Juristi Gerdi Xhanari: Komandimi i anëtarëve në Gjykatën e Lartë është lojë provokuese e qeverisë, e EURALIUS apo e të dyve?

532
Sigal

Me emërimet e komanduara. Kryeministri do të marrë peng edhe Gjykatën e Lartë, sikurse kapi Kryeprokuroren

 

Juristi Gerdi Xhanari në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se komandimi i gjyqtarëve të gjykatave të ulëta dhe të Apelit në Gjykatën e Lartë, duka anashkaluar Kushtetutën, është një përpjekje e kryeministrit për të marrë peng edhe Gjykatën e Lartë, sikurse u morr peng edhe Prokuroria e Përgjithshme, duke emëruar Kryeprokuroren e Përkohshme, e cila ka 2 vjet që vazhdon në detyre, e cila tejkalon kompetencat kushtetuese me emërimet që bën në prokuroritë e rretheve. Juristi Gerdi Xhanari hedh dyshime të forta edhe për rolin e misionit të EURALIUS, i cili mbështet këtë projekt antikushtetues të emërimeve të komanduara në Gjykatën e Lartë.

– Zoti Xhanari, si e shihni gjendjen aktuale në sistemin e Gjykatave dhe kryesisht atë Kushtetuese dhe të Lartë?

Në radhë të parë dua të risjell në kujtesë të njerëzve se aktualisht, Gjykata e Lartë është jofunksionale dhe inekzistente. Shqipëria është pa Gjykatë të Lartë. Kjo është një situatë e paprecedentë dhe katastrofike, si pasojë e keqpërdorjes të aplikimit të reformës në Drejtësi. Aktualisht, qytetarët nuk kanë mundësi të marrin vendime civile apo penale të rëndësishme për ata. Midis të cilave edhe vendime emergjente, të cilat nuk mund të presin në kohe si, mosshqyrtimi i rekursit për ekstradimet si edhe disa masa sigurimi personale, që mund të sjellë edhe lirimin e personave me rekorde kriminale.

Çfarë mendoni për propozimin e fundit të bërë nga Misioni EURALIUS, lidhur me “komandimin” e gjyqtarëve të gjykatave më të ulëta, në Gjykatën e Lartë?

Çdo propozim që vjen jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore, është i papranueshëm, dhe bile shumë i rrezikshëm. Aplikimi i tyre do të na sillte në të njëjtën situatë si në 1945, me krijimin e trupave të reja gjykuese me përfaqësues të këshillave popullore. Rezultatet e gjykimeve të këtyre gjykatave të mbushura me njerëz absolutisht joprofesioniste, tashmë dihet.

– Çfarë parashikojnë ndryshimet kushtetuese të 2016, mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë?

Ligji 76/2016, datë 22.7.2016 ne nenin 147/a dhe pikërisht në germën c, shprehet se Këshilli i Lartë Gjyqësor: c) i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit; Nëse ndiqet kjo praktikë brenda këtyre kornizave Kushtetuese, do jemi përpara një zgjidhje korrekte. Përse nuk po ndiqet kjo rrugë? Për çfarë duhet gjithë ky nxitim? Dhe përgjigja më e saktë është se mazhoranca, ka gjetur mënyrat për të shmangur pikërisht ato ndryshime ligjore, të cilat i ka pranuar dhe votuar edhe vetë. Pra po ndjek praktikën njëlloj si me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, apo me komandimet në prokuroritë e Rretheve. Dhe tani kërkon të kapë Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, me këto “komandime të përkohshme” dhe t’i përdorë si emërime të përhershme.