Kabineti i ri dhe deputetët ministra

723
Sigal

Zbardhet projekti i orëve të fundit për kabinetin qeveritar, LSI 5 ministri, PBDNJ 1 ministri dhe Ngjela 1 ministri

Aleatët e PS-së kanë gati emrat e ministrave që do të zënë vend në kabinetin e ri qeveritar, ndërkohë që, selia rozë akoma nuk ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë prej individëve që do të bëjë pjesë në qeverisjen e re, e cila do të miratohet nga Parlamenti, në fillim të shtatorit. Njoftimi bëhet i ditur nga burime brenda partive që kanë arritur të marrin nga një ose më shumë mandate deputetësh. Këtu bën përjashtim Partia Kristian Demokrate e Dhimitër Musliut, që për votat e saj do të shpërblehet me një post zëvendësministri, për shkak të numrit të vogël që ka arritur të marrë nëpër qarqet e tjera të vendit. Nga ana tjetër LSI-ja, e cila do të përfitojë në bazë të marrëveshjes 4-5 ministra, deri tani ka lënë të nënkuptohet se emri i Shezai Rrokajt, do të zërë postin e ministrit të Arsimit, ndërsa Luan Rama dhe Ylli Manjani janë kandidatura të forta për qeverisjen e shtatorit. Natyrisht, në lidhje me emërimin e Shezai Rrokajt, kjo do të ndodhë nëse gjatë ndarjes së ministrive, ajo do t’i përkasë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe nëse, Ministria e Arsimit do të kalojë në dispozicion të Partisë Socialiste, atëherë, në këtë post do të shkojë, Ledi Shamku, e cila për shumë kohë ka qenë sekretare për arsimin në selinë rozë. Nga ana tjetër, Ardit Çela, i cili sapo ka mbyllur konkurrimin për deputet në zonën e Kombinatit, do të synojë të marrë postin e ministrit të Ekonomisë. Dhe më tej, dihet mirë se kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka kërkuar postin e titullarit të Ministrisë së Punës, ndërkohë që, sipas vendimit paraprak, ai duhet të lërë mandatin e deputetit, nëse do të përfshihet në qeveri. Për këtë arsye mandatin e deputetit do ta përfitojë, ish- kryebashkiaku i Himarës, Bollano. Ndërsa, Spartak Ngjela, kreu i PLD-së është në pritje të marrjes së postit për Ministrinë e Drejtësisë. Madje, këtë alternativë apo synim të tij, e ka publikuar vetë Ngjela duke nënvizuar se ka gjetur edhe dakortësinë e kryesocialistit Edi Rama. Në fakt, deri tani Rama nuk e ka konfirmuar deklaratën e Ngjelës, por për shkak të bashkëpunimit dypalësh që ka funksionuar për një kohë të gjatë, midis tyre, kjo mund të quhet punë e kryer. Ndërkaq, duke respektuar marrëveshjen paraprake, partia e Gjinushit, Milos, Koçit, etj., do të përfitojnë poste zëvendësministrash, ku do të inkuadrohen intelektualë të njohur të këtyre partive. Sepse liderët kryesorë nuk pranojnë të punësohen në nivele zëvendësministrash, apo drejtorësh të drejtorive.

Marrëveshja paraprake

Në bazë të marrëveshjes, Partisë Socialdemokrate të Gjinushit i takon një zv/ministër, si edhe disa poste në nivel Drejtorësh e Prefektësh. Konkretisht, në Qarkun Tiranë, Lezhë, Shkodër, Fier dhe Elbasan. Ndërsa Partisë Demokracia Sociale të Milos i takon një  zv/ministër dhe disa poste në nivel drejtorësh e prefektësh në Qarkun Tiranë, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Fier, Berat, apo Elbasan. Ndërsa Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e Vangjel Dules përfiton një post ministri, një zv/ministër, disa poste në nivel drejtorësh e prefektësh, në qarqet: Tiranë, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër. Po kështu PSV do të përfitojë dis aposte drejtorësh apo prefektësh, për të përmbushur kontratën parazgjedhore të firmosur me PS-në. Siç e thamë më lart, edhe Partia Kristian Demokrate e Dhimitër Musliut do të përfitojë një post zëvendësministri, për shkak të mangësive apo difekteve të kodit zgjedhor, nëpërmjet, të cilit sipas formulës, një parti me më pak vota, mund të marrë deputet kur ato vota janë të përqëndruara, ndërsa një parti që ka më shumë vota në total, mund të digjet pa përfituar mandat deputeti. Në bazë të marrëveshjes, Partia Kristian Demokrate do të përfitojë edhe poste në nivel drejtorësh e prefektësh, në Qarkun e Tiranës dhe Shkodrës. Kështu duke llogaritur faktin, se LSI do të marrë 4-5 parti, atëherë Partia Socialiste pritet të ndajë pothuaj gjysmën e kabinetit të saj qeveritar me aleatët.

Emrat që përfliten për ministrat

Disa prej emrave që përfliten, por pa u konfirmuar ende, janë: Saimir Tahiri në Ministrinë e Brendshme, Shkëlqim Cani në Ministrinë e Financave, Mimi Kodheli në dikasterin e Ekonomisë. Ministria e Shëndetësisë përflitet që të ketë si drejtuese, Klodiana Spahiun e PS-së, ose një përfaqësues të LSI-së.

Problemi kryesor për ta është heqja e mandateve, ose dalja nga Paralamenti. Por ky kushtëzim është bërë që në fillim me miratimin e përbashkët të kryesisë rozë, ku këto figura kanë qenë pjes ëe vendim marrjes. Sipas platformës paraprake, bien në sy se një pjesë e madhe e titullarëve janë femra. Natyrisht, këto emra mund të ndryshojnë dis aherë deri në ditën përmbyllëse të afatit, por tani për tani këta jan ëata që përfliten sipas burimeve në mjediset opartiake. Ndërkaq, thuhet se do të ngrihet, urgjentisht një grup i përbashkët pune, nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarit të kryesisë së LSI, Edmond Haxhinasto, për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para, që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator.

 Projekti i pakonfirmuar për kabinetin qeveritar

 Kryeministër – Edi Rama

 Ministër i Financave  – Shkëlqim Cani

 Ministër i Jashtëm – Roland Bimo

 Ministër i Brendshëm – Saimir Tahiri

 Ministër i Arsimit – Shezai Rrokaj (LSI)

 Ministër i Drejtësisë – Spartak Ngjela ose (LSI)

 Ministër i Kulturës – Artan Lame ose Auron Tare

 Ministër i Sporteve – Fidel Ylli

 Ministër i Mbrojtjes – Luan Rama (LSI)

 Ministër i Transporteve -Ylli Manjani (LSI)

 Ministër i Integrimit  – Klajda Gjosha (LSI) ose Erjon Veliaj

 Ministër i Bujqësisë – Ervin Bushati

 Ministër i Shëndetësisë – Klodiana Spahiu

 Ministër i Ekonomisë – Mimi Kodheli

 Ministër i Teknologjisë – Milena Harito

 Ministër i Punës – Vangjel Dule (PBDNJ)

Marrëveshja

Partia Socialiste firmosi një marrëveshje me të gjithë aleatët e saj, në nisje të fushatës së zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe mbi bazën e saj, tashmë pritet të ndahet edhe torta e pushtetit. Kështu, në këtë marrëveshje të firmosur nga 37 partitë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane thuhet se: “Pas fitores në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike”. “Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, vijon marrëveshja. Ndërkohë që, kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve, por kjo duhet të konsultohet me partitë e tjera.

Postet

Sipas përllogaritjeve të votave, Lëvizja Socialiste për Integrim është partia që mund të përfitojë 4 deri në 5 ministri, pasi në këto zgjedhje ajo ka arritur të marrë afërsisht 200 mijë vota. Por tashmë është folur se edhe kryetari i Kuvendit do t’i përkasë LSI-së, përpos posteve të tjera në nivel lokal. Nuk dihet nëse vetë kreu i LSI-së do të pranojë të bëhet kryetar i Kuvendit apo këtë do ta marrë dikush tjetër nga LSI. Ndërkaq, në bazë të marrëveshjes, janë dy prej partive të koalicionit të madh të PS-së që do të përfitojnë poste ministrore. PBDNJ ka fituar një mandat deputeti, ndaj edhe ka pretendimet për të drejtuar një ministri. Edhe Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë me marrjen e një mandati në Kuvendin e Shqipërisë, fiton automatikisht të drejtën për të kërkuar edhe një dikaster në qeverinë “Rama”. Por ende nuk është përcaktuar se cilën ministri, pasi kjo, po sipas marrëveshjes, do të diskutohet dhe nuk do të jetë thjeshtë një dëshirë e kristiandemokratëve. Një tjetër kryetar, Spartak Ngjela i Partisë Ligj e Drejtësi ka deklaruar publikisht se ka një marrëveshje me Ramën për një post ministri, pavarësisht se në total, PLD ka marrë vetëm 2489 vota, gjë që nuk i jep asaj në bazë të marrëveshjesh këtë shpërblim. Ndërkaq, janë 5-6 parti në koalicion, të cilat në bazë të votave që kanë marrë në nivel qarku do të shpërblehen me drejtues në këtë nivel. Kështu PSD, pavarësisht një posti zv.ministri në qeveri, në qarqet e Tiranës, Lezhë, Shkodër, Fier e Elbasan, në bazë të marrëveshjes që është diskutuar në prill mund të marrë edhe poste në nivel drejtorish në rang qarqesh. Poste zv.ministrash mund të marrë edhe PBDNJ, PDS e Milos apo edhe PSV ’91, por gjithsesi kjo do të varet nga negociatat që pritet të fillojnë me partitë.

Partia Socialiste e Vërtetë PSV ‘91

– Poste në nivel drejtorësh e prefektësh

(Qarku Tiranë, Qarku Fier)

Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës

– Poste në nivel drejtorësh e prefektësh

Qarku Tiranë