Kalon buxheti i Bashkisë së Tiranës

463
Sigal

Opozita votoi kundër, këshilltarët e maxhorancës miratojnë buxhetin e Bashkisë së Kryeqytetit

Me 28 vota pro të maxhorancës është miratuar buxheti për vitin 2013 për Bashkinë e Tiranës në vlerën 80 milionë dollarë. Aldrin Dalipi, kryetar i grupit të këshilltarëve bashkiakë socialistë: Ne kemi nevojë për politika zhvillimi realist dhe jo gënjeshtra që u doli boja si torta e rekordit të turpit, por është e vështirë që ju sot ta pranoni sepse qytetari është një njeri i rëndomtë ndërsa pushteti është mbi qytetarin, ndaj në emër të grupit që përfaqësoj, ju bëj me dije votën kundër mashtrimit të madh që keni paraqitur. Adriana Berberi, këshilltare PS: Diskutimi i një projekt-buxheti kërkon të analizohen të ardhurat, të analizohen një nga një. Po a është e mundur kjo në rastin e këtij projekt-buxheti? Kjo është e pamundur për arsyen e vetme, mungesa e dëshirës tuaj për të qenë transparent. Nëse ju jeni mbështetur mbi ecurinë, përse nuk e bëni publike këtë ecuri? Që ju e keni, padyshim që kjo nuk ka asnjë diskutim, por që nuk e jepni sepse nuk i keni realizuar ato. Plani i të ardhurave nuk është realist.

Jorida Tabaku, nënkryetare e Bashkisë: Kanë filluar një periudhë konsultimesh që nga muaji shtator deri në muajin nëntor për t’u mbyllur me konsultimet e dyta në nëntor ku u prezantuan projektet konkrete, projektet e investimeve, mbi 100 më shumë se sa vjet, për të vijuar me një paketë investimesh për 4 vite të mandatit të zotit Basha prej 204 milion dollarësh. Socialistët akuzuan Bashkinë e Tiranës për reduktim të investimeve dhe shtim të shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore për shkak të shtimit të punonjësve në strukturat e bashkisë si  inspektorë taksash dhe policë bashkiakë. Nga ana tjetër kanë theksuar mbylljen e 3850 bizneseve për shkak të rëndimit e taksave. Gent Gazheli, këshilltar socialist: Në Tiranë qeveriset më keq dhe vidhet më shumë. Për atë që thuhet këtu që biznesi po lulëzon, janë 3850 biznese që kanë falimentuar. 21 mln dollarë të shpenzuara vetëm për paga, lista e punonjësve në Bashkinë e Tiranës, nga 2893 në 3364, impakti që japin është 3.7 mln dollarë. E keni akuzuar zotin Rama pafund se lekët e taksapaguesve i çonte për stafin.

Jorida Tabaku, nënkryetare e Bashkisë:  Të gjitha shtesat që vijnë janë kërkesa nga minibashkitë. Mund ta diskutoni me zonjën Jeta Seitaj, me zonjën Lindita Nikolla që në zyrën e kryetarit kanë bërë këto kërkesa dhe që janë diskutuar me ne. Janë funksione që do të delegohen, do të decentralizohen së bashku me funksionin e njësisë së mbrojtjes së fëmijëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka argumentuar se buxheti i këtij viti mbështetet në tre shtylla kryesore dhe se shtimi i punonjësve është kërkuar nga minibashkitë në kuadër të decentralizimit të tyre. Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës: Ky buxhet mbështetet në tre shtylla kryesore, zhvillimi ekonomik dhe punësimi në qytetin e Tiranës, cilësia e jetës në çdo cep të kryeqytetit dhe zhvillimi i perspektivës së Tiranës europiane. Më lejoni të them që e vetmja metodologji për t’i përkthyer këto 3 prioritete në një buxhet është ajo që ju kam premtuar dhe i mbetem besnik; transparenca, konsultimi, gjithëpërfshirja. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak është miratuar ulja e taksave në masën 30 % për libraritë dhe luleshitësit në qytet e cila është votuar unanimisht.