“Kali i Trojës në Partinë Socialiste

540
Sigal

Rusmajli zbardh (në Komisionin e Ligjeve) marrëveshjen PD-PS që ndarja e mandateve të bëhet në Kuvend

“Telegraf”-i zbuloi marrëveshjen PD-PS për ndarjen e mandateve

Më 21 janar 2013, gazeta “Telegraf” zbardhi për herë të parë marrëveshjen e fshehtë PD-PS, për ndarjen e mandateve, pavarësisht sfondit konfliktual  dhe ngërçit, që jepet në KQZ nga këto dy parti. Titulli i gazetës, botuar në faqen 3 është: “ PD-ja dhe PS-ja janë pjesë e lojës për mandatet e deputetëve” dhe citojmë “Dhe ndarja e mandateve të deputetëve, pavarësisht, se duket sikur po kthehet në konfliktualitet politik, mund të jetë një marrëveshje e prapaskenave politike midis Berishës dhe Ramës”

Rusmajli zbardh marrëveshjen PD-PS për ndarjen e mandateve

Dje, në Komisionin e Ligjeve, kryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmajli, ndoshta sepse donte që të ironizonte deputetët e PS-së, të cilët përpiqeshin me argumente të mbështetura në Kodin Zgjedhor, të dëshmonin sa antiligjor është ndarja e mandateve nga Kuvendi, u thotë deputetëve  të PS-së: “Ikni dhe kërkojani Gramozit ( Ruçit)”.

Ruçi dhe Dokle kanë bërë kompromis me PD-në për ndarjen e mandateve

Në  datën 17 janar 2013, në Konferencën e Kryetarëve u vendos që ndarja e mandateve për zgjedhjet e 2013-s të futej në Programin e Punës. Aty Gramoz Ruçi  si kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së,  por edhe Namik Dokle, sipas burimeve të mirinformuara të “Telegraf”,  kanë  biseduar  me Jozefina Topallin  dhe kanë rënë dakord që ndarja e mandateve të bëhet në Kuvend.  Këtë kompromis, Gramoz Ruçi e ka marrë pa u konsultuar fare me PS-në dhe, më keq, as më vonë, nuk e ka informuar as Kryetarin e PS-së. Ndërkohë, anëtarët e KQZ-së që janë zgjedhur nga opozita, përfaqësuesit ligjorë të PS-në në KQZ, deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve, që nuk kanë asnjë dije për kompromisin Ruçi- Dokle me PD-në,  po bëjnë përpjekjet politike që KQZ-ja të bëjë ndarjet e mandateve, në bazë të kompetencave që i jep Kodi Zgjedhor. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, që rrallë flet, por gjithnjë fjala e tij ka  njohjen e gjërave në thellësi dhe mirinformimin, ndoshta dje, në Komisionin e Ligjeve, u nxitua, apo qëllimisht u tha, nuk jemi të sigurt ta themi me siguri- nëpërmjet ironisë dhe cinizmit kundër kundërshtarëve, që e karakterizojnë fjalën e tij-  u tha deputetëve të PS-së, që lodhen kot me argumentet ligjorë, me përpjekjet politike që bëjnë për të penguar një vendim që është marrë në një vend tjetër, nga të tjerë, teksa u tha haptazi: “Ikni dhe kërkojani Gramozit”, përse mandatet  duhen ndarë në Kuvend dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër, që KQZ-ja të rishqyrtojë ndarjen e mandateve. Me ironinë dhe cinizmin e tij Rusmajli, duke i adresuar deputetët e PS-së te Ruçi e Dokle, u lë të kuptojnë se “Zotërinj, këtu lodheni kot, Ruçi e Dokle na e dhanë konsensusin”.

Çfarë roli luajnë në PS, Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, derisa shesin parimet e socialistëve?

Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, duke bërë paraprakisht – në prapaskenë- marrëveshje me PD-në, edhe për ndarjen e mandateve, së pari vënë në siklet PS-në dhe nga ana tjetër, vënë në “gjumë” edhe ndërkombëtarët, që s’mund apo nuk u interesojnë të kuptojnë bisedimet e prapaskenave, duke u thënë që- pavarësisht nga  shkalla e zbatimit të ligjeve- kryesorja është që PS-PD  të gjejmë kompromisin. Lojën e kujt bëjnë Ruçi e Dokle, që bëjnë kompromise me PD-në në prapaskenë?- lind pyetja.  Ky kompromis është në interesin politik  të PS-së? Në të mirën e Kryetarit të PS-së?  Dhe, tek e fundit, përse zotërinjtë Ruçi e Dokle nuk kanë informuar PS-në? Kryesinë dhe Kryetarin e PS-së? Kompromisin për ndarjen e mandateve nga Kuvendi, Ruçi e Dokle e bënë si përfaqësues të PS-së, apo si kryerje të misioneve në shërbim të të tjerëve? Kompromisi i dhënë nga Ruçi në Konferencën e Kryetarëve është në kundërshtim të plotë me qëndrimin publik të PS-së, duke vënë në pozicion të vështirë përfaqësuesit e PS-së në KQZ, por edhe në Komisionin e Ligjeve. Pyetja shtrohet: A është një keqkuptim kompromisi i Ruçit  me PD-në, për ndarjen e mandateve në Kuvend? Apo ka qëllime të tjera dhe Ruçi më shumë punon për t’u bërë hyzmet interesave të tij personale?  Dhe më tej: Cilat arsye e detyruan Ruçin e Doklen në bëjnë kompromis në prapaskenë me PD-në duke ia fshehur të vërtetën PS-së e Edi Ramës? Ruçi, jo rrallëherë e ka vënë PS-në dhe Kryetarin e PS-së, Edi Ramën, në pozicione të vështira, që me qëndrime të dubluara, në fillim ka qenë për politika të caktuara dhe, njëkohësisht, me metodat e tij të kompromiseve në prapaskenë me kundërshtarët, në fund bie dakord për vendime  tejet të kundërta nga qëndrimi i parë dhe  me një produkt të dëmshëm për PS-në. Me qëndrime, në dukje, parimore,  edhe pse mund të prodhojnë konfliktualitete, që nuk ndihmojnë në arritjen e konsensusit  politik transparent, Gramoz Ruçi përkujdeset që të krijojë një imazh të padiskutueshëm, autoritar te PS-ja. Ndërsa te kundërshtarët politikë, duke qenë njeriu i prapaskenave politike, do t’u përcjellë mesazhin, e një njeriu vendimmarrjeje dhe të njeriut të vetëm, me të cilin mund të arrijnë atë që kërkojnë. Dështimin e politikës të PS-në në procesin e zgjedhjes të Presidentit, ku PS-ja bojkotoi, duke mos dhënë kandidaturë, është produkt ekskluziv i politikës (personale) të Ruçit dhe Dokles, të cilët kanë ndikim në vendimmarrjen e Kryetarit të PS-së. Ruçi luajti njëkohësisht në shumë objektiva, luajti edhe kartën e dyfishtë (edhe) me Nanon, por që veçse aksidentuan imazhin politik të PS-së dhe të Kryetarit të PS-së, Edi Rama. Atëherë pyetja e fundit që kemi, është: Mos vallë Ruçi ushqen për vetveten shpresën që një ditë të bëhet ai numri një i PS-së, duke i gërmuar fundin Kryetarit të tanishëm të PS-së?