Juristët e Kuvendit letër Kryetarit Meta: Zgjedhja e Presidentit mund të nisë që sot

539
Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, juristët e Kuvendit bëjnë të ditur afatin kohor të përcaktuar nga kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit

Administrata e Kuvendit në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka bërë të ditur se legjislacioni përkatës kushtetues lejon fillimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri që ditën e sotme. Për shkak të një përcaktimi të hollësishëm në Kushtetutë, që e lidh nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit me mbarimin e mandatit të Kuvendit, kishte disa paqartësi nëse procedura duhej të niste në korrik apo mund të nisë që në prill. Duke interpretuar afatet kushtetuese, Shërbimi Juridik i Kuvendit thekson se, e rëndësishme është që procedura të mos nisë më vonë se 9 korriku, afat ky që përkon me periudhën 60-ditore përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit. Sipas Shërbimit Juridik, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë jo më vonë se 9 korriku, por jo më herët se 13 prilli.
Më poshtë letra drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta

Lënda: Mbi zgjedhjen e Presidentit pasardhës

Drejtuar: Z. Ilir Meta
Kryetar i Kuvendit
Rezulton se Presidenti në detyrë, Shkëlqesia e Tij, z. Bujar Nishani, e ka bërë betimin e tij si President në seancën plenare të Kuvendit mbajtur më datën 24 Korrik 2012.

Bazuar në nenin 88 pika 1 dhe 2 të Kushtetutës që parashikojnë se:

1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
Rrjedh se mandati i Presidentit në detyrë, Shkëlqesisë së Tij, z. Bujar Nishani mbaron më datën 24 Korrik 2017.
Neni 88 pika 2/1 i Kushtetutës parashikon:
Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës.

Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Referuar kësaj dispozite kushtetuese rezulton se Kushtetuta “fillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit e lidh me dy momente:

– me mbarimin e mandatit presidencial paraardhës, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të këtij mandati;

– me mbarimin e mandatit të Kuvendit, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të këtij mandati, por në këtë rast të dytë vetëm kur plotësohet kushti që mandati presidencial të përfundojë në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues.

Bazuar në nenin 65 pika 1 të Kushtetutës që parashikon se:
1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.
Mbledhja e parë e Legjislaturës së VII-të, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është mbajtur më datë 9 Shtator të vitit 2013, si rrjedhim i sa me sipër mandati i plotë i Kuvendit për Legjislaturën e VII-TË, do të përfundojë më datën 9 Shtator të vitit 2017.

Nga ana tjetër, për shkak se mandati i Presidentit në detyrë Shkëlqesisë së Tij, z. Bujar Nishani do të mbarojë më datën 24 Korrik 2017, rezulton se ky mandat presidencial do të përfundojë në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, ç’ka sjell plotësimin e kushtit të parashikuar nga fjalia e dytë e pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës. 

Rrjedhimisht bazuar vetëm në fjalinë e dytë të pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e Presidentit pasardhës që do të zëvendësojë Presidentin në detyrë Shkëlqesinë e tij z. Bujar Nishani, do të duhet të fillojë jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit, dhe konkretisht, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të Legjislaturës së VII-të, të Kuvendit, pra jo më vonë se data 9 Korrik i vitit 2017.
Kjo pasi në rastin konkret edhe nëse do ndodhemi para rastit të parashikuar në pikën 5 të nenit 87 të Kushtetutës, të moszgjidhjes së Presidentit të raundin e 5-të, shpërndarja e Kuvendit nuk do të ndodhë për shkak të dekretit të Presidentit që ka dekretuar datën 18 Qershor 2017, si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe nenit 9 të Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, ( i ndryshuar) që parashikon se “me vendim të Kuvendit mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj datë”, por për shkak të mospërmbushjes së detyrimit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit, Kuvendi i ri do të duhet të dalë nga zgjedhjet e parakohshme që do të duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve, si rend dite të parë të tij do të duhet të ketë jo formimin e qeverisë, por zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Mbështetur në argumentet e mësipërme vlerësoj se procedura e mësipërme për zgjedhjen e Presidentit pasardhës që do të zëvendësojë Presidentin në detyrë Shkëlqesinë e Tij z. Bujar Nishani, do të duhet të fillojë:

-jo më vonë se 9 Korriku 2017, por jo më herët se sa data 13 Prill 2017.
Drejtor i Shërbimit Juridik
Alban BRATI
Sigal