Javën që vjen, ministrat dorëzojnë mandatin e deputetit

62

Miratimi i Aktit Normativ, hap procedurën e dorëzimit të mandateve të deputetëve nga anëtarët e kabinetit qeveritar të Ramës

Kryeministri Rama, risinë në qeverisjen e tij e filloi me një premtim elektoral. Që gjithë ministrat e kabinetit të tij, menjëherë pas votëbesimit, do të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ndaj, Rama, i detyroi gjithë deputetët- ministra, që fillimisht, të pranonin këtë kusht. Shpjegimi që dha kryeministri Rama, për të detyruar që gjithë ministrat të jepnin dorëheqjen nga mandati i deputetit, ishte se duhet të rritej përgjegjësia e ministrit për detyrën që ka, duke i kushtuar gjithë kohën punës në qeverisje, por edhe rritja e kontrollit të parlamentit ndaj qeverisë. Mirëpo, kanë kaluar mbi 50 ditë nga votëbesimi i qeverisë, dhe ende asnjë ministër nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Akti Normativ për shtyrjen 6 muaj të ligjit  “Për Nëpunësin Civil”, vonoi procedurën

Vendimi më i rëndësishëm që ndërmori qeveria e Ramës, ishte shtyrja e ligjit “Për Nëpunësin Civil”, i miratuar me konsensusin e gjerë më 30 maj, dhe, në bazë të marrëveshjes paraprake, do të hynte në fuqi në 1 tetor. Qeveria e Ramës nxori një Akt Normativ, për të shtyrë këtë ligj,  i cili duhej të miratohej me 84 vota. Ndaj edhe dorëheqja nga mandati i deputetit, i ministrave të kabinetit “Rama” u shty për më vonë, pasi, sipas shpjegimeve të vetë kryeministrit Rama, kjo temë nuk përbënte ndonjë ngutje të madhe. Përveç zv.ministrit Niko Peleshi e ministrave Bledi Çuçi e Mirela Kumbaro, të gjithë ministrat e tjerë do t’i dorëzojnë Kuvendit pjesë-pjesë mandatin e deputetit, të cilin e gëzojnë që prej datës 9 shtator, kur bënë betimin. Më pas KQZ, e cila vazhdon punën me 4 anëtarë, mblidhet për të bërë zëvendësimin e ministrave deputetë me të tjerë kandidatë nga listat e dy partive, PS-së dhe LSI-së. KQZ, në zëvendësimin e deputetëve të “vjetër” me ata të rinj nga listat do të respektojë edhe kuotën gjinore, ndaj kandidatët në lista janë në pritje të vendimit që do të marrë vetë KQZ-ja. Në vend të një deputeteje femër, do të hyjë sërish nga listë një grua, por edhe atje ku kuota nuk është respektuar nga partia, do të jetë KQZ-ja që do të vendosë në vend atë çfarë sanksionon ligji. Në Kodin Zgjedhor thuhet se: “Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”. Ndërsa në nenin 71 të Kushtetutës theksohet se: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin, b) kur heq dorë nga mandati…”.

Nga java që vjen, ministrat japin dorëheqjen si deputetë

Sipas burimeve të mirinformuara pranë Kryeministrisë, nga java që vjen, do të fillojë procedura e dorëzimit të mandatit të deputetit nga ministrat. Ende, nuk është përcaktuar procedura, por një gjë është e sigurt. Dorëheqja do të jetë individuale, dhe do të jetë edhe e shtrirë në kohë. Ende PS-ja dhe LSI-ja nuk kanë publikuar se cilët do të jenë kandidatët e listave përkatëse, që do të zëvendësojnë deputetët-ministra. Kodi Zgjedhor përcakton, që deputetin që dorëhiqet e zëvendëson kandidati që është i pari në listën vijuese. Mirëpo, gjithashtu, Kodi Zgjedhor përcakton edhe një normë, që partitë politike duhet të plotësojnë 30 % të kandidatëve të zgjedhur në një qark, të jetë i gjinisë femërore.

Nëse deputetët do të japin dorëheqjen një e nga një, gjithë proccedura do të shkojë në 17 muaj, pasi, me këtë KQZ me 4 anëtare, duhet një muaj kohë, që nga dorëzimi i mandatit nga ministri, e deri në betimin e deputetit të ri. Mundësia tjetër është që dorrëzimi i mandateve të bëhet në grup, deri në 10 deputetë njëherësh, për të mos rrezikuar në asnjë moment shumicën e thjeshtë me 71 deputetë në Kuvend.

Ministrat që do të dorëzojnë mandatin e deputetit janë:

Shkëlqim Cani, ministër i Financave, deputet i PS-së  në Qarkun e Dibrës

Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm, deputet i PS-së, në Qarkun e  Tiranës

Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes, deputete  e PS-së në Qarkun e Lezhës

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm, deputet, i PS-së  në Qarkun e Tiranës

Klajda Gjosha, ministrie e Integrimit Europian, deputete e LSI-së në  Qarkun e  Tiranës

Nacip Naço, ministër i Drejtësisë, deputet i LSI-së në  Qarkun e Beratit

Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, deputet i  PS-së, në Qarkun e  Gjirokastrës

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë, deputet i PS-së në Qarkun e Elbasanit

Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, deputete e PS-së në Qarkun e  Fierit

Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, deputet i LSI-së në Qarkun e  Elbasanit

Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë, deputet i  PS-së në Qarkun e Durrësit

Lindita Nikolli, ministre e Arsimit dhe Sportit, deputete e PS-së në Qarkun e  Tiranës,

Erjon Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, deputet i PS-së në Qarkun e Gjirokastrës

Lefter Koka, ministër i Mjedisit, deputet i LSI-së në Qarkun e  Durrësit

Milena Harito, ministre për Inovacionin e Administratën Publike, deputete e PS-së në Qarkun e  Tiranës

Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, deputet i  PS-së në Qarkun e  Fierit.