Jorida Tabaku: FMN foli qartë!

1030
Deklarata e misionit të FMN prek plotësisht pikat nevralgjike të çështjeve që ka ngritur opozita nga viti 2013 e më tej. Me gjithë përpjekjen e qeverisë për të mbushur me gënjeshtra opinionin publik për PPP-të, borxhin publik, taksat e rritura, emigracionin, problemet strukturore të ekonomisë, FMN dje i dha të drejtë opozitës, duke zbuluar gënjeshtrat në formën e propagandës që qeveria prodhon në seancat parlamentare apo konferencat për shtyp. FMN thekson se ndonëse vendi ka rritje ekonomike e gjitha kjo nuk vjen dhe aq nga incentivat e brendshme të ekonomisë, por nga kërkesa në rritje e një tregu evropian që ka tejkaluar krizën. Deklarata nënvizon se në momentin e parë që tregu i BE-së mund të goditet nga një stanjacion në kërkesë rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë më e ulët. Sakaq, FMN kërkon që qeveria shqiptare të ndërmarrë politika në shërbim të konsolidimit fiskal, rritjes së efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike si dhe duhet të rrisë eficencën në luftën kundër korrupsionit. Fatkeqësisht, vendi ynë sot po vuan rënien e investimeve të huaja, e cila sipas parashikimit të FMN do të shoqërohet me rënien e rritjes ekonomike në periudhën afatmesme. Borxhi publik gjithashtu ka qenë i lartë, 71.2% e PBB-së dhe rezulton mjaft i lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe detyrimet të kushtëzuara në rritje, mosrealizimet fiskale mund ta ulnin besimin, t’i rrisnin primet e riskut të huamarrjes dhe t’i pakësonin investimet private. Nga këto premise, FMN argumenton se rritja e borxhit publik në 71.2% në fund të 2017 dhe detyrimeve të prapambetura (1,8 për qind të PBB-së) janë tregues i rrezikut të një tjetër vale me rritje taksash që do rëndojnë në xhepin e shqiptarëve. Ky rrezik bëhet më i madh sidomos në rastin e projekteve me PPP, sipas FMN këto projekte jo vetëm që kanë kosto të lartë për buxhetin por janë edhe projekte të pamenduara mirë në perspektivën ekonomike dhe sociale. Aq kardinalë është një çështje e tillë sa që FMN këshillon fort që praktika e propozimit të pa kërkuar për PPP (siç është rasti i Aeroportit të Vlorës) të ndërpriten një herë e mirë. Një tjetër element që gjen hapësirë në deklaratën e FMN është pika më nevralgjike e kësaj qeveria dhe njëkohësisht baza e ekonomisë së tregut: Prona. FMN këmbëngul që në Shqipëri ka probleme me pronat, e këtu kam parasysh ligjet antikushtetuese që qeveria ka votuar në katër-vjeçarin e shkuar dhe po ashtu edhe VKM-të antikushtetuese që gjithashtu miraton sot e kësaj dite. E gjithë kjo betejë ndaj pronarëve të ligjshëm të tokës, e gjithë kjo përpjekje për ta ngushtuar pasurinë edhe tokën në pak duar po pengon ekonominë të zhvillohet dhe investimet e huaja të afrohen. Prona, taksat e larta, mungesat e infrastrukturës lidhëse, informaliteti i lartë, vështirësia për të marrë financim dhe kapitali i dobët njerëzor janë pikat nevralgjike që e lënë Shqipërinë pas në garën për një ekonomi të shëndoshë dhe rritje ekonomike në dobi të shoqërisë. Qeveria vazhdon të këmbëngulë në të kundërtën e këshillave që institucionet ndërkombëtare i kanë propozuar. Paketa fiskale 2018 është shembulli më i mirë që mund të vlerësojë qeverinë, një lum taksash që i falen dy tre individëve dhe një barrë e madhe fiskale mbi kurrizin e çdo qytetari.
Sigal