Jorgo Xhomaka, nënkryetar i PBDNJ/ Largimi i Ramës si kryeministër është një garanci për proces elektoral normal. PBDNJ është me opozitën

602
Sigal

Jorgo Xhomaka, nënkryetar i PBDNJ

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është në kontakt politik me PD-në, si forca politike kryesuese e opozitës që para zgjedhjeve parlamentare të 2017-s

Largimi i Ramës si kryeministër është një garanci për proces elektoral normal

Jakup B. GJOÇA

 

Jorgo Xhomaka, nënkryetar i PBDNJ në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se “Zëri i Amerikës” nxori në pah që zgjedhjet e 2017 u vodhën dhe u manipuluan, sikurse ndodhi edhe në 2013-n me PBDNJ në Himarë, prandaj zgjidhja e krizës është largimi i kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme. Zoti Xhomaka pohon se PNDNJ është në opozitë së bashku me PD-në dhe se nuk ka zgjedhje demokratike pa opozitën. Zoti Xhomaka thekson se Shqipëria duhet të ruajë lidhje politike strategjike me Greqinë, edhe për faktin se aty jetojnë e punojnë mijëra shqiptarë, të cilët me remitancat e tyre ndihmojnë ekonominë shqiptare.

 

Zoti Xhomaka ju si e vlerësoni thirrjen e Zv.ambasadores Amerikane në Tiranë që u drejtoi kujtdo subjekti politik që të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, ndërkohë që Opozita e Bashkuar zyrtarisht i bojkoton ato?

– Jemi në kushte krejt të jashtëzakonshme në qasjen e situatës politike që përjeton vendi. Nuk mund të ketë zgjedhje të drejta dhe të besueshme pa largimin e faktorit bazë të manipulimit të procesit. Vetë “Zëri i Amerikës” nxori në pah sesi u masakruan zgjedhjet e vitit 2017. PBDNJ gjithmonë dhe në mënyrë permanente ka qenë pre e masakrimit të votës dhe shtrembërimit të vullnetit elektoral të zgjedhësve. Përgatitja për negociata integruese në BE parakupton, së pari, shëndoshjen e politikës dhe zgjedhje transparente. Përsëritja nga faktori aleat perëndimor i parimit nuk është në kontradiktë me aksionin e opozitës.

– A mund të jenë të ligjshme zgjedhjet vendore, nëse Opozita e Bashkuar i bojkoton, por OSBE mund ta njohë rezultatin e atyre zgjedhjeve?

– Çështja është politike dhe jo rreptësisht në terma ligjore. Vjedhja, blerja, masakrimi pa ekzagjerim në termin që përdor, të zgjedhjeve të fundit parlamentare, sipas dëshmive që administron organi i akuzës, janë ato që kanë nxjerrë opozitën dhe opinionin publik në rrugë. Në sheshin e përballjes dhe jo të ballafaqimit të thjeshtë. Mos harro, edhe proceset elektorale të vitit 1996 ishin njohur nga faktori ndërkombëtar. Kryerja e zgjedhjeve pa opozitën do të jetë shtrembërim esencial i lojës politike dhe si i tillë do të sjellë pasoja shumë më të dhimbshme dhe me kosto në korrigjim, se sa guximi dhe maturia politike për t’i parandaluar ato. OSBE është ajo që ka objeksione thelbësore për mënyrën se si janë kryer zgjedhjet në vendin tonë, sidomos ato të vitit 2017. Nëse ato nuk i njeh shumica e popullit shqiptar, si edhe gjysma e klasës politike, a nuk është kjo më e rrezikshme dhe e dëmshme për vetë demokracinë?

– Nëse Opozita e Bashkuar nuk dërgon vëzhguesit e saj në zgjedhjet vendore, cilët mund të garantojnë se nuk do të hidhen në kutinë e votimit vota edhe të votuesve që nuk votojnë e kështu të rritin artificialisht numrin e votuesve?

– Për fat të keq zgjedhjet janë manipuluar edhe në prezencë të vëzhguesve të palëve, madje dhe atyre ndërkombëtarë. Administrimi partiak i procesit të numërimit të votave, implikimi i grupeve të inkriminuar dhe te lidhur me qeverinë si garanci për mosndëshkim, blerja paraprake e votës dhe të tjera fenomene të ngjashme përbëjnë stigmën e tranzicionit tonë në demokraci plurale. PBDNJ-ja, si një parti me interes të posaçëm në zonat rurale ka qenë vijimisht në fokus të këtyre manipulimeve. Në veçanti, në zgjedhje vendore si ato në Himarë, por edhe politike, si ato 2013, ku u tentua të vidhej vota për të lënë jashtë parlamentit Kryetarin e Partisë, janë nga më sinjifikativet për çka ndodh me zgjedhjet në vendin tonë. Për sa më pyesni, ka një fjalë të urtë popullore që thotë “se nuk i varen ujkut mëlçitë në qafë”. Ujku është Kryeministri Rama prandaj dhe largimi i tij është një garanci më shumë për proces elektoral normal në një vend që pretendon të aplikojë demokracinë atlantike dhe aspiron BE-në.

– PBDNJ çfarë qëndrimi politik do mbajë për zgjedhjet vendore? Do t’i bashkohet Opozitës së Bashkuar?

– PBDNJ, pavarësisht riskut ,që ndërmerr edhe në bashkëveprim politik me PD dhe faktorin opozitar për largimin e qeverisë produkt i votës së blerë dhe të manipuluar, është për krijimin e qeverisë tranzitore me program garantimin e zgjedhjeve dhe zhvillimin e tyre në kushte të gjithë pranuara. Zgjedhjet lokale nuk duhet të zhvillohen për të acaruar më tej situatën. Vendi përjeton krize të thellë shumëdimensionale. Zgjedhjet e parakohshme që opozita pretendon përbëjnë në fakt edhe rrugëdalje për Qeverinë. Primare nuk është jetëgjatësia e qeverive, por interesi i vendit dhe kohezioni i tij i brendshëm.

– Prania e PDIU në koalicionin Opozitar është problem për PBDNJ?

– PBDNJ është në kontakt politik me PD-në, si forca politike kryesuese e opozitës që para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Së pari, respektohet reciprokisht kushti i ruajtjes se individualitetit politik të PBDNJ dhe pika të posaçme të programit të saj dhe spektrit elektoral, interesat e të cilit përfaqëson dhe mbron. Pa asnjë ekuivok i mëshojmë idesë së qeverisë dhe forcat që ushtrojnë ato në vend duhet të jenë të shkarkuara nga barra të padobishme të emocionit nacionalist që është në fakt spekulim mikropolitik historik. Shqipëria e ka nevojë zhvillimin e politikave të qeta rajonale dhe me Greqinë në veçanti duhet të ndërtohen marrëdhënie strategjike në dobi të prezencës maksimale të qytetarëve të Shqipërisë aty, të cilët tanimë 25 vjet transfuzojnë ekonominë shqiptare dhe mbështesin zhvillimin me remitancat e tyre. Greqia u prin proceseve për integrim në BE të Ballkanit Perëndimor dhe kjo dikton maturim të marrëdhënieve me të. Çfarëdo zgjedhje tjetër nuk është në interes të vendit, qoftë edhe sikur të sigurojë disa vota të vokacionit nacionalist antihelen.

-Si u përgjigjeni ju atyre kritikave që u bëhen Vangjel Dules, se ka braktisur interesat e minoritarëve nga disa krerë të OMONIAS?

– Ka luftë të padëshiruar dhe me mjete të dala mode për mpakjen politike të PBDNJ dhe zhdukjen e ndikimit të saj elektoral. Edhe kjo, sa më pyesni, është një nga përhapjet që synojnë pikërisht të zvogëlojnë artificialisht prezencën dhe impaktin elektoral të PBDNJ në bashkëpunim me OMONIA në zona ku ajo ka koncentrim të votës. Unë do t’iu përgjigjesha se përkundrazi kostoja politike që PBDNJ dhe Kryetari i saj z. Vangjel Dule janë thirrur të paguajnë në mënyrë disanaloge me mundësitë reale, lidhet pikërisht me faktin se janë absolutisht të fokusuar në të drejtat e parealizuara të Minoritetit Etnik Grek. Qëndrimi i qeverisë ndaj tyre ka sjellë edhe mbështetjen ose jo nga PBDNJ. Rasti më tipik është ndarja administrative që u ndërmor në 2015. PBDNJ, duke reflektuar interesin real dhe afatgjatë të komunitetit Grek në treva me prezencë historike dhe konsiderueshme, ndërpreu marrëdhënien mbështetëse të Qeverisë “Rama1”. PBDNJ funksionon si pasqyrë e ndjeshme ndaj realitetit të munguar të të drejtave praktike të Minoritetit Etnik Grek dhe të tjera grupeve minoritare.

– A mundet të quhen Opozitë ata deputetë që në kundërshtim me vullnetin politik të Partisë që i ka përfshirë në Lista dhe të elektoratit që i votoi, morën mandatet e deputetëve?

– Është klonim i modifikuar gjenetikisht i opozitës. Gjykoj se është akoma një anomali. Ata zgjodhën praninë në parlament. Mund të konkludojnë edhe në qëndrime opozitare të rakorduara me nevojat e qeverisë Rama, por nuk mund të jenë opozita që shpreh vullnetin e popullit.