Ju nuk mund të jeni më përfaqësues të popullit

731
Sigal

Prof. Përparim Kabo, i bën skanerin Kuvendit të Shqipërisë. Ai analizon dhe flet hapur për atë që shqiptarët mendojnë dhe diskutojnë çdo ditë

Dua të them të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, por a jam korrekt? A jeni ju të nderuar? Ku dhe si ta gjej e ta takoj nderin tuaj? A është ai një nder moral, është ai politik, është për më tepër historik? Nuk mund ta them. Por diçka me siguri mund dhe duhet ta pohoj. Brenda asaj salle që quhet aula e parlamentin shqiptar pluralist gjatë këtyre 28 viteve ka pasur dhe ka edhe njerëz të nderuar, gra dhe burra të ndershëm, të përkushtuar dhe me vlera, me tiparet me të mira shqiptare dhe me një kahe të dallueshme të qytetërimit evropian. Edhe dje në atë ditë që do ta quaja pa mëdyshje si “dita e ujërave të zeza në Parlament” në atë sallë pati ende njerëz që nuk e turpërojnë institucionin, madje jo për kompromis as për konformizëm, por me bindje them se edhe tek ata që folën me atë gjuhë dhe atë fjalor ka mbetur një farë nderi dhe turpi. Unë dua të shtroj një pyetje si qytetar. Pse erdhëm në këtë gjendje? Prej disa legjislaturash ata që marrin sovranitetet e deleguara nga zgjedhësit dhe janë anëtarë të demokracisë kolektive përfaqësuese, zhgënjen, kthejnë shpinën, harrojnë interesin publik, privatizohen si persona dhe si shpirt, ndryshojnë pamjen si hedonik dhe nuk shqetësohen me atë që është shtuar ndër vite, rënia e autoritetit të ligjit dhe besueshmërisë së tij, prishja e ekuilibrave institucionale, si dhe grumbullimi i varfërisë gjithnjë e më shumë në një masë të madhe të popullatës. Unë si çdo qytetar dua tu them se ju nuk mund të jeni më përfaqësues të popullit sepse:

Ju nuk organizoni dot më zgjedhje të lira dhe të besueshme

Ju nuk ndërtuat dot një administratë efektive eficiente dhe profesionistësh, e pavarur dhe jo e korruptuar

Ju politikanët tanë ligjbërës dhe ligjvënës, shpërdoruat pasuritë kombëtare dhe ato para i grabitët për veten tuaj, dhe konkretisht: Të gjithë pasurinë e krijuar me mund si minierat, hekurudhat, flotën tregtare, armatimet, natyrën dhe eco sistemet.

Ju prishët pronat publike dhe i konvertuat në private.

Ju krijuat detin e pronave informale dhe më tej i formalizuat duke lënë me gisht në gojë pronarët e ligjshëm.

Ju shkatërruat sistemin e drejtësisë me emërimet skandaloze që bëtë duke i shitur postet dhe më tej e përdorët si karrem për t’i marrë paratë krimit të ricikluar përmes këtij pioni që quhet sistemi (pa)drejtësisë.

Ju jeni pasuruar në mënyrë të frikshme dhe tradhtuat idealin publik të shtetit që është arsimi, shërbimi shëndetësor dhe shërbimet e tjera publike dhe që përfshihen në atë që njihet si “garancitë sociale të jetës”.

Ju duke shkelur mbi ligjin dhe mbi të drejtën zakonore e atë fetare u bëtë miq shokë dhe ortakë me njerëzit e jetës së keqe dhe krimit të organizuar.

Tani unë kam një pyetje pa oqean dhe pa lumë. Ju deputetët e asaj salle a keni ju një moral qytetar minimal?

A flisni ju me këtë fjalor në familjet tuaja biologjike? Po në familjet tuaja politike kështu flisni? Po në zyrat e shtetit, kur ne nuk ju shohim dhe nuk ju dëgjojmë, ky është fjalori juaj, ky lloj banaliteti poshtërues, së pari dhe së fundi, për ju vetë? Po a mendoni se si ndjehen fëmijët tuaj, prindërit tuaj apo mbesat e nipat tuaj kur ju dëgjojnë por edhe kur t’Ju shohin dhe Ju dëgjojnë më vonë, se kjo era digjitale të regjistron? A mendoni ju se çfarë thonë për ju në New York, Berlin, Paris, Londër, Vjenë, Budapest apo Tokio? Po mirë a e llogarisni se çfarë mendon për atdheun dhe punët e shtetit ai që punon për të mbajtur rrjetin elektrik, ai që pret jetën në një maternitet, ai polici që rri gjithë natën zgjuar, ajo mësuesja që udhëton çdo mëngjes 1 orë për të shkuar në shkollë te nxënësit e fshatit, ata që besojnë se ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam?

Edhe diçka që shpreh krizën tuaj. Ju mendoni se foltorja kudo që është shërben që kundërshtarin politik ta zhbësh në dimensionin e tij moral dhe kështu zgjedhësit apo ‘shqiptarët si edhe thoni ju’ të urrejnë atë dhe t’ju duan juve. Sa naivë që tregoheni. Njerëzit e kanë të qartë se këtu në këtë fshatin tonë as që bëhet fjalë për moral dhe për etikë…këtu bije erë! Dhe për më tepër goditja e kundërshtarit moralisht me gjuhë imorale është e pabesueshme. Së fundi, në shoqërinë e kapitalizmit të sotëm njerëzit orientohen nga interesi dhe kanë kuptuar, se lufta juaj imorale kundër imoralitetit është e barabartë me pasurimin tuaj të të gjitha palëve politike e partiake… Unë po ua them hapur, Ju po turpëroni veten dhe atdheun. Nëse ndokush nga ju, së paku sot është esëll, ta shpëtojë shpirtin e vet, duke kërkuar ndjesë publike. Ndryshe jeni të humbur të gjithë, sepse jeni të pabesueshëm. I bëtë familjet tuaja leckë duke sharë dhe pështyrë. Ai ambient atje bije erë turpi… Dje në Parlamentin e Maqedonisë kryetari Talat Xhaferi foli shqip si edhe kishin dashur ata që më 1908-n në Kongresin e Manastirit, ata që hartuan alfabetin që kemi sot, Mit’hat Frashëri, At Gjergj Fishta, At Ndre Mjeda, At Dom Kaçori etj., e kishin ngjizur dhe mezi e prisnin… E në vend që seanca dje në Parlamentin shqiptar të niste me një solemnitet historik u ndye me atë pisllëk. Po ju kujtoj një shpjegim filozofik të të madhi Petro Zheji, që argumentonte se fjala ndyj është identike me ndaj… pra ndyrja është ndarje, dhe ju po ndaheni me atdheun dhe fatin e tij, me popullin dhe vlerat e tij, me partnerët dhe me idealin evropian. Fatkeqësia është e juaja!