Java e protestave, ja si do “trazohet” Tirana

607
Nis java e protestave, si do të “trazohet” Tirana
Naftëtarët, studentët, çamët, të përndjekurit, të rinjtë dhe mbështetësit e opozitës do të zhvillojnë një seri mitingjesh, që do të kulmojnë më 27 janar përpara kryeministrisë
Tirana pritet të përjetojë një ndër javët më të trazuara politike, ndërsa disa mitingje e protesta janë paralajmëruar në kryeqytet nga grupime politike, shoqata, organizata rinore dhe partitë e opozitës. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po përgatisin me intensitet mitingun e 27 janarit, ku parashikojnë pjesëmarrjen e rreth 100 mijë mbështetësve, por duket se grumbullimi përpara kryeministrisë të shtunën do të jetë vetëm fundi i një serie protestash. Naftëtarët, studentët, çamët dhe të rinjtë kanë bërë thirrje për disa aktivitete përpara selisë së qeverisë, ministrive të saj apo universitetit qendror. Naftëtarët e Fierit dhe Ballshit kanë paralajmëruar për sot udhëtimin e radhës drejt Tiranës për të kërkuara pagat e prapambetura nga kompania ARMO. Gjithashtu, disa grupime rinore kanë bërë thirrje që studentët dhe të rinjtë të kundërshtojnë politikat arsimore, si dhe tarifat e studimit në shkollat e larta publike. Për këtë qëllim po hartohet edhe një peticion. Ndërkohë Tiranës nuk do t’i mungojë edhe një protestë tjetër politike, këtë herë e shoqatave që mbrojnë çështjen çame. Ato do të mblidhen përpara Ministrisë së Jashtme për të kujtuar shqiptarët e Çamërisë të vrarë nga gjenocidi grek. Edhe të përndjekurit pritet të organizohen në protestë gjatë ditëve të ardhshme për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Financave për bllokimin e dëmshpërblimeve për trashëgimtarët e të dënuarve politikë. 

Seria e protestave dhe mitingjeve do të kulmojë të shtunën, më 27 janar. PD, LSI dhe aleatët e tyre u kanë bërë thirrje mbështetësve të mblidhen përpara selisë së qeverisë për të kundërshtuar qeverisjen “Rama 2” dhe përpjekjet e mazhorancës për kapjen e sistemit të drejtësisë. Për këtë miting pritet të merren edhe masa të posaçme nga ana e policisë. Uniformat blu pritet të kalojnë në shërbime të përforcuara dhe në gatishmëri gjatë mesjavës për të garantuar zhvillimin e protestës së 27 janarit. Ende nuk dihet plotësisht kalendari i zhvillimit të protestës dhe folësit e saj, por ajo parashikohet të vazhdojë disa orë.

Plani i opozitës
Opozita po harton ndërkohë edhe hapat e ardhshëm, me të cilët do të ndërtojë aksionin politik pas 27 janarit. Një mbështetje masive në këtë protestë do të shihet nga opozita edhe si një mundësi për të vijuar me mitingje kundër qeverisë. Në planet e partive kryesore të opozitës është zhvillimi i një takimi të përbashkët të forumeve rinore në javën e parë të shkurtit. Kjo lëvizje do të shihet një test për bashkëpunimin dhe organizimin e ardhshëm të opozitës, e cila mbështet ndjeshëm në strukturat rinore. Gjithashtu, në kalendarin e PD-LSI për muajin shkurt po diskutohet edhe mundësia e një takimi të përbashkët të forumeve të grave. E gjithë kjo skemë organizimi pritet të kulmojë me një protestë tjetër masive më 20 shkurt për të përkujtuar ditën e rrëzimi të monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Edhe gjatë vitit të shkuar, Partia Demokratike e përdori simbolikën e 20 shkurtit për të nisur protestën e saj përpara kryeministrisë, që vijoi me ngritjen për katër muaj të Çadrës së Lirisë. Edhe këtë herë, opozita mund të rimblidhet më 20 shkurt përpara kryeministrisë në një protestë të vazhdueshme, me kërkesën e saj për ngritjen e një qeverie antimafia. Megjithatë, drejtuesit e opozitës kanë përjashtuar mundësinë e ngritjes së një çadre përpara selisë së ekzekutivit, duke kërkuar mënyra të tjera të protestës. 
22 janar
Naftëtarët e Fierit dhe Ballshit kanë paralajmëruar se do të nisin udhëtimin e tyre drejt Tiranës, për shkak të moszgjidhjes së kërkesave të tyre të vazhdueshme për marrjen e pagave. Ata vazhduan edhe javën e shkuar, duke u grumbulluar përpara prefekturës së qytetit të Fierit. Gjatë protestës mes protestuesve dhe policisë ka pasur përplasje, pasi kjo e fundit ka tentuar ta ndërpresë marshimin e naftëtarëve. Ata kanë deklaruar se ende nuk i kanë marrë 15 rrogat e tyre, por nuk dorëzohen duke kërkuar të drejtat e tyre. Për të hënën (sot) naftëtarët paralajmërojnë se do të nisin marshimin e tyre të dytë drejt Tiranës. Edhe më parë ata janë nisur në disa marshime drejt Tiranës, duke gjetur vetëm zgjidhje të pjesshme të problemeve të tyre. Së fundmi, në javën përmbyllëse të dhjetorit, naftëtarët mbërritën në Tiranë dhe pas bisedimeve me Ministrinë morën vetëm pagën e një muaji. Ndërkohë, investitorët e ARMO-s tashmë janë larguar duke ndërprerë punën dhe mospaguar rrogat e disa muajve për naftëtarët e Fierit dhe Ballshit. Ndërkohë, një grup operatorësh në tregun e karburanteve kanë blerë rafinerinë më të vogël të ARMO-s, atë të Fierit, e vetmja që mund të dalë me fitim për shkak se prodhon bitum, një material shumë i kërkuar në ndërtim. Por kjo shitje nuk ndryshon asgjë te borxhet që ARMO i ka shtetit. Ndonëse është një pjesë e vogël e ARMO-s, rafineria e Fierit ishte lënë peng nga biznesmeni Rezart Taçi te një bankë private për 20 milionë euro. Prej 2 vjetësh banka e sekuestroi, në përpjekje për ta shitur.

23 janar, ora 17:00
Lëvizja Rinore për Integrim do të zhvillojë manifestim të madh të studentëve për të kërkuar ndryshime në fushën e arsimit dhe punësimit të të rinjve. “E ardhmja e Shqipërisë, e nesërmja e kombit tonë, shpresa më e madhe për të ardhmen, rinia studentore, kërkon të dëgjohet! Në datë 23 Janar tek Pallati i Kongreseve në orën 17:00 do të jemi të gjithë bashkë për të thënë njëzëri se studentët munden të sjellin ndryshimin! Do të jemi bashkë për të treguar se pavarësisht cdo vështirësie dhe problemi ne do të zgjedhim ta ndërtojmë jetën tonë këtu!”, thuhet në thirrjen e shpërndarë për të rinjtë nga LRI. “Do të jemi bashkë për të kërkuar më shumë kushte bashkëkohore në universitetet tona! Do jemi bashkë për të treguar se të rinjtë duan më shumë praktika pune, përgatitje më të mirë teorike e praktike dhe cfarë është më e rëndësishmja më shumë mundësi punësimi! Do të jemi bashkë për të treguar sot më shumë se kurrë se ne besojmë tek forca jonë dhe nuk do të qëndrojmë në pritje por do të jemi ne ata që do ta ndryshojnë këtë gjendje!”, thuhet më tej në thirrjen për rininë shqiptare. 

23 janar, ora 17:00
Partitë dhe grupimet e ndryshme që mbrojnë çështjen çame kanë paralajmëruar një protestë përpara Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. “Shqiptarët e Çamërisë të vrarë në gjenocid meritojnë të respektohen si çdo njeri që nuk është mes nesh! Eja ndiz një qiri për të vrarët e familjes tënde. Eja edhe ti që beson se të vdekurit duhet të jenë të barabartë në respekt e përkujtim”, thuhet në thirrjen e shpërndarë nga politikanë dhe mbështetës të çështjes çame. Në fokus të protestës pasditen e së martës do të jenë edhe bisedimet shqiptaro-greke të zhvilluar në Kretë dhe së fundmi në Korçë. Parti, shoqata dhe grupime të ndryshme e kanë kritikuar qëndrimin e qeverisë shqiptare në negociatat e fundit me Greqinë, si dhe heshtjen që ka shoqëruar takimet e dy ministrave të Jashtëm. Protesta vjen në një kohë kur për eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri do të nisë një operacion i gjerë kërkimi nga institucionet shqiptare dhe pala greke, në disa fshatra në jug të vendit. Ndërkohë, pala greke nuk lejon udhëtimin normal të shqiptarëve të Çamërisë drejt fshatrave të tyre të origjinës në veri të Greqisë. 

24 janar, ora 11:00
Studentët do të protestojnë për situatën e vështirë ekonomike të mijëra të rinjve në universitetet publike, si dhe pamundësimin çdo ditë e më tepër të së drejtës për t’u arsimuar përmes vendosjes së kritereve të padrejta monetare. Sipas organizatorëve, ndjekja e studimeve universitare nuk mund të jenë privilegj i më të pasurve. “Si e drejtë i duhet garantuar çdo studenti që plotëson kriteret meritore. Prandaj, të mërkurën në orën 11:00 do të mblidhemi përpara Korpusit dhe do ta çojmë protestën drejt kryeministrisë për të shembur me zërat tanë të bashkuar muret e heshtjes dhe të privilegjeve. Tarifat studimore duhen përgjysmuar në të gjitha nivelet dhe degët e studimeve si një hap i parë i heqjes së diskriminimit ekonomik. Të gjitha gjobat dhe haraçet e tjera për të vazhduar studimet, si detyrimi për të paguar institucione private për certifikimin e gjuhës së huaj apo pagimi i dyfishtë i krediteve për provimet e mbartura, duhen hequr sa më pare”, thanë organizatorët. Po kështu, një tjetër motiv dhe kërkesë e kësaj proteste, është qëndrimi në godinën e tij historike të Fakultetit të Gjeologji Minierave, që rrezikon të kthehet në pallat të drejtësisë. “Bashkimi bën fuqinë. Bashkimi studentor prodhon fuqi aq të madhe, saqë jo vetëm mund t’u japë fund padrejtësive në arsimin e lartë, por edhe të krijojë infrastrukturën e shpresës për një shoqëri më të drejtë”, nënvizojnë organizatorët. Në fund të protestës do të dorëzohet një peticion me mijëra firma studentësh që i kërkon me këmbëngulje qeverisë të nisë heqjen e tre formave më të drejtpërdrejta të diskriminimit ekonomik në universitete.

Të përndjekurit: Nuk patëm frikë nga plumbat
Presidenti i Unionit të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, reagoi pas vendimit të Ministrisë së Financave për pezullimin e fondeve të dëmshpërblimit për trashëgimtarët e të dënuarve politike. Ndregjoni paralajmëroi edhe reagimin e ish-të përndjekurve. Ai deklaroi se ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist” konkretizon, jo vetëm premtimin politik publik në përmbushjen e detyrimeve morale dhe ligjore që shoqëria jonë ka ndaj kësaj shtrese të nderuar, por njëherazi formaton seriozisht korpusin e ligjeve për shtetin e së drejtës që ne po ndërtojmë. “Dua të kujtoj që ligji i qeverisë socialiste i vitit 2004, i cili me të drejtë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, parashikonte ta dëmshpërblente këtë kategori me një vlerë financiare në një muaj, që është e barabartë me dëmshpërblimin në një ditë, ligji i vitit 2007 kthehet me dinjitet dhe plotëson atë obligim moral, politik e historik, jo vetëm thjesht ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë, por edhe më gjerë”, tha Ndregjoni. Sipas tij, ligji respekton detyrimet Kushtetutës apo dokumenteve të ndryshëm ndërkombëtarë. Ai e paralajmëroi ministrin e Financave se çdo vendim politik ndaj të përndjekurve politikë do të jetë fundi i turpshëm i qeverisë kriminale që bëni pjesë. “Ne nuk ju frikem plumbave të etërve tuaja, jo t’u frikemi vendimeve politike staliniste të nje ministri te korruptuar”, tha Ndregjoni.
Sigal