Kandidatët, bërryla njëri-tjetrit për zonën e sigurisë

499
Sigal

Zbardhet lista e kandidatëve që do të garojnë më 23 Qershor për PS, PD dhe LSI, si edhe zonat, ku do kandidojnë krerët e partive aleate

Pas mbylljes së llogarive për emrat e partive në dy koalicionet kryesore, duket se PD, PS dhe LSI kanë hyrë në fazën finale të debateve për emrat e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohen. Kështu, Berisha ka hedhur prej kohësh, një pjesë të emrave të këtyre kandidatëve në radhët e elektoratit blu dhe pasi ka marrë opinionet e bazës është rikthyer në tryezë për të hartuar listën përfundimtare. Nga ana tjetër edhe Edi Rama ka ndërtuar strategjinë e respektimit të kontributeve duke bërë korrigjimet e fundit në listën rozë. Po kështu, Ilir Meta me stafin e tij ka pasur si obligim parësor daljen me kandidatë sa më dinjitozë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Por nga ana tjetër, edhe krerët kryesorë të partive të tjera thuajse e kanë konfirmuar zonën, ku do të kandidojnë. Kështu, Bamir Topi do të kandidojë në Tiranë, Skënder Gjinushi, në Vlorë, Paskal Milo në Tiranë, Dash Shehi, në Tiranë, Kreshnik Spahiu në Tiranë, Fatmir Mediu në Tiranë, Nard Ndoka në Shkodër, Shpëtim Idrizi në Tiranë e kështu me radhë. Por disa prej krerëve kanë ende të pazgjidhur dilemën nëse do të kandidojnë në një zonë të vetme, apo në të gjitha zonat, si edhe disa kryetarë presin akoma ndonjë mundësi për të kandiduar brenda listës së PD-së, apo PS-së.

 Në Shkodër dhe Lezhë

 Zbardhen emrat e kandidatëve për deputetë në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Partia Demokratike ka bërë ndryshime në listën e deputetëve aktualë në këto dy qarqe. Në listën e re, për zgjedhjet e 23 Qershorit bie në sy futja e të rinjve dhe rikandidimi i disa prej deputetëve aktualë. Listën e qarkut të Shkodrës e kryeson nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila ndiqet nga Fatbardh Spahia, ish -zëvendësministër i Shëndetësisë, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit Nishani. I treti në listë është deputeti aktual, Gjok Uldedaj, i cili garon në zonën e Bushatit. Kandidati i ri është ekonomisti Benet Beci i katërti në listë. Prej muajit tetor të vitit 2005, mban postin e Drejtorit Ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, institucion që administron hua dhe grante të shtetit shqiptar nga donatorë të huaj në fushën e implementimit të projekteve të infrastrukturës në mbështetje të pushtetit lokal. Arenca Trashani, Ndue Paluca, Ramiz Coba, Astrit Bushati rikandidojnë sërish, ndërkohë që, Vera Dragu mbyll listën prej 9 kandidatësh në qarkun e Shkodrës. Ndryshime pëson qarku i Lezhës me përjashtim të deputetit Edi Paloka, i cili kryeson listën. Ai ndiqet nga ambasadori ynë aktual në Britaninë e Madhe, Mal Berisha në Kurbin dhe Albina Deda në Mirditë. Gjok Vuksani rikthehet sërish duke kandiduar në Lezhë ndërsa Bardhok Rica kandidon në Kurbin. Po ashtu edhe Rajmonda Hoxha është kandidate e PD-së në zonën e Kurbinit. Partia Socialiste nga ana e saj nuk pritet të ketë shumë lëvizje të deputetëve në zonën e veriut të vendit. Pas debateve që u hapën brenda kësaj partie, për shkak të emrit të deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani është zbardhur lista e kandidatëve për deputetë në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Kështu në qarkun më të madh të veriut të vendit, në Shkodër, burime të sigurta nga Partia Socialiste bënë të ditur se, nuk do të ketë asnjë lëvizje nga lista e kandidatëve të vitit 2009. Pra, PS pritet të kandidojë sërish në Shkodër, Ilir Beqjen, sekretarin për programin, të cilit ju hoq mandati në Kuvend, pas një kërkese të bërë nga deputetët e PD. Ndërkohë vazhdojnë të qëndrojnë Astrit Beci, Tom Doshi, Paulin Sterkaj e Ndue Kola. Në Qarkun e Lezhës vihet re futja e emrave të rinj. Kështu Kryetarja e Njësisë Nr.1, në Tiranë, Lindita Nikolli është e para në listën e Qarkut të Lezhës. Atë e pason deputeti aktual Armando Prenga e më pas futen dy emra të rinj, Arben Noka dhe Eduard Ndreca. Në listë vijon të qëndrojë edhe deputeti Gjovalin Kadeli, ndërkohë që, largohet Gjok Jaku. Gjithsesi këto janë listat jozyrtare dhe deri në përfundim të afatit ligjor për depozitimin e emrave në KQZ ka ende vend për lëvizje.

Kandidatë për deputetë

 Në Tiranë, lista fillon me emrin e Kryesocialistit, Edi Rama, ndërkohë që, Arta Dade, vjen në kryeqytet pasi më parë ka qenë deputete e Qarkut të Gjirokastrës. Po kështu, thuhet se, Ilir Beqja, vjen këtë radhë si kandidat i Tiranës, por gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia e kandidimit të tij në Shkodër. Ndërsa në Korçë, shkon për këtë legjislacion, si kandidat Bashkim Fino, i cili aktualisht është deputet i Fierit. Ndërkohë, Ben Blushi, shkon nga Korça në Elbasan dhe Arben Ahmetaj nga Korça në Gjirokastër. Ndërsa Erjon Braçe kalon nga Berati në Tiranë, ndërkohë që, Lindita Nikolli kandidon për herë të parë si kandidate, pasi aktualisht është kryetare e Minibashkisë numër 1 në Tiranë. Nga ana e tij, Parid Cara, kandidon për herë të parë në Qarkut e Tiranës, por për zonën e Kavajës. Aktualisht, ai është biznesmen në Itali, ndërkohë që, Sadri Abazi, ikën nga Dibra e kthehet në Tiranë. Ndërsa në Gjirokastër, aktualisht kandidojnë Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Vladimir Kosta dhe Anastas Angjeli, i cili është në pikëpyetje pasi ka një imazh të keq dhe mund t’i humbasë shumë vota të së majtës. Në Fier, Gramoz Ruçi është në krye të listës, por aty shkon Eglantina Gjermeni, e cila ka qenë deputete e Tiranës. Në listën e Fierit për herë të parë ndodhet edhe emri i Ilirjan Celibashit, i cili njihet si ish- kreu i KQZ-së, në një nga legjislacionet e kaluara.

Ndërsa në Qarkun e Beratit, PS paraqitet me defekte sepse, kandidimi i Namik Dokles  mund të bëjë që një pjesë e mirë e votuesve të Qarkut Berat, Kuçovë dhe Skrapar t’ia japin LSI-së, duke e bërë me dy deputetë fitues. Dhe nëse në vend të Dokles, në Berat, mund të shkojë Eduart Shalsi, LSI merr vetëm 1 deputet dhe PS merr 5 deputetë.

Ndërsa në Lezhë listën e nis Mimi Kodheli, Armando Prenga, Arben Ndoka dhe Ndrec Deda.

Dhe në Vlorë, Valentina Leskaj do kryesojë listën e PS-së, pasi ikën nga Elbasani

Ndërsa në Elbasan, listën do e kryesojë Ben Blushi duke vijuar më poshtë me Evis Kushin e Alfred Pezën. Tanimë në Dibër, është publikuar emri i Shkëlqim Canit, i cili do të kryesojë listën, ndërkohë që, prej andej largohet Sadri Abazi dhe në Kukës Vexhi Muçmata, ndodhet në krye të listës.

 Kandidatët blu

Kryedemokrati Berisha do të kryesojë listën e Tiranës, ndërkohë që i dyti në listë është zëvendëskryeministri aktual dhe njëkohësisht ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Ndërsa në Qarkun e Fierit listën blu e kryeson Sokol Olldashi dhe pas tij vjen Enkelejd Alibeaj, por nuk përjashtohet mundësia e rokadës së Alibeajt me Mesila Dodën.

Ndërsa në Elbasan, listën e kryeson Shefqet Deliallisi, Mimoza Hasekiu, Ardjan Turku dhe Dashnor Sula. Nuk përjashtohet aspak mundësia e ndryshimit të renditjeve të tyre deri në momentet e fundit. Ndërsa në Vlorë lista kryesohet nga Astrit Patozi dhe Ardian Kollozi. Në Shkodër, lista kryesohet nga Jozefina Topalli e pas saj me radhë, Benet Beci

Greta Koçi, Astrit Bushati, etj.. Duhet thënë se deri në fund listat do të rishikohen disa herë dhe pozicionet e kandidatëve mund të ndryshojnë vendet deri në minutat e fundit të afatit përfundimtar.