Jeni arrogantë, të paaftë dhe shkelës të ligjit…

187
Profesor Erion Kristo, aktivisti i shoqërisë civile i ka dërguar një letër të hapur ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Duke iu referuar rastit të shoqërimit të avokatit Adriatik Lapaj, Kristo shkruan se Policia që paguajmë me taksat tona rrahu banorët e Vërrisë. Në këtë situatë profesori i universitetit, njëkohësisht edhe aktivist i shquar i të drejtave të njeriut i drejtohet ministrit Xhafa.

Ja letra e hapur për Ministrin e Brendshëm
Z. Ministër. Ju dje në emisionin Opinion premtuat që do ta zgërdhini krimin, madje bëtë dhe humor lidhur me madhësinë e peshkut. Ju dhe mund t’i bëni këto, por një gjë ju nuk e bëni dot. Ju nuk e pastroni dot policinë nga politizimi. Madje ju e inspironi atë. Konkretisht, dje banorët e fshatit Vërri erdhën në Tiranë për të protestuar. Në protestë foli dhe avokati Adriatik Lapaj, një nga figurat më të pastra dhe më qytetare të shoqërisë civile. Sapo mbaroi tubimi, policia kriminale e shoqëroi atë në komisariat, se gjoja tubimi ka qenë i paligjshëm. Ai nuk ishte organizator, thjesht tha fjalën e tij të lirë. Pra, policia që ne e paguajmë me taksat tona, policia që, jo vetëm i rrahu banorët e Vërrisë, por u bëri dhe procedim penal, gjoja se këta fshatarë të shkretë rrahën policinë, policia e dështuar totalisht në luftën kundër krimit dhe drogës, po tregon dhëmbët ndaj shoqërisë civile.

Këtu ju bëni disa gabime:
1. Shkelni ligjin.
2. Përpiqeni të intimidoni protestuesit.
3. Bumerangu. Në këtë moment ju e keni kthyer Adriatik Lapajn në simbol të fjalës së lirë, në hero popullor. Me qindra njerëz e mbështetën dje haptazi këtë person.
4. Ju, të paaftë, dekonspironi nervozizëm lidhur me këtë çështje. Pra, ka diçka që nuk shkon dhe ju po përpiqeni ta mbuloni me dhunë.
5. Paaftësinë e policisë kriminale dhe të krimit financiar, të cilët në vend që të shoqërojnë Adriatikun, duhet të kryenin hetime, pse një firmë merr para pa bërë asnjë punë.
Për ta përmbyllur: Jeni të paaftë, jeni mbi ligjin, jeni arrogantë, jeni demagogë. Ligji nuk mund të funksionojë vetëm për Adriatikun, dhe jo për ata që shpërdorojnë miliarda. Jeni duke minuar dhe punën tuaj, se shtet me dy standarde nuk mund të ketë. Do t’ju besoja, nëse do arrestonit autorët e masakrës financiare të rafinerisë së naftës, apo shpërdoruesit e parave të inceneratorëve. Po ju këtë nuk e bëni. Bëni si trima me njerëzit e thjeshtë, por jeni dhjaksa përballë parasë. Më shumë njerëz do ngrihen kundër padrejtësisë. Ky do jetë efekti i këtyre qasjeve dritëshkurtra.Urgjentisht: dekriminalizoni protestën e qytetarëve të lirë. Keni marrë atribute mbi Kushtetutën dhe ligjin. Jeni po kaq djallëzorë, sa një mendje kriminale. Po cenoni lirinë e shtetasve.