukturat e larta të shtetit komunist deri në vitit 1991. Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme: Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv/kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit; anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991. Zv/ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret  i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991 kur krijohet SHIK. Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja; anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale; Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

Zgjedhjet e qershorit

Tani afro një muaj, para 23 Qershorit kushdo mund të bëhet deputet i Parlamentit shqiptar. Kjo ndodh sepse asnjë autoritet, apo komision ligjor nuk lejohet të verifikojë figurën e tij, qoftë edhe atëherë kur kandidati është publikisht i njohur për precedentë të tillë. Pra, edhe në rastet kur kandidati njihet prej të gjithëve si spiun, agjent i agjenturave të huaja, hajdut, keqbërës, etj, përsëri atë nuk ka se kush e ndalon drejt hierarkisë politike. Sepse ligji është jashtë funksionit dhe askush nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë iniciativë tjetër.

 PROJEKTLIGJI QË U RRËZUA NGA GJYKATA KUSHTETUESE

 Neni 3 / Subjektet e verifikimit

Sipas ligjit të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, subjekte të verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:

a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë

b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;

c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;

d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;

e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;

f) Guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;

g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;

h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;

i) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;

j) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;

k) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendshëm (SHKB);

l) Funksionarë në Gardën e Republikës;

m) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;

n) Ambasadorë, këshilltarë e sekretarë në përfaqësitë tona diplomatike;

o) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;

p) Drejtues, kryeredaktorë të mediave audio-vizive, si dhe te mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë;

q) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT dhe  këshillave drejtues të mediave publike;

r) Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.

s) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.

t) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi