Jasini: Arrestimi i Haradinaj nga autoritetet franceze ka ngritur disa pyetje në kuadrin juridiko-ligjor dhe politiko-diplomatik

502
Sigal

Ish kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i AAK-së Ramush
Haradinaj, vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën
lindore. Zoti Haradinaj u arrestua javën e kaluar bazuar në një urdhër arrest
ndërkombëtar të lëshuar nga qeveria e Serbisë. Ndalimi i tij nga autoritetet
franceze ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për anën ligjore të këtij rasti. Ne
do të përpëiqemi të sqarojmë disa prej çështjeve me doktoren e shkencave
juridike Rudina Jasini, eksperte e së drejtës penale ndërkombëtare. Ajo ka qenë
njëkohësisht në grupin e avokatëve të zotit Haradinaj që bëri mbrojtjen e tij
në Gjykatën e Hagës, në vitin 2004. Zonja Jasini ndodhet në studion e Zërit të
Amerikës në Londër.

 

LK: Zonja
Jasini, në mendimin tuaj, a duhej ta kishin ndaluar zotin Haradinaj autoritetet
franceze? A mund ta injoronin ato urdhër-arrestin e Interpolit?

Jasini : Arrestimi i Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze ka
ngritur disa pyetje në kuadrin juridiko-ligjor dhe në kuadrin
politiko-diplomatik. Akuzat për të cilat është dhënë urdhri i arrestit në vitin
2004, janë të përmbledhura në akuzat mbi të cilat tribunali i OKB-së për
ish-Jugosllavinë është shprehur qartë në dy procese: në të parin, atë të gjykimit
dhe në procesin e rigjykimit. Në të dyja proceset tribunali është shprehur
shumë bindshëm mbi pafajsinë e Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë.

LK: Zoti
Haradinaj është gjykuar nga Haga (siç e thatë edhe ju) a është ky argumenti
kryesor i avokatëve të tij mbrojtës? A egziston mundçësia që të ketë akuza të
reja të ngritura nga autoritetet franceze mbi të cilat zoti Haradinaj mund të
ekstradohet?

Jasini : Në një deklaratë që ka bërë kryeministri i Serbisë lidhur
me arrestimin e Ramush Haradinaj përpara pak ditësh, ai është shprehur se bëhet
fjalë për një numër akuzash të cilat nuk ia vlen as të numërohen, duke
përfshirë këtu edhe akuzat e ngritura mbi veprimet në Glogjan dhe liqenin e
Radoniqit. Për ata që e kanë njohur çështjen Haradinaj në tribunalin e OKB-së,
kanë qenë pikërisht këto akuza që kanë përbërë thelbin e gjykimit dhe të
rigjykimit. Por është e rëndësishmë të diskutohet nëse ky ndalim nga
autoritetet franceze është bërë mbi bazën e disa zbulimeve të reja, apo është
bërë tërësisht mbi bazën e urdhrit të arrestit të lëshuar në vitin 2004.

LK: Cilat
janë sipas jush alternativat e mundshme para drejtësisë franceze?

Jasini : Këtë të enjte, Gjykata e Apelit në Colmar të Francës do
të ketë një seancë dëgjimore lidhur me çështjen e arrestimit, por gjithashtu do
të shqyrtojë edhe nëse egzistojnë argumenta të fuqishëm për ekstradimin. Jam e
bindur se nëse Haradinaj gjykohet mbi akt-akuzën e lëshuar në vitin 2004,
atëherë ai nuk ka se si të ekstradohet. Por nëse do të gjykohet mbi bazën e
disa të dhënave të tjera për të cilat ne nuk mund të kemi dijeni, atëherë
mbetet për t’u parë se çfarë do të vlerësohet në seancën dëgjimore të enjten.

LK: A mendoni
se kemi të bëjmë thjesht me një procedurë teknike të Intrepolit, apo edhe me
përfshirjen e faktorëve politiko-diplomatikë në rastin e arrestimit të një
ish-kryeminsitri të Kosovës?

Jasini :Përse
ky urdhër arresti u ekzekutua në vitin 2017? Nga viti 2012, kur Ramush
Haradinaj është shpallur i pafajshëm në procesin e rigjykimit të tribunalit të
OKB-së, e deri më sot ai ka udhëtuar në Francë dhe në vende të tjera të BE-së
si individ i lirë.

Atëherë nëse bëhet fjalë për një
procedurë tërësisht teknike, Interpoli duket të përgjigjet përse ky urdhër nuk
është ekzekutuar sa herë që ai ka hyrë dhe ka dalë nëpër aeroportet apo pikat
kufitare të BE-së. Pa diskutim që na lind një pyetje e natyrshme, që një
motivim politik, i është dhënë mbase një sinjal dhe një mesazh i përcaktuar
qartë Kosovës, dhe lidershipit dhe qeverisë së shtetit të Kosovës.

LK: A mendoni
se qeveria e Kosovës, duhej të kishte bërë më tepër në bisedimet e saj me
Serbinë për çështjen e urdhërarresteve që Beogradi ka lëshuar për
ish-luftëtarët e UÇK-së që akuzohen për krime lufte?

Jasini : Duke patur parasysh që Kosova nuk është anëtare e
Interpolit, është e rëndësishme të kuptohet që e vetmja mënyrë për të marrë
informacion konkret mund të ishte nëpërmjet bisedimeve. Duke qenë se qeveria e
Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë në negociatat me shtetin serb lidhur me
marrëveshje për BE-në si edhe negociata për marrëveshje të ndryshme, atëherë do
të ishte shumë e rëndësishme të përcaktohej se cilat janë ata individë për të
cilët ekziston një urdhër arresti lidhur me liderët e UÇK-së por edhe qytetarët
e tjerë të Kosovës. Dhe mbetet për t’u mësuar nëse autoritetet e shtetit të
Kosovës kanë marrë ndonjë informacion konkret në lidhje me urdhrat e arrestit
që ekzistojnë në Interpol të lëshuar nga autoritetet serbe.