Kabuli, qyteti i trëndafilave që lulëzojnë në erën e barutit, ku edhe shqiptarët po vënë gurin e themelit

551
Sigal

Flet Anila Basha, drejtoresha e shqiptarja.com e përzgjedhura e zyrës së shtypit të NATO-s, për ndryshimet e reja në Afganistan

E ka filluar karrierën e saj që kur ishte 18 vjeçe, studente e vitit të parë në Universitetin e Tiranës në degën e Gazetarisë. Sot drejton një gazetë të suksesshme që për një vit, ka arritur të ecë në treg me një hap të sigurt e të suksesshëm, siç është shiptarja.com. Dhe më në fund, sapo ka mbërritur nga Afganistani në një mision MOLA Tour (Media Opinion Leader in Afganistan), e përzgjedhur nga stafi i medias i NATO-s për të parë për më shumë se 1 javë realitetin në Kabul. Ajo është 36-vjeçarja Anila Basha që është e gatshme të flasë për këtë eksperiencë të jashtëzakonshme në Afganistan.

 Anila, mund të na thuash sesi u përzgjodhët për këtë mision në Afganistan?

Po, NATO, kohë pas kohe organizon ture gazetarësh ndërkombëtarë, për të ndjekur nga afër situatën në terren në Afganistan, aty ku trupat e koalicionit ndërkombëtar, do të duhet të largohen në fund të vitit 2014 dhe gjithë pushteti do t’i kalojë qeverisë afgane. Për mua, ishte privilegj që u zgjodha me dy gazetarë ndërkombëtarë, një koleg i “The Guardian” dhe një tjetër koleg italian i “Il Quotidiano”. Në fund të fundit, të uleshe me zyrtarët e zyrës së shtypit të NATO-s dhe me këta kolegë për 1 javë të tërë, duke folur jo për çështje të vogla, por për misione ndërkombëtare gazetarësh e politika globale pse jo dhe të gazetarisë, ishte një eksperiencë e paharrueshme. Kjo, ishte ana tjetër e asaj se çfarë realisht pamë dhe vumë re në terren, duke takuar zyrtarë të qeverisë së Afganistanit, të shoqërisë civile, deputetë, ushtarakë, gjeneralë afganë, në strukturat e policisë, po edhe me zyrtarët e trupave të ISAF.

Po në fakt, ka vlerë shprehja: “jemi bërë si Kabul”?

Oh, kjo është një tjetër shprehje që ia vlen të thuhet. Sigurisht në Tiranë dhe në çdo qoshe të Shqipërisë nuk mund të jemi në asnjë situatë si në Kabul. Përsa pashë me sytë e mi, vendi që ka më shumë se 30 vjet në luftë, dukej i lodhur dhe i rrënuar. Që në aeroport, rojat e sigurisë dhe policisë nga prezantimi i tyre të bëjnë të kuptosh se shteti është i varfër. Edhe pse kanë uniforma të reja, ka shumë gjëra që lënë shumë për të dëshiruar. Aeroporti nga ana tjetër ishte një godinë që dukej sikur të ishte e braktisur prej vitesh. Rrugët në një gjendje të mjerueshme. Mbi Kabul, endej një re e vazhdueshme pluhuri që dukej sikur nuk ikte asnjëherë. Dhe siç më thanë në Kabul, kjo është e përhershme. Qyteti është i ruajtur nga të gjitha anët me roje të sigurisë, me policë, me ushtarë. 5 milionë banorët e Kabulit ecnin të qetë nëpër rrugë, një qetësi që unë nuk e di se nga u vjen, ose nga lodhja e tepërt e pritjes së gjatë të burgosur brenda shtëpive të tyre, ose nga fakti se nuk kanë asgjë tjetër për të bërë veçse të shijojnë qytetin pa talebanë. Nëpër rrugë, sheh makina shumë të vjetra. Edhe ato që janë sjellë nga forcat e koalicionit ndërkombëtar, duket se janë vjetërsuar shumë në rrugët e shkatërruara. Qyteti ka kapacitet nëpër rrugë për 100 mijë makina, por aty janë mbi 800 mijë. E krijohej një kaos dhe një trafik që zor se mund të dilje prej andej pa kaluar disa orë. Nëpër rrugë e nëpër institucione shihje pllaka betoni të larta, për të bllokuar trafikun e të mos lejonin depërtimin e kamikazëve talebanë për të arritur targetet e tyre. Policët, mbajnë një shall për të mbuluar hundën, në efekt të parë të duken si “terroristë” por kjo bëhet për t’u mbrojtur nga pluhuri. Ndërkohë mësova se, Kabuli dhe në përgjithësi Afganistani është qyteti i trëndafilave dhe gjatë pranverës e verës, ato krijojnë një peizazh të mrekullueshëm. Por këtë, vetëm ma treguan sepse unë asnjëherë nuk e pashë. Kjo ishte përshtypja ime e parë për Kabulin.

Në aspektin gazetaresk, a ishte një eksperiencë e vlefshme?

Patjetër, sidomos në aspektin profesional, mëson kaq shumë detaje sidomos për gazetarë shqiptarë në një terren shumë larg Shqipërisë. P.sh edhe detaje të tipit se duhet të merrje nga Shqipëria një “sleeping bag” në momentin që ne shkuam në kampin e ushtarëve amerikanë dhe britanikë në zonën e vështirë të Helmand-it. Aty për herë të parë mes gjithë atyre ushtarëve, më qëlloi të jetoja në tendat e tyre, madje me të njëjtin regjim si ushtarët. Zgjimi në orën 5:30 të mëngjesit, e pastaj në mensë e mandej fillimi i punës, ku përfshiheshin kontakte me zyrtarët e lartë të bazës, siç ishte zv.komandanti i forcave të ISAF në bazën e Helmand-it, që është në drejtimin e 17 mijë ushtarëve, apo edhe gjeneralin që drejtonte trupat afgane, po prej 17 mijë ushtarësh. E pastaj aty zbulohej fronti, strategjitë, hartat, vendosja e talebanëve, akuza e zëshme dhe nënzëshme për Pakistanin dhe mbështetjen që u jep me strehim e të ardhura talebanëve që, sipas statistikave në Ministrinë e Brendshme të Afganistanit, na thanë se numërohen mbi 14-15 mijë ushtarë, të cilët nuk është e thjeshtë t’i thyesh: ata luftojnë në emër të Xhihadit. Sapo ikëm nga baza e u rikthyem në Kabul pamë tjetër realitet: Kishte gjeneralë edhe analfabet, sikurse më krijoi përshtypjen shefi i policisë së Kabulit, apo femra të zgjuara siç ishte Kryetarja e Komitetit Antikorrupsion Seema Ghandi.

Meqë folët për femrën, si ishte situata e femrës në Afganistan?

Gjatë qeverisjes së talebanëve, femrat nuk mund t’i gjeje askund përveçse në shtëpi dhe totalisht të mbuluara. Ndërsa në aktualitetin që jetonin ato ditë, kur unë qëndrova në Kabul, i gjeje në të gjitha institucionet duke punuar, shumica e tyre kishin filluar punët si mësuese në shkollat e reja të rindërtuara, shumë prej tyre punonin në administratë, e në shoqërinë civile dhe 69 ishin parlamentare në Kuvendin e Afganistanit. Po, shamia në kokë ishte e detyrueshme, madje edhe bluzat të gjata që të mbulonin vithet. Ka shumë projekte të organizmave ndërkombëtarë, të përqendruar më së shumti në përfshirjen e femrave në procesin e votimit, në shkollimin, ndjekjen e universitetit, pra në tërësi politikat gender.

Gjithçka po lëviz me shpejtësi në Afganistan. Që do të thotë se Afganistani po zhvillohet dhe se njerëzit kanë nevojë të shohin ndryshimin e madh. Shumë institucione dhe qeveri të vendeve perëndimore po investojnë shumë dhe vendi ka filluar të ndryshojë.

Po ju vetë nuk patët frikë? Gjithmonë dëgjojmë për sulme vetëvrasëse apo kamikazë…

Në fillim e prita me shumë dëshirë dhe kuriozitet. Pastaj firmosa disa dokumente në të cilat thuhej që nëse më ndodhte gjë, gjithë procedurat duhet të kryheshin nga ndërmarrja që unë punoj. Kjo sigurisht shtoi ndjenjën e frikës. E mandej prindërit, që u shqetësuan shumë. Mamaja më thoshte se pse duhet të shkoja unë dhe nuk duhet të shkonte dikush tjetër. Por gjithçka ishte vendosur. Në zbritjen në Kabul, eskortat e NATO-s që na shoqëronin ne tre gazetarëve, ishin aty me dy makina. Nuk na lejuan që të lëviznim lirshëm në qytet apo të pashoqëruar. Largimi drejt bazës së Helmand-it nga Kabuli u bë me avion luftarak të USA ndërkohë që në atë zonë lëviznim me Helikopter. Pra më duhet të them se masat e sigurisë ishin në shkallë maksimale.

A mundët të takonit ushtarët tanë që shërbejnë në Afganistan?

Jo, në kalendarin e takimeve dhe gjithë vizitave tona nuk ishte përfshirë ndonjë takim me trupat shqiptare që janë vendosur në Afganistan, në bazën e Heratit. Në Afganistan shërbejnë 199 ushtarë shqiptarë. Por unë sigurisht u bëra shumë kurioze të shikoja se ç’ndodhte, a kishte apo jo shqiptarë. Dhe u habita nga ajo që zbulova, janë me dhjetëra shqiptarë që janë përfshirë në projekte të ndryshme pune në Afganistan. Me organizatat ndërkombëtare. Takova atje Valentina Hoxhën, ish- dekanen e Fakultetit Juridik në Shqipëri gjatë vitit 1993. E zhgënjyer nga Shqipëria, ajo ka marrë një pasaportë amerikane dhe është vendosur në SHBA. Por që lëviz me projekte të ndryshme, këtë radhë e vendosur në Kabul në një projekt të UNDP për forcimin e kapaciteteve njerëzore. Ajo është larguar e zhgënjyer nga Shqipëria, e këtu ka nënën e motrën e saj. Nuk ishte vetëm Vali, që më surprizoi me pasionin dhe gjithçka bënte në punën e saj ndërkohë që më tregon se do të qëndrojë atje për 11 muaj. Ishte edhe Merita që punonte për projekte të ndryshme të UNDP, ishte edhe një vajzë kosovare që kishte ardhur me projekte të UN. Aty zbulova një copëz Shqipëri të vogël dhe u ndjeva krenare që edhe shqiptarët po jepnin kontributin e tyre jo vetëm në kuadër të ushtrisë së forcave ndërkombëtare, por edhe për rindërtimin e Afganistanit dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore.

Po në aspektin e bisedave me gazetarët ndërkombëtarë?

Kjo ishte një tjetër aspekt ndryshe i kësaj vizite. Bisedat gjatë darkave me dy gazetarët e mediave ndërkombëtare dhe me dy zëdhënësit e NATO-s zhvilloheshin që nga kompleksiteti i ngjarjeve të Afganistanit, politikat e ndjekura nga NATO, përplasjet e qeverive të vendeve perëndimore për të pasur një mendim të përbashkët, e deri te një front i ri lufte që ndoshta do të hapet ose jo: Siria. Bisedat zhvilloheshin edhe në sensin nëse NATO ishte një organizatë, ku vendimet merreshin në mënyrë kolegjiale, apo ku SHBA është kryesorja që dirigjon gjithë organizatën. E pastaj se si po ndryshon media, cili është fokusi që kanë gazetarët për çështjet e ndryshme ndërkombëtare, nëse gazetaria e shkruar është duke humbur terren e duke u ngritur gazetaria vizive dhe ajo online; pse janë larguar gazetarët ndërkombëtarë nga Afganistani drejt Sirisë dhe a do të jetë ai targeti i ri i forcave ndërkombëtare apo edhe vetë Aleancës. Pra, bënim bisedë, duke pirë në “fshehtësi” nga një gotë verë në PUB-in e Hotelit Gandamack, ku edhe qëndronim (them në fshehtësi sepse në Afganistan nuk lejohen pijet alkoolike e një shishe verë kushton 80 euro), duke u marrë me çështje që e kalojnë politikën e brendshme të çdo vendi, aq sa më dukeshin krejtësisht të largëta debatet dhe diskutimet që ne bëjmë këtu brenda me politikë për Berishën e Edi Ramën.

A ka ndonjë gjë të veçantë që duhet të dimë dhe që juve u mbeti në mend nga Kabuli?

Po, hoteli “Gandamack” që qëndrova në Kabul, përpara vitit 2001 kur forcat e koalicionit ndërkombëtar sulmuan Afganistanin, ishte përdorur si vend i dy prej grave të Osama Bin Ladenit. Madje, edhe ky i fundit, strehohej aty sa herë kalonte në Kabul. Në 2001-n, këtë vend e bleu një kameraman i njohur britanik, i cili e ktheu këtë hotel, në vendqëndrimin e të gjithë gazetarëve ndërkombëtarë, të cilët për vite me radhë mbuluan të gjitha zhvillimet që ndodhën në vendin me 30 milionë banorë. E mua më vendosën meqenëse isha e vetmja femër, në dhomën më të mirë. I pyeta recepsionistët nëse përderisa kjo ishte dhoma më e mirë, aty do të kishte fjetur një ndër gratë e Bin Ladenit. Recepsionisti vetëm buzëqeshi.