Junker dhe Hahn, të dielën dhe të hënën në Tiranë

674
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker dhe komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn do të ndalen në Tiranë si pjesë e turit të tyre në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku mesazhi që do të përcillet është inkurajimi i reformave për anëtarësimin në BE. Paraprakisht u njoftua se pjesë e këtij delegacioni do të ishte edhe Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, por mësohet se kjo e fundit nuk do të jetë në Shqipëri. Hahn dhe Junker do të ndalen në Shqipëri pas Maqedonisë. Pasditen e së dielës ata pritet të mbërrijnë në Tiranë për të qëndruar deri në mesditën e së hënës. Agjenda parashikon diskutimin me udhëheqësit vendas strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Theksi do të vendoset tek reformat dhe plotësimi i kushteve të vendosura nga Brukseli në rastin e Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Komisioni Evropian pritet që të propozojë një rritje të ndjeshme të financimit deri në 2020 nën instrumentin e ndihmës përgatitore për anëtarësim. Vetëm në këtë vit ndihma që do të jepet për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohet që të jetë 1.07 miliardë euro, ndërsa në dekadën e fundit, shuma e dhënë nga Brukseli për Ballkanin Perëndimor shkon në 9 miliardë euro. Vizita e zyrtarëve të lartë evropianë është pjesë e konsultimeve të Komisionit Evropian për të marrë një vendim lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë, që mund të zgjasin disa vite deri në realizimin e anëtarësimit.
Sigal