Jorida Tabaku: Raporti i DASH tregoi se qeveria e korruptuar nuk organizon zgjedhje të lira

570
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se raporti i djeshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit tregon se gjendja në vend është në pikë kritike për shkak të korrupsionit të lartë dhe trafikut të drogës.

Sipas Tabakut, edhe mediat censurohen për shkak të ndikimit direkt apo indirekt nga Kryeministri e në këtë mënyrë nuk përcjellin realitetin.

Po kështu, deputetja Tabaku thotë gjithashtu me një qeveri që ka funksionarë të inkriminuar dhe korrupsion të lartë, nuk mundet që të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike.

Deklarata e deputetes së PD Jorida Tabaku:
Farsa e qeverisë me të ashtuquajturat Çadra të Vettingut dhe Peticionin e Vettingut, merr trajta butaforie pas relacioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit që e përfshin Shqipërinë në bashkësinë e vendeve që janë burimi i heroinës apo transit i drograve që shkojnë në tregun Europian.

Madje jo vetëm kaq, sipas raportit të DASH, në Shqipëri korrupsioni është i pranishëm në të gjitha sferat e institucioneve qeveritare. Gjithashtu në raport shkruhet se vendimet në favor të personave të akuzuar për korrupsion vijnë më së shumti prej presionit politik, kërcënimit, korrupsionit të gjerë dhe burimeve të kufizuara. Gjithashtu evidentohet në raport se kemi mos dënime të zyrtarëve që kanë kryer abuzime në mënyrë të vazhdueshme.

Sikundër evidentohet se qeveria e vendit nuk ka kryer asgjë në favor të kthimit të pronave tek pronarët që janë shpronësuar me pa të drejtë nga regjimi komunist. Ndërkohë që raporti i mediave me lirinë është i ulët, raporti vlerëson se gazetarët vetë censurohen ndërsa qeveria ushtron forma presioni ekonomike dhe politike në mënyrë direkte dhe indirekte tek mediat. Evidentohet gjithashtu se AMA nuk është një institucion i pavarur.

Siç edhe vërehet në këto pak pika të cituara nga një raport i gjatë nga DASH, gjendja në vend është e rënduar. Nuk duket rastësi që vendi është kthyer në një burim apo transit i drogës për tregjet europiane, aq më tepër kur kreu anti mafies italiane ka folur për trefishimin e drogës në Shqipëri. Sipas DASH, zgjedhjet e vitit 2015 kanë dëshmuar për ndikimin e votuesve në zgjedhjen e tyre.

Nuk duket rastësi aq më tepër kur vjen nga një qeveri që personat e përfshirë në trafikime të tilla pasi i ka emëruar deputetë, i mbron sot e kësaj dite nga ligji i dekriminalizimit. Nuk duket rastësi, për një qeveri e cila ka futur policinë duke e institucionalizuar një proces të tërë të mbjelljes dhe shitjes së drogës brenda ingranazhit policor. Duke u shndërruar kështu në një kartelë të mirëfilltë droge.

Një qeveri që nuk lejon lirinë e shprehjes, nuk respekton pronën private, sponsorizon trafikun dhe mbjelljen e drogës si dhe duke mundësuar korrupsionin në çdo qelizë të saj. Dëshmon, se është një qeveri e cila nuk dëshiron të votohet në zgjedhje të lira!

Qartësisht, të gjithë e kuptojmë se cdo lojë tjetër nuk është vetëm se një farsë për të justifikuar një qeveri e cila punon përditë për të manipuluar zgjedhjet ende pa filluar gara.
Sigal