Juristi jep argumentat/Ja pse është kaq e vështirë të sfidosh Presidentin

535
Sigal

Presidenca, përmes një deklarate për shtyp ka njoftuar se Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të japë mëngjesin e së hënës një konferencë për shtyp.

Konferenca e kreut të shtetit do të mbahet në orën 08:00, në ambientet e institucionit të Kreut të Shtetit.

Një ditë më parë, Ilir Meta shfuqizoi dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe në njoftim thuhej se do të shpjegonte dhe arsyet që e çuan në këtë vendimmarrje.

Vendimi i Metës ka shkaktuar shumë debat online dhe pritet që diskutimi me terma juridikë të vazhdojë.

Juristi Jordan Daci ka përgatitur një punim pikërisht për këtë situatë. Ndër të tjera, ai shkruan se datën e zgjedhjeve e përcakton vetëm presidenti dhe vetëm ai nxjerr dekrete.

“Kushtetuta e Shqipërisë parashikon pa asnjë ekuivok në nenin 92 të saj, që Presidenti i Republikës ‘cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve’. Ndërkohë, neni 93, përcakton që ‘Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete’. Pra, në rastin konkret, është pikërisht Dekreti Presidencial që shënon datën kur do të mbahen zgjedhjet dhe rrjedhimisht përbën bazën urdhëruese për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve,” shkruan Daci.

Më tej, juristi i njohur flet mbi datën e zgjedhjeve, dekretit të presidentit, shkarkimin e tij etj.

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon pa asnjë ekuivok në nenin 92 të saj, që Presidenti i Republikës ‘cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve’. Ndërkohë, neni 93, përcakton që ‘Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete’. Pra, në rastin konkret, është pikërisht Dekreti Presidencial që shënon datën kur do të mbahen zgjedhjet dhe rrjedhimisht përbën bazën urdhëruese për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve

Kjo kompetencë ushtrohet drejtpërdrejt dhe është tepër e qartë dhe nuk ka asnjë kufizim, përjashto kufizimin e nenit 65 të Kushtetutës, i cili nuk parashikon që mandati zgjat 4 vjet, por që Kuvendi zgjidhet çdo katër vjet (sikurse gabimisht po kuptohet nga shumë individë).

Kjo është normale, pasi një proces i tillë sikurse zgjedhjet politike të përgjithshme, nuk mund të jetë produkt i një përcaktimi kaq të ngurtë kohor pasi zhvillimi i zgjedhjeve diktohet nga shumë faktorë të njohur dhe të panjohur.

Kushtetuta nuk parashikon detaje mbi kohëzgjatjen e mandatit. Praktika e deritanishme ka lejuar ndryshimin e datës së zgjedhjeve disa herë më marrëveshje politike, të cilat konsiderohen si burime të normave kushtetuese, të cilat për nga burimi dhe rëndësia marrin rëndësi kryesore dhe rrjedhimisht qëndrojnë më lart edhe sesa normat kushtetuese, me përjashtim të parimeve themelore kushtetuese.

Dekreti Presidencial është qartazi një akt i pastër normativ. Rrjedhimisht, referuar nenit 131 të Kushtetutës, vlerësimi i kushtetutshmërisë së këtij dekreti bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Ky dekret mbetet në fuqi derisa të dalë një dekret tjetër ose të shfuqizohet vetëm dhe vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Shkarkimi i Presidentit të Republikës është një akt jashtëzakonisht i vështirë për t’u bërë dhe Kushtetuta parashikon kushte tepër të kufizuara për të realizuar një gjë të tillë. Shkarkimi bëhet me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetuta nuk lejon pezullimin e Presidentit nga momenti kur merret vendimi i Kuvendit deri në momentin kur merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, shkruan në punimin e tij Jordan Daci.

Siç duket, mungesa e Gjykatës Kushtetuese në këtë rast po i kthehet në një efekt bumerang kryeministrit Edi Ramës.