Kanabisin e mbollën zyrtarët e shtetit

540
Kokëdhima, sulm Ramës: Kanabisin e mbollën zyrtarët e lartë të shtetit
Themeluesi dhe drejtuesi i partisë ZGJIDHJA kritikon kryeministrin dhe PS-në: Zgjedhjet do të jenë të manipuluara e të rrënuara

Themeluesi dhe drejtuesi i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, është shprehur se baza e Partisë Socialiste ndihet e tradhtuar nga lidershipi i saj. “Baza e Partisë Socialiste është tradhtuar nga ana e lidershipit të saj. Edi Rama, por edhe liderët e tjerë politikë në vend, kanë tradhtuar idealet e bazës. Unë jam për reformimin e PS-së, për të diskutuar brenda kësaj partie politike. Unë kam publikuar pikëpamjet e mia gjatë 3 viteve që jam aktiv në politikë. Unë kam parë aty se PS ishte e shkatërruar prej udhëheqjes së vet, atyre që ishin në krye të partisë”, tha Kokëdhima.

Gjithashtu, Kokëdhima u shpreh se reforma në drejtësi ka rënë, së bashku me reformën zgjedhore. “Unë them që reforma në drejtësi ka rënë, së bashku me reformën zgjedhore. Lidhur me reformën në drejtësi, dua të them se kam qenë kundër shkeljes të sovranitetit kombëtar. Ndërkaq, që reforma zgjedhore ka rënë, për shkak se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fillimisht e nisi Partia Demokratike kulturën e vjedhjes së votave, kurse më tej e nisi edhe PS. Të dyja palët kanë shkatërruar sistemin zgjedhor në vend. Edhe këto zgjedhje do të jenë të manipuluara dhe të rrënuara, për shkak se nuk është kryer reforma zgjedhore dhe do të kryhen krime elektorale”, shtoi Kokëdhima.

Ndër të tjera, Kokëdhima foli edhe për marrëdhënien me Edi Ramën. Themeluesi i partisë ZGJIDHJA u shpreh se për 30 muaj, aq kohë sa ka qenë deputet, ka punuar me ndershmëri. “Unë kam qenë vetëm 30 muaj deputet. Për sa kohë që kam qenë deputet, kam shërbyer sa kam mundur. Unë kam bërë shumë në atë punë që kisha, duke qenë i ndershëm në gjithçka. Kam punuar gjithashtu për bashkimin e të majtës në Shqipëri. Unë kam qenë personi që kam dashur të bashkoj Ramën dhe Metën e që e kam arritur këtë gjë. Sa herë që Rama më ka dëgjuar mua, PS ka fituar dhe kur nuk më ka dëgjuar, ka humbur. Unë kam qenë gjithmonë një njeri sfidant dhe do të ngelem i tillë deri në fund të jetës sime. I kam hyrë politikës për t’iu shërbyer njerëzve, popullit shqiptar dhe kam bërë punë vetëm të mira”, tha Kokëdhima. Ai shtoi se ka kontribuar gjithmonë për bashkimin e të majtës në Shqipëri. “Unë kam qenë gjithmonë i majtë. Mendoj se e majta në vend përbën shumicën. Populli shqiptar është i majtë në bindje. Kjo e majtë që është shumicë dërrmuese për fat të keq është tradhtuar. Pushteti vetëm ka manipuluar popullin shqiptar”, nënvizoi Kokëdhima. Ai shtoi se ishte i zhgënjyer nga klasa politike, sepse ajo është duke tradhtuar interesat e bazës. “Kam qenë dhe do të jem gjithmonë, që e majta të mund të bashkohet fuqishëm dhe kështu do të ishte e fortë. Por mendoj se e majta shqiptare përfaqësuese ka tradhtuar idealet e popullit”, tha Kokëdhima.

Ish-deputeti Koço Kokëdhima është shprehur se vendi drejtohet nga një kastë politike. “Ne drejtohemi nga një kastë politike. Kjo kastë ka pushtuar popullin shqiptar. Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm ku deputeti i Lezhës shkon në Korçë dhe ai i Korçës shkon në Lezhë. Gjithashtu jemi ndër të vetmit vend ku kryetari i partisë vendos për gjithçka dhe ai i vendos se kush do të jetë deputet dhe kush nuk do të jetë. Kjo është e rëndë. Unë kam qenë një njeri që kam qenë në opozitë me kryeministrat shqiptarë me radhë. Unë jam një biznesmen i suksesshëm, që jam goditur nga ana e shumë pushteteve. Unë jam një njeri antikastë. Ne jemi i vetmi vend në botë ku vidhen votat”, tha Kokëdhima. Ai është shprehur se situata e mbjelljes së kanabisit është një realitet që dihet nga të gjithë. “Nuk kam qenë unë që kam bërë Shqipërinë si vend të kanabisit. Kanabisin e bënë zyrtarët e lartë të shtetit, e bënë drejtorët e policisë, që kanë bashkëpunuar me krimin. Nëse dikur kishim një Lazarat, tashmë e gjithë Shqipëria është mbjellë. Është e rëndë që punonjës të Policisë së Shtetit të bashkëpunojnë me kanabistët dhe gjithashtu edhe me fshatarët. Nuk ka qenë ndonjëherë situata kaq e rëndë e mbjelljes së kanabisit në vend”, tha Kokëdhima.
Media italiane: Mirë se vini në Kanabistan
“Mirë se vini në Kanabistan! Mes plantacioneve, kallashnikovëve dhe politikës. “Mekës” evropiane të marijuanës”. Është ky titulli i një reportazhi të gjatë, gati 13 faqe të revistës “Millenium”, që del në print së bashku me gazetën italiane “Il Fatto Quotidiano”. Në edicionin e muajit, maj ka një reportazh të gjatë për Shqipërinë. “Shqipëria është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i “barit” në kontinent. Kështu, çdo natë në brigjet e Pulias ndodh çdo natë përsëritet lufta e skafistëve me Guardia Di Fiananza. Varfëria i jep dorë kultivimit të drogës, por ky biznes vlen 4 miliardë euro, një e treta e GDP-së. Ndërkohë mazhoranca dhe opozita po shkojnë drejt zgjedhjeve duke akuzuar njëra tjetrën për marrëveshje të fshehta me trafikantët”, thuhet në hyrje të këtij reportazhi, citon “Lapsi”.

Një pjesë e rëndësishme e këtij reportazhi i kushtohet Kelmend Balilit, i konsideruar tashmë si “Eskobari i Ballkanit”. Një tjetër anë e prekur në këtë reportazh është kriza politike që mban të mbërthyer politikën shqiptare. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën. Qeveria thotë se opozita nuk e do reformën në drejtësi dhe mbron gjyqtarët e korruptuar, ndërsa opozita thotë se qeveria është e lidhur me kanabisin.
Sigal