John Kerry: Politikanë mafiozë po mbajnë peng demokracinë

500
Sigal

Konferenca e Mynihut. SHBA-të të shqetësuara për korrupsionin dhe sigurinë në Europën -Qendrore, Lindore dhe Ballkan

Duke theksuar praninë e kërcënimeve komplekse për sigurinë, e duke theksuar nevojën e bashkëpunimit për sigurinë Globale, Sekretari i Shtetit John Kerry, në fjalën e tij në konferencën vjetore të Mynihut për Sigurinë, ka shprehur shqetësimin për këto problem dhe në Europë, veçanërisht për korrupsionin që po shtyp interesat e qytetarëve të, oligarkët dhe klanet që blejnë politikanët, grupet mediatike, dobësojnë gjyqësorin, etj… “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”,- theksoi mes të tjerave John Kerry. Deklaratat e John Kerry, vijnë pas deklaratave që bëri në këtë aspekt dhe Jonathan Moore. Kreu i Zyrës për Europën- Juglindore në Departamentin e Shtetit. Ndërkohë, lidhur me këtë situatë, kanë reaguar dhe përfaqësues të politikës shqiptare, duke vlerësuar shqetësimin e mësipërm, e duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga strukturat përkatëse dhe shteti shqiptar…

        *        *       *

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një aktivitet vjetor, ku diskutohen sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimi SHBA-Europë për ballafaqimin me problemet aktuale. Siguria e Europës dhe bashkëpunimi në përgjigje të sfidave globale ishin ndër temat kryesore ku u ndal dje Sekretari i Shtetit John Kerry gjatë fjalës së tij në konferencë. “Në botën e sotme me kërcënime komplekse, siguria dhe udhëheqja jonë mbështetet në të gjithë elementët e fuqisë sonë – përfshirë një demokraci të fortë dhe të bazuar tek parimet”. “Po ashtu ato varen tek mobilizimi i fuqisë së aleatëve tanë më të fortë. Asnjë vend nuk mund të zgjidhë i vetëm sfidat e ditëve tona”. Për këtë arsye,- tha zoti Kerry, forume si Takimi i Mynihut janë shumë të rëndësishme për të kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe forcën e unitetit tonë.

Sekretari i Shtetit John Kerry është ndalur tek problem i korrupsionit me të cilin përballen vende të Europës Juglindore e Qendrore. “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës- Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”,- tha zoti Kerry. Sekretari i Shtetit John Kerry u ndal tek gjendja në Ukrainë. “Megjithëse ka elementë shqetësues dhe një situatë kaotike në rrugët e Kievit, pjesa më e madhe e ukrainasve duan të jetojnë të lirë, në një mjedis të sigurt, në një vend të begatë dhe po luftojnë për të drejtën për të bashkëpunuar me partnerë që do t’i ndihmojnë të përmbushin aspiratat e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës në këtë betejë”.

Në fjalën e tij në Konferencën e Mynihut, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel ritheksoi planin e administratës Obama për të zhvendosur fokusin e politikës së jashtme nga veprimet ushtarake tek diplomacia. Komentet e zotit Hagel bëhen ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar misionin ushtarak në Irak, pas tërheqjes së trupave nga Iraku në 2011 dhe në përgatitje për të tërhequr forcat nga Afganistani brenda këtij viti. “Tani që Shtetet e Bashkuara lënë pas eksperiencën 13- vjeçare të luftës, e kemi të qartë se e ardhmja kërkon një epokë të re ku të forcojmë lidhjet dhe fqinjësitë me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me vendet në Evropë”. Në fjalimin për gjendjen e vendit të martën, Presidenti Barak Obama tha se nuk do të dërgojë trupa amerikane për të luftuar “nëse nuk është vërtetë e nevojshme”. Zoti Hagel vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndihmojnë vende në nevojë, duke nënvizuar bashkëpunimin anti-terrorist dhe humanitar me partnerët evropianë në Mali dhe në Republikën Qendrore Afrikane.

Fatos Klosi: Korrupsioni dhe terrorizmi luftohen me vepra

 Zoti Klosi! Si e vlerësoni shqetësimin e sekretarit të Shtetit John Kerry për prezencën e kërcënimeve komplekse për sigurisë në Europën Qendrore, Lindore e Ballkan, shprehur në Konferencën vjetore për Sigurinë në Mynih?

-Është një shqetësim për SHBA, aleatët dhe gjithë vendet që luftojnë për demokraci e siguri. Shumë ngjarje të kohëve të fundit, akte terrorizmi, deri në përplasje të ashpra si ajo e Ukrainës, flasin për një shqetësim serioz që është kërcënues për vetë demokracinë dhe popujt e këtyre vendeve. Por njëkohësisht, është një apel dhe detyrë për qeveritë që të angazhohen seriozisht për normalizimin e situatës sa më shpejt… Sigurisht, ky shqetësim i Amerikës dhe aleatëve, është një apel dhe për shqiptarët, Shqipërinë, forcat politike, e veçanërisht për qeverinë..

Po konstatimi i John Kerry për korrupsionin që po shtyp interesat e qytetarëve e të oligarkëve e klanet që blejnë politikanët, grupet mediatike, dobësojnë gjyqësorin, në kurriz të popujve..?

Të kuptohemi, në Shqipëri nuk ka oligarkë në kuptimin real të fjalës, po sigurisht klane që kanë tendencat apo interesat nga kjo situatë ka. Ballkani dhe Shqipëria janë të vegjël, po problem ka, dhe jo pak… Por dhe në vendin tonë ka problem të sigurisë, e siç e thash, ka nevojë për një reagim konkret të forcave të politikës dhe qeverisë. Dhe sa më shpejt, pasi të fitosh në kohë, ka një kosto më të vogël.

Po për blerjen e politikanëve, mediave..?

-Po dihet, mediat këtu tek ne kanë interesa ekonomike, e përgjithësisht, bëjnë punën e mbrojnë interesat e tyre, të pronarëve. Qytetari, vazhdon të jetë në plan të dytë. Por në këtë aspekt, qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe në këtë aspekt. Jo vetëm të mos shfrytëzojë vetë media, por të krijojë hapësira lirie e kushte për një realizëm sa më të saktë…
Më konkretisht në këtë aspekt?

-Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka obligimet e saj në shumë drejtime, përfshi dhe në kuadër të sigurisë Globale, luftës kundër terrorizmit… Qeveria ka një program të sajin e duhet ta zbatojë… Qeveria i ka dhe votat, ka mbështetjen e  ndërkombëtarëve e shpresojmë të jetë në lartësinë e detyrave që kërkon situata, që kërkojnë ndërkombëtarët…

 Jonathan Moore (Kreu i Zyrës për Europën Juglindore në Departamentin e Shtetit)

“Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”. 

John Kerry (Sekretar i Shtetit)

“Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës -Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarkë, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”

Servet Pëllumbi: Pa drejtësi nuk luftohet korrupsioni!

Si e gjykoni deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry  mbi   korrupsionin  me të cilin përballen vende të Europës- Juglindore e Qendrore, ku bënë pjesë edhe vendi ynë?

Prof. Servet Pllumbi: I kam dëgjuar me shumë vëmendje të dyja deklaratat si të Sekretarit Amerikan Kerri ashtu dhe dy ditë para tij të njërit prej ekspertëve dhe njohësve të politikës ballkanike dhe sidomos në Shqipëri Jonatan Moor. Mendimi im ka të bëjë me faktin se, sekretari Kerry ka ‘vendosur dorën mbi plagë’ dhe ne si shqiptarë nëse duam vendin dhe të ardhmen e vendit, duhet urgjentisht të godasim këtë plagë të shoqërisë. Korrupsioni nuk ka bindje dhe parti, ndaj ai duhet goditur pavarësisht bindjeve apo qeverive që janë në pushtet apo opozitë.

Aspiratat e qytetarëve të  vendeve Ballkanike dhe Europës- Juglindore  po shtypen nën barrën e korrupsionit dhe  interesave oligarke. Çfarë do të thotë kjo për ne?

Shqiptarët me ardhjen e demokracisë besuan dhe shpresuan se drejtësia do të vendoset njëlloj për të gjithë, se në Shqipëri nuk duhet të dënohen dhe të shkojnë në dyert e burgjeve vetëm njerëzit e niveleve të ulëta dhe vegla të pushtetarëve të mëdhenj, por përpara drejtësisë të gjithë duhet të jenë të barabartë . Nëse nuk dënohen kokat e krimit dhe korrupsionit kushdo qofshin këta, të  Majtë apo të Djathtë, vendi nuk mund të ecë përpara. Ka ardhur koha që secili institucion të bëjë detyrën dhe pushtetarët e implikuar në trafiqet e krimit dhe korrupsionit duhet të marrin dënim sipas ligjit.

Si e komentoni konstatimin e z.Kerry se: Krimi dhe korrupsioni kanë blerë politikanët dhe grupet mediatike, si dhe dëshirojnë  dobësimin e  pavarësisë së  gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare.

E kam deklaruar shumë herë, jo vetëm në intervistat e fundit, por edhe në shënimet e mija apo librat, të cilët edhe ju i keni në bibliotekën e gazetës “Telegraf” se përzgjedhja e njerëzve, të cilët do përfaqësojnë pushtetin  legjislativ, administrativ dhe gjyqësor, duhet që të kenë në radhë të parë integritetin e tyre moral dhe qytetar. Vetëm me këto figura, ne do mundim të ndërtojmë shtetin e së drejtës dhe atë që ka parasysh z.Kerry. Nga këto kërkesa nuk përjashtohen as njerëzit e medias së shkruar dhe asaj televizive.

 Pyetja e fundit Prof. Serveti ka të bëjë me deklaratën e Kreut të Zyrës për Europën -Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Po e citojmë të plotë edhe për lexuesit e gazetës “Telegraf” : “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”. 

Unë mendoj se pozita duhet të thërrasë opozitën që të dyja së bashku me maturi dhe vullnet të bashkëpunojnë për të  votuar aktet e nevojshme ligjore që krimi të goditet që nga rrënja deri në majën më të lartë. Nëse opozita nuk pranon atëherë, pozita me votat dhe të drejtën që i jep ligji duhet të marrë në dorë situatën. Është e vërtetë që nuk ka më kohë që të qahemi dhe të kujtojmë të shkuarën. Është koha të ecim përpara dhe qeveria “Rama” dhe koalicioni i Majtë i ka të gjitha mundësitë që nëpërmjet reformave t’u tregojë vendin të inkriminuarve dhe të ndërtojë shtetin të cilin qytetarët e votuan bashkë me programin e Rilindjes.

Prof. Pëllumbi, para disa kohësh një mik dhe ish funksionar i lartë i Departamentit Amerikan, pasi kishte parë në analizën tuajën në gazetën “Telegraf”  për Vaslav Havel , më shkruante për Ju se, “kush është mik i Havelit, është edhe mik i amerikanëve”.

SHBA-të janë shteti më demokratik dhe partneri më i fuqishëm dhe më sigurt i kombit shqiptar. Tradicionalisht ne jemi dy popuj miq dhe se deklaratat e sekretarit të Shtetit John Kerry  dhe Drejtorit Jonathan Moor tregojnë se ata në mënyrë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë po kërkojnë të kthejnë besimin e shqiptarëve dhe të mbarë popujve të Europës- Juglindore tek demokracia e vërtetë.

Faleminderit Profesor!

Engjëll Musai